11 Janar 2026

“Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra përmbys e adhuroi dhe tha: ‘Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. ZOTI ka dhënë dhe ZOTI ka marrë. Qoftë i bekuar emri i ZOTIT’. Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk e paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.” JOBI 1:20-22

Jobi është ndoshta shembulli më i madh biblik i qëndresës në vështirësi. Pavarësisht se ishte një njeri i paqortueshëm dhe i drejtë, brenda një dite, ai përjetoi vdekjen e fëmijëve të tij dhe humbjen e pothuajse të gjithë pasurisë së tij. Megjithatë, një nga reagimet e tij të para ishte të pranonte sovranitetin e Perëndisë si në bollëk, ashtu edhe në varfëri, kur sjell rrethana të gëzueshme dhe kur sjell rrethana të trishtueshme. Ndërsa Jobi u mbulua nga kaosi, zhgënjimi dhe dhimbja, ai rroi kokën, veshi një mantel të grisur dhe ra përmbys, jo vetëm në vajtim, por edhe në adhurim.

Çuditërisht, në errësirën e kësaj dhimbjeje, “Jobi nuk mëkatoi dhe nuk e paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi”. Përkundrazi, në vajtimin e tij, ai besoi në provaninë e Perëndisë. Me fjalë të tjera, ai e kuptoi që Perëndia e di se çfarë po bën në çdo rrethanë. Ai është i denjë për lavdërimin tonë edhe në situatat më të vështira. Jobi e dinte se ditët e tij ishin në duart e Perëndisë (Psalmi 31:15).

Shumica prej nesh kanë kaluar përmes klithmave të ankthit dhe pellgjeve të lotëve. E dimë se sa e vështirë mund të jetë ta pranosh sovranitetin dhe mirësinë e Perëndisë në mes të një stuhie. Ne pyesim veten se ku është Ai. Në reagimin tonë njerëzor ndaj dhimbjes, kemi prirjen që deklaratat rreth provanisë së Perëndisë të na duken si klishe ose pa vend — mirëpo ato nuk janë të tilla. Në fakt, me kalimin e kohës ose me ndryshimin e rrethanave, ne mund të kthejmë kokën pas dhe të dallojmë që nuk ka asnjë situatë tragjike, të cilën Perëndia të mos e ketë lejuar në mënyrë sovrane. Ai lejon që të gjitha gjërat të kalojnë nëpër duart e Tij, dhe ato nuk e kapin Atë në befasi.

Nuk duhet ta shpërfillim dhimbjen e njëri-tjetrit ose të ofrojmë përgjigje të lehta. Përkundrazi, gjatë kohëve të vështira, ne jemi thirrur për ta nxitur njëri-tjetrin drejt ngjashmërisë me Krishtin, duke i kujtuar njëri-tjetrit se Perëndia na ka dhuruar jetë të përjet shme dhe dashuri të palëkundur, dhe se kujdesi i Tij i ka ruajtur shpirtrat tanë (Jobi 10:12). Sigurisht që mund të shohim pas në histori dhe të dallojmë që Perëndia ynë ka hyrë në errësirën e kësaj bote dhe është zhytur në thellësitë e vuajtjes. Ai është një Perëndi që e di se si është të jesh njeri. Ai është një Perëndi që ka vendosur para nesh një të ardhme ku nuk ka as dhimbje dhe as të qara.

Edhe në vështirësitë e jetës dhe në thellësitë e dhimbjes, provania atërore e Perëndisë i lejon të gjitha gjërat për të mirën tonë dhe lavdinë e Tij. Ai e ka vërtetuar që e di se çfarë po bën. Prandaj, ne ende mund ta lavdërojmë Atë edhe në errësirë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 22