“Atëherë Jona iu lut ZOTIT, Perëndisë të tij, nga barku i peshkut dhe tha: ‘Në fatkeqësinë time i thirra ZOTIT dhe ai m’u përgjigj…’” JONA 2:2-3
Ja një fjalë për besimtarin që po përjeton përleshje, për besimtarin që është tërhequr pas, për ne që kemi rënë thellë për shkak të mosbindjes sonë.
Theksi i Librit të Jonas nuk është aq shumë mbi hallin që e zuri Jonan, sa është mbi sigurimin e Perëndisë. Perëndia përdori veprime të jashtëzakonshme për ta shpëtuar Jonan nga mëkati dhe mosbindja e tij. Profeti e pranon se ishte Perëndia Ai që e hodhi “në një vend të thellë, në zemër të deteve” (Jona 2:4). Po, marinarët e hodhën Jonan në det, por Jona e dalloi se ajo që ndodhi, ishte nën dorën sovrane të Perëndisë dhe se marinarët vepruan si instrumente të Tij. Perëndia e kishte ndjekur dhe e kishte hedhur në mes të valëve të detit, që ai të vinte në një pikë ku të mund të thoshte: “Në fatkeqësinë time i thirra ZOTIT dhe ai m’u përgjigj.”
Për më tepër, në barkun e peshkut të madh, profeti e ndjeu dhimbjen e ndarjes nga Perëndia, dhimbjen e të qenët i dëbuar “nga prania [e Tij]” (Jona 2:5). Për Jonan, tmerret fizike të të qenët pothuajse i mbytur në oqean dhe të gëlltitjes nga peshku nuk krahasoheshin fare me të qenët përjetësisht i dëbuar nga Ati i tij qiellor. Jona e njihte dashurinë e Perëndisë; ai e dinte se ç’do të thoshte të ishte në praninë e Perëndisë. Ai ishte në gjendje për të kuptuar se ç’do të thoshte të ishte i ndarë nga Perëndia, edhe pse — dhe këtu qëndron mbrapshtia e mëkatit — ai vetë kishte zgjedhur të largohej nga Perëndia.
Ç’fjalë me vend që është kjo për ne! Kur endemi larg Perëndisë, është pikërisht Ai që vjen dhe na gjen në stuhitë dhe luginat tona, që i ndryshon rrethanat tona për të na tërhequr vëmendjen, që lejon të ndihemi të izoluar dhe të veçuar, vetëm e vetëm që të themi: “Nuk e kam vendin këtu. Nuk është kjo ajo që Perëndia dëshiron për mua. Nuk mund të dal dot nga ky hall që më ka zënë. Mirëpo Ai mund të më nxjerrë prej këtu.”
Sot mund të jesh duke u përballur me një ndjesi të thellë dështimi dhe keqardhjeje. Ke qenë duke u larguar. Nuk i je bindur zërit të qartë të Perëndisë dhe je përpjekur të fshihesh. Mirëpo historia jote nuk ka pse të përfundojë këtu. Në hirin dhe mirësinë e Tij, Perëndia është i vendosur që të të shpëtojë dhe ta përfundojë punën që ka nisur në jetën tënde (Filipianëve 1:6). Në jetën e krishterë, ka gjithmonë nevojë për pendim, mirëpo nuk ka kurrë arsye për t’u dëshpëruar.
Kur Jona përfundoi në tokë të thatë, nuk ishte sepse ai e meritonte. Kjo ndodhi për shkak të hirit të Perëndisë. Po kështu, është Vetë Perëndia që vjen te ne, në mëkatin dhe mosbindjen tonë, për të na pastruar, për të na shpëtuar dhe për të na ripërtërirë në qëllimet e Tij. A ke mundësi tani që ta shohësh tokën e thatë?
