12 Mars 2026

“Atëherë Juda, ai që e tradhtoi, kur pa se Jezusi u dënua, ndryshoi mendje dhe ua ktheu të tridhjetë monedhat e argjendit kryepriftërinjve dhe pleqve, duke thënë: ‘Mëkatova duke tradhtuar gjak të pafajshëm’… Dhe ai …u largua dhe shkoi e u var.” MATEU 27:3-5

Çfarë ndodhi me Judën pasi ai e tradhtoi Jezusin? “Ai ndryshoi mendje.” Kjo frazë është përkthyer në mënyrë të dobishme edhe si: “Ai u pushtua nga keqardhja” (NIV). Zemra e Judës u ndryshua, në dukje menjëherë — dhe bashkë me të ndryshoi edhe këndvështrimi i tij.

Juda që shohim në Kopshtin e Gjetsemanit, duke udhëhequr një turmë njerëzish të armatosur për të arrestuar Jezusin me guxim dhe armiqësi të hapur, nuk është Juda që shohim këtu, disa orë më vonë, përpara krerëve të priftërinjve dhe të pleqve. Zemra e tij e ngurtësuar u zëvendësua me një frymë keqardhjeje që pushtoi shpirtin e tij.

Merreni parasysh përvojën e Judës për një çast, dhe le të shërbejë ajo si një kujtesë që mëkati gjithmonë ofron shpresë të rreme. Çastet para se të mëkatojmë shpesh duken rrënjësisht të ndryshme nga ato që pasojnë. Është po ai ndryshim rrënjësor që ndien Adami dhe Eva pas mosbindjes së tyre në Kopshtin e Edenit. Gjithçka që dinin në çastin para se të hanin frutën, gjithçka që prisnin nga ai akt rebelimi, u bë pluhur në gojën e tyre (Zanafilla 3:6-8). Në të njëjtën mënyrë, gjithçka që Judës iu duk aq tërheqëse kur e dorëzoi Jezusin tek armiqtë e Tij, shpejt u kthye në një hiç për të.

Kur mëkatojmë, të gjitha ndikimet magjepsëse dhe dehëse — gjithçka që na tërhoqi për t’u rebeluar — zhduken në një çast. Ajo që shkëlqente, rezulton të jetë thjesht një mashtrim. Mbetet vetëm fakti lakuriq: Kam mëkatuar kundër një Perëndie të shenjtë e të dashur.

Me një keqardhje kaq të thellë, ne kemi një zgjedhje: të pendohemi dhe të pajtohemi me Perëndinë, ose të dëshpërohemi dhe të dënojmë veten. Në mënyrë tragjike, Juda zgjodhi këtë të fundit. Faji i tij ishte aq i madh, saqë, me siguri, çdo fytyrë që pa e akuzonte, çdo zë që dëgjonte e shponte, çdo jehonë në shpirtin e tij e dënonte. Ai u përpoq ta lehtësonte fajin e tij duke ua kthyer pagesën krerëve të priftërinjve — megjithatë, heqja e peshës së qeses me monedha nga vetja nuk mjaftonte për të hequr barrën nga zemra e tij. Duke u ndier i izoluar dhe krejt i pashpresë, ai përjetoi një vdekje të tmerrshme.

Ndoshta sot po ndiheni të rënduar nga mëkati juaj. Ndoshta keni kërkuar t’i rregulloni vetë gjërat, mirëpo pesha ju rëndon ende. Nëse po, dijeni këtë: historia e Judës nuk ka pse të jetë juaja. Ju mund të ktheheni te Krishti. Ai ofron liri dhe falje: një zgjedhë të mirë dhe një barrë të lehtë (Mateu 11:28-30). Kjo është ajo për të cilën vdiq Krishti — për të shpenguar mëkatarë tradhtarë si Juda.

Shembulli i Judës shërben si kujtesë për ne kur mëkati na ndjell. Cilat mëkate janë veça­­nërisht joshëse për ju në këtë çast? Mos harroni, mënyra se si ato duken më përpara, nuk është e njëjtë me ndjenjën që do të përjetoni më pas. Këtu gjejmë ndihmë për çastet e tundimit dhe shpresë për çastet e fajit. Falja e Perëndisë qëndron në pritje të keqardhjes dhe të pendimit tonë. Gjithçka që duhet të bëni, është të ktheheni tek Ai.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 51