11 Mars 2026

“…Dhe çfarë ke ti që nuk e more? Por edhe nëse e more,
pse mburresh thua se nuk e ke marrë?”I KORINTASVE 4:7

Ne e quajmë atë me emra të ndryshëm, duke e maskuar në shumë mënyra — mirëpo xhelozia është shpesh një nga mëkatet e “toleruara” mes ungjillorëve. Nuk ka gjasa që ta gjeni atë në listën “Dhjetë mëkatet më të përhapura”, për të cilat një pastor e paralajmëron kishën e tij, ose të cilat përmenden tepër shpesh kur besimtarët flasin me njëri-tjetrin për përleshjet e tyre. Megjithatë, xhelozia përfshihet në listën e Perëndisë dhe përmendet shpesh në Shkrime. Në fakt, xhelozia gjendet në mes të disa prej sjelljeve më të ndyra mëkatare që trajtohen në letrat e Besëlidhjes së Re, sepse ajo duhet të merret shumë seriozisht (shih, për shembull, Romakëve 13:13).

Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë qëkurse Pali u shkroi korintasve. Kisha e zakonshme lokale ende përballet me shumë kaos dhe ndarje të shkaktuara nga xhelozia — dhe një nga rreziqet e xhelozisë mund të jetë mënyra se si ajo na bën të dyshojmë nëse Perëndia e di se çfarë po bën kur ndan dhuntitë.

Gjithçka që keni, u thotë Pali këtyre anëtarëve krenarë, të përçarë dhe ziliqarë të kishës, e keni marrë — dhe Dhënësi i dhuratave, Krijuesi i gjithësisë, nuk bën gabime. Prandaj, si munden ata — dhe ne — të ecin me arrogancë sikur do të bënin një punë më të mirë po ta kishin krijimin nën kontroll? A i caktuam vetë gjatësinë, perimetrin trupor, shpejtësinë apo ndonjë nga aftësitë tona? Kush na bëri unikë? Perëndia! ADN-ja jonë u planifikua në mënyrë hyjnore. Rrethanat tona janë pikërisht ashtu siç dëshiron Perëndia, dhe Ai nuk bën gabime. Zilia është mëkat, sepse është qëndrimi që sugjeron se Perëndia nuk është i mirë ose nuk e di se çfarë do të ishte për të mirën tonë. Zilia është ndjesia që të jep idhujtaria.

Kur luajmë në pikolo në orkestrën e jetës, mund ta gjejmë veten duke parë një tubë të madhe disa karrige më tej, nga e cila po dalin disa nota të thella dhe të larta, dhe kështu të tundohemi për të thënë me vete: “Askush nuk mund të më dëgjojë mua. Tingulli im nuk është aq i mirë.” Prej aty rrjedh një ndjenjë hidhërimi për vendin tonë dhe një ndjenjë zilie ndaj muzikantit me tubë. Mirëpo, tingulli ynë është ai i pikolos për një arsye. Është instrumenti të cilin jemi krijuar të luajmë — prandaj le ta luajmë me gëzim dhe mjeshtëri!

Pse bëhemi xhelozë ndaj njëri-tjetrit në përpjekjet tona për t’i përdorur dhuntitë që na ka dhënë Perëndia? Pse lejojmë që pakënaqësia të na rrëmbejë gëzimin që Ai na e ka ofruar falas? Pse lejojmë që ajo që Ai ka bërë për dikë tjetër, të na verbojë ndaj asaj që Ai ka bërë për ne — sidomos kur na ka dhënë pasuri të përjetshme në praninë e Tij? Ja se cila është e vërteta që secili prej nesh duhet të përsëritë: “Perëndia më dha pikërisht atë që më duhet, unë jam krijuar pikërisht ashtu siç ka planifikuar Ai, dhe gjithçka që Ai më ka dhënë, ose nuk më ka dhënë, është për të mirën time dhe për lavdinë e Tij.”

Mos lejoni që t’ju brejë xhelozia. Përkundrazi, jetojeni me gëzim rolin për të cilin jeni krijuar. Sepse ju jeni vepra e Tij, e rikrijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, të cilat Ai i ka përgatitur dhe jua ka dhënë që t’i bëni (Efesianëve 2:10). Le të jetë kjo e mjaftueshme për ju sot.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

I TIMOTEUT 6:6-12