12 Janar 2026

“Dhe mbas gjashtë ditësh, Jezusi mori me vete Pjetrin dhe Jakobin,  dhe Gjonin, vëllain e tij, dhe i çoi sipër në një mal të lartë, veçmas.  Dhe ai u shndërrua përpara tyre, dhe fytyra e tij rrezatoi si dielli,  dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.” MATEU 17:1-2

Siç sugjeruan dikur John Lennon-i dhe Paul McCartney, ka vende të cilat do t’i kujtojmë gjatë gjithë jetës sonë. Sigurisht që Pjetri, Jakobi dhe Gjoni do ta kishin konsi deruar këtë shpat mali, ku ata panë shndërrimin e Krishtit, si një nga ato vende. Natyrisht që Pjetri nuk e harroi kurrë atë (II e Pjetrit 1:17-18).

Çfarë ndodhi në shndërrimin e Jezusit? Fillimisht, këtu ndryshoi pamja e Jezusit. Fytyra e tij “rrezatoi”. Është e qartë se kjo nuk kishte të bënte me pastërtinë, por me transformimin e mbinatyrshëm. Kishte një shkëlqim rrezatues në fytyrën e Tij që Mateu mund ta përshkruante vetëm me fjalët “si dielli”. Rrobat e tij ishin të bardha si drita — më të bardha nga sa kemi parë ndonjëherë ju ose unë — gjë që tregonte për pastërtinë e pashoqe të qiellit.

Një nga mënyrat se si Besëlidhja e Vjetër e përshkruan Perëndinë është si Ai që mbështillet “me dritë si të ishte një mantel” (Psalmi 104:2). Pikërisht kështu dukej Jezusi në majën e atij mali. Kush e bën diçka të tillë? Vetëm Perëndia! Nuk ishte rastësi, por një tregues që shndërrimi ishte jo vetëm një zbulesë nga Perëndia, por një zbulesë e Vetë Perëndisë. Në këtë skenë, Krishti e zbuloi në një mënyrë të pashoqe Veten si Perëndi. Shkrimi na thotë se Jezusi është “shkëlqim i lavdisë dhe gjurmë e qenësisë së Perëndisë” (Hebrenjve 1:3). Megjithatë, kur Ai hyri në botën tonë, lavdia e Perëndisë u mbulua në natyrën e përulur njerëzore të Krishtit. Shndërrimi ishte ajo që John Calvin-i e quajti “një shfaqje e përkohshme e lavdisë së tij”. Ishte një heqje e vogël mënjanë e perdes — një shfaqje e vogël në shpatin e malit dhe në mendjet e këtyre tre dishepujve. Perëndia po i jepte Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit mundësi për të shijuar atë që ende nuk mund ta rroknin dot plotësisht, por që një ditë do ta shijonin përjetësisht.

Kurdoherë që në Shkrim ka një shfaqje të madhështisë së Perëndisë, njerëzit shpesh reagojnë duke rënë me fytyrë përtokë. Dishepujt nuk ishin ndryshe, pasi reaguan të tmerruar. Por Jezusi u tha atyre me dashamirësi: “Çohuni dhe mos u frikësoni!” (Mateu 17:7).

A i afrohemi ti dhe unë Krishtit me një frikë të ngjashme për shenjtërinë dhe transhendencën e Tij të përsosur? Mos vallë ka mundësi që, me raste, pikëpamja jonë për Perëndinë të jetë shumë e kufizuar? Eja para Tij në një mënyrë të tillë që, ndërsa mendon për fuqinë dhe pastërtinë e Tij, ta gjesh veten me fytyrë përtokë. Pastaj dëgjoje Atë, në mëshirën e Tij, të të thotë: Çohu! Nuk ka pse të kesh frikë! Kjo është mënyra për të jetuar me mahnitje e gëzim sot dhe çdo ditë, derisa ta soditësh Zotin tonë të lavdishëm me sytë e tu.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

MATEU 17:1-9