“…në të cilin edhe ju bashkëndërtoheni për të qenë banesë
e Perëndisë në Frymë.” EFESIANËVE 2:22
Kur dikush vjen te Krishti me anë të besimit, transformimi i identitetit të tij është
gjithëpërfshirës. Në gjuhën që përdor Pali tek Efesianëve 2, mëkatari i vdekur tani
është i gjallë në Krishtin; fëmija i zemërimit bëhet fëmijë i Perëndisë. Por identiteti i ri
nuk është thjesht individual. Ne nuk jemi secili veç e veç në Krishtin; ne jemi në Të me të
gjithë popullin e Perëndisë. Ja pse, tek Efesianëve 2, Pali kalon nga përvoja jonë individuale
e hirit në punën e përbashkët që kryen hiri i Perëndisë. Pali na thotë: “Ju nuk jeni më të
huaj dhe ardhës, por jeni bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe shtëpiarë të Perëndisë” (v. 19).
“Njeriu [populli] i ri” (v. 15) që po krijon Krishti, është i mbushur lavdishëm me bashkë-
trashëgimtarë të hirit. Kjo nuk do të thotë se identiteti ynë individual njerëzor bëhet i
parëndësishëm. Në Krishtin, prejardhja jonë dhe ata që jemi — gjinia, përkatësia etnike
dhe historia jonë personale — nuk janë fshirë. Ne jemi ata që jemi, të krijuar sipas shëmbë-
llimit të Perëndisë, të formuar sipas qëllimeve të Tij. Por ajo që na bashkon në Krishtin —
bashkimi ynë me Krishtin — e tejkalon çdo gjë tjetër.
Duhet të ruhemi nga tundimi për të harruar arsyen e unitetit tonë. Askush nuk është i
imunizuar nga rreziku i kthimit të elementeve të identitetit të tij në pengesa — pengesa
të statusit, të ngjyrës, të klasës, të tipit të personalitetit ose të parapëlqimeve personale. Si
të krishterë, duhet të jemi të përgatitur për të pranuar se sa e lehtë është që të gabojmë në
këtë gjë. Ne duhet të jemi të përgatitur që, nëse dallojmë se jemi fajtorë për një gabim të
tillë, të pendohemi dhe të pikëllohemi për atë që nuk i pëlqen Perëndisë.
Ungjilli është çelësi i unitetit të krishterë. Pali e kuptoi se vetëm Perëndia mund t’i zbusë zemrat
e ngurta, vetëm Perëndia mund t’i hapë sytë e verbër dhe vetëm Perëndia mund të bashkojë njerëz
të ndryshëm dhe të formojë diçka me të vërtetë të lavdishme dhe në unitet. Perëndia po krijon
“një njeri të ri” dhe Ai po e bën atë njeri të ri në kishën e Tij. Në Krishtin, Perëndia po ndërton
një “shenjtërore [të] shenjtë” (Efesianëve 2:21), ku “edhe ju bashkëndërtoheni për të qenë banesë
e Perëndisë në Frymë”. Njëanshmëria e bazuar mbi racën, shtresën ose pozitën nuk ka vend aty ku
banon Perëndia me anë të Frymës së Tij. Një ditë do ta përjetosh plotësinë e bashkimit tënd me
Krishtin dhe me popullin e Tij në përjetësi; mirëpo kjo mundet dhe duhet të fillojë që tani. Sot
ke privilegjin për ta nxitur atë unitet me mënyrën se si përdor kohën tënde dhe me mënyrën se si
mendon, lutesh dhe flet me vëllezërit e motrat në kishën tënde.
Ditë pas dite po ndërtojmë,
Ndërsa çastet fluturojnë,
Tempullin tonë që bota mund të mos e shohë;
Çdo fitore e korrur nga hiri
Sigurisht që vendin e vet do të gjejë
Përjetësisht në tonën ndërtesë.
