10 Prill 2026

“…Ja, mbreti yt po vjen te ti; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një kërriç gomareje. Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jerusalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.” ZAKARIA 9:9-10

Procesioni që çoi në hyrjen e Jezusit në Jerusalem u karakterizua nga drama.

Shumë herë tek Ungjijtë, Jezusi dhe dishepujt kishin udhëtuar vetëm, larg turmës, me sa më shumë heshtje dhe në fshehtësi. Jezusi mund të kishte hyrë në qytet pa u vënë re. Përkundrazi, Ai vendosi qëllimisht t’i afrohej Jerusalemit në një mënyrë që e shpallte Atë si Mbretin Mesia, të premtuar prej kohësh në Shkrime.

Megjithatë, koncepti i njerëzve për atë se çfarë do të thoshte që Jezusi të ishte Mbreti i judenjve, ishte aq i shtrembër, saqë ata e keqkuptuan atë që Jezusi po tregonte për Veten, pra, se kush ishte Ai në të vërtetë. Populli ishte përpjekur më parë që ta bënte Jezusin mbret me forcë, por Ai ishte larguar prej tyre (Gjoni 6:14-15). Ai e dinte se ajo që ata mendonin se do të bënte një mbret, nuk ishte ajo që Ai kishte ardhur të bënte. Ata po mendonin gabim. E njëjta gjë ishte e vërtetë kur u sugjerua se Ai ishte përfshirë në një lloj revolucioni politik. Kësaj Ai iu përgjigj me fjalët: “Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote…” (Gjoni 18:36).

Në hyrjen triumfuese, brohoritjet e turmës ishin të mbushura me pasion, pritshmëri dhe pështjellim. Ata nuk donin të jetonin nën thundrën romake. Ata donin ripërtëritje kombëtare dhe revolucion politik. Ata kishin nevojë për një kampion politik, dhe Jezusi ishte shpresa e tyre më e mirë. Ata, me sa duket, besonin se Jezusi do t’u jepte diçka të cilën Ai kurrë nuk erdhi për t’ua dhënë. Kur turma bërtiti: “Hosana!” — që do të thotë “Na shpëto!” — ata nuk po mendonin për shpëtimin personal dhe frymëror; ata po mendonin vetëm për këtë jetë.

Nëse nuk e mbajmë ungjillin në qendër të të menduarit tonë, edhe ne mund të biem pre e një pështjellimi të ngjashëm, plot pasion dhe shpresë. Edhe sot, shumë nga ne vazhdojnë të krijojnë në mendje një Jezus që mund të përmbushë pritshmëritë tona, një “shpëtimtar” që e kemi krijuar vetë, i cili ka ardhur për të na sjellë ngushëllim, begati ose shëndet, për të bekuar familjen, lagjen dhe kombin tonë. Megjithatë, Krishti nuk hyri në Jerusalem si një nacionalist fitimtar, i hipur mbi një karrocë; Ai erdhi si një ndërkombëtarist që sjell paqen, i hipur përulësisht mbi një gomar. Ai erdhi për të përmbushur profecinë e Zakarias 9, duke u folur “për paqe kombeve” nën sundimin e Tij të përsosur dhe universal “nga deti në det”. Ky është mesazhi i ungjillit — një mesazh që është i mirë për të gjithë, kudo, gjithmonë. Nuk është se ëndrrat dhe kërkesat tona janë shumë të mëdha për Të, në fakt, ato janë shumë të vogla.

Jezusi na sfidon sot, ashtu siç i sfidoi edhe njerëzit në kohën e Tij, që ta adhurojmë Atë për atë që Ai është, jo për atë që ne mendojmë se duhet të jetë. Mos i thuaj Atij të merret me punën tënde; konsideroje privilegj që ti të merresh me punën e Tij.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ZAKARIA 9:9-17