10 Mars 2026

“Deri kur do të më harrosh, o ZOT? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?” PSALMI 13:1

Njerëzit thonë se koha fluturon kur je duke u argëtuar. Mirëpo kur gjërat zënë e marrin një natyrë melankolike, duket sikur jeta lëviz shumë ngadalë. Ne e gjejmë veten duke menduar: “Nuk e di nëse do të dal ndonjëherë nga këto rrethana. Dhe nuk e di se si mund t’i duroj ato.”

Psalmi 13 përmban një pyetje të përsëritur: “Deri kur? Deri kur?”. Rrethanat e Davidit nuk përshkruhen, por duket qartë që ai ndihet si i harruar dhe i braktisur — një ndjenjë me të cilën mund të identifikohemi të gjithë. Është e ngjashme me atë që ndiejmë kur humbasim një të afërm ose kur mendojmë se duhet të ecim vetëm nëpër një luginë sprove. Nuk ka pikë dyshimi që të jesh i izoluar nga marrëdhëniet njerëzore, është një përjetim dërrmues. Mirëpo ajo për të cilën shkruan Davidi këtu, është edhe më domethënëse. Ai po shpreh një ndjenjë izolimi nga vetë Perëndia.

Kjo ndjenjë është përjetuar nga shumë prej njerëzve të Perëndisë, gjë që është përshkruar në të gjithë Shkrimin. Në Librin e Isaias, populli i mërguar i Perëndisë thërret: “ZOTI më ka braktisur, ZOTI më ka harruar” (Isaia 49:14). Shtegtarët e krishterë — ndjekësit dhe shërbëtorët e vërtetë të Jezusit — ndonjëherë ndiejnë dëshirën të thonë: “Unë besoj se Zoti në fakt na ka harruar. Nëse Ai nuk na ka harruar, nëse Ai do të ishte ende me ne, si mund të përfundonim në këtë gjendje kaq të vështirë? Nëse Ai do të na ruante me të vërtetë, me siguri që nuk do të na duhej t’i duronim këto sprova.”

Megjithatë, në shfaqjen e depresionit të Davidit, zbulojmë se perceptimi i tij (siç ndodh shpesh edhe me ne) nuk pasqyron realitetin. Davidi e ka pjekurinë dhe përulësinë frymërore për ta pranuar se ajo që ai e përjeton si të vërtetë, nuk përputhet me atë që ai e di se është realisht e vërtetë. Pra, ai i kujton vetes dashurinë e palëkundur të Perëndisë, shpëtimin dhe bujarinë e Tij — dhe vendos të gëzohet në ato gjëra, edhe teksa përleshet dhe vuan (Psalmi
13:5-6).

Ky është tensioni i mbushur me shpresë i jetës së krishterë. Ne pyesim: “Deri kur, o Zot? Ku je, o Perëndi?”, edhe ndërkohë që u kujtojmë vetë zemrave tona se Perëndia nuk ka hequr dorë nga dashuria e tij ndaj nesh, nuk ka harruar të na çlirojë ose të punojë në ne. Mos e beso gënjeshtrën e braktisjes që mund të të servirin emocionet e tua. Prehu në përgjigjen ngushëlluese të Perëndisë ndaj popullit të Tij harraq: “A mundet një grua ta harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të harrojnë, unë nuk do të të harroj. Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve” (Isaia 49:15-16). Kujdesi i Perëndisë për fëmijët e Tij është si dielli: një kujdes i njëtrajtshëm. Edhe atëherë kur retë e mbulojnë, ai kujdes
është ende i pranishëm. Është gjithmonë aty.

A do t’i zësh besë sot pandryshueshmërisë së Perëndisë? Herën tjetër kur të ndihesh i braktisur, dije se Perëndia shikon duart e Tij, aty ku është gdhendur emri i secilit prej fëmijëve të Tij, dhe thotë: Ja ku je. Nuk të kam harruar.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 13