“Dhe të gjithë besimtarët ishin bashkë, dhe i kishin të gjitha të përbashkëta.” VEPRAT E APOSTUJVE 2:44
Një nga tiparet më tërheqëse të kishës së hershme në sytë e botës pagane përreth saj ishte stili komunitar i jetës së saj. Çfarë i bashkoi njerëz kaq të ndryshëm — helenë dhe judenj, të rrethprerë dhe të parrethprerë, barbarë dhe skithas, skllevër dhe të lirë (Kolo sianëve 3:11)? Jezu Krishti. Përveç Tij, nuk kishte asnjë shpjegim tjetër për bashkësinë e këtyre të krishterëve.
Që nga ato ditë e deri më tani, kisha ka qenë gjithmonë e bashkuar në një shoqëri unike e të karakterizuar nga disa të përbashkëta. E para është besimi i saj i përbashkët. Kisha e hershme nuk mblidhej në bazë të përkatësisë etnike, të arsimit, të interesave apo të diçkaje tjetër; përkundrazi, ata ia nënshtruan jetët e tyre të larmishme një besimi të përbashkët në Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e tyre. Edhe sot, Darka e Zotit vazhdon të jetë një shprehje shumë e qartë e po këtij uniteti; për ne ka një bukë dhe një kupë, në të cilat ne marrim pjesë si një trup i vetëm. Jezusi është Buka e jetës që na ushqen dhe na bashkon.
Së dyti, ne kemi një familje të përbashkët. Kur besojmë në Jezusin si Shpëtimtarin tonë, mirëpritemi në familjen e Tij bashkë me besimtarë të tjerë dhe kemi të njëjtin Atë qiellor. Kjo lidhje familjare e kapërcen madje edhe atë të familjeve tokësore, sepse familja e besimit është e përjetshme. Si të tillë, ne duhet të kujdesemi për interesat e vëllezërve dhe të motrave tona frymërore. Nuk është vetëm e trishtueshme, por edhe kontradiktore, që ne si besimtarë të mos e duam njëri-tjetrin: sepse “ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllain e tij” (I e Gjonit 4:21).
Së treti, me hirin e Perëndisë, kisha e vërtetë përjeton edhe ndjenja të përbashkëta. Një version më të vogël të kësaj e shohim në ngjarjet sportive: çdo tifoz individual është i ndryshëm, por, së bashku, ata përjetojnë një ndjenjë, një bindje dhe një qëllim të përbashkët. Ndonjëherë ata krenohen së bashku dhe ndonjëherë shkurajohen së bashku. Në mënyrë të ngjashme, si anëtarë të së njëjtës familjeje, ne marrim pjesë në gëzimin, paqen, dhimbjen dhe pikëllimin e njëri-tjetrit. Siç tha Pali: “Dhe në qoftë se vuan një gjymtyrë, vuajnë bashkë të gjitha gjymtyrët; në qoftë se lëvdohet një gjymtyrë, gëzohen bashkë të gjitha gjymtyrët” (I Korintasve 12:26). Metafora e Palit në atë kapitull është ajo e kishës si një trup: si besimtarë, ne jemi të ndryshëm dhe kemi pika të forta dhe të dobëta të ndryshme njëri nga tjetri, dhe kështu, ne krijojmë një trup që funksionon më mirë i lidhur bashkë sesa veç e veç. Kufizimet dhe dobësitë e mia plotësohen nga pikat tuaja të forta dhe anasjelltas.
Të gjitha familjet kanë vështirësitë dhe betejat e tyre, dhe ne të gjithë jemi mëkatarë; kështu që është e lehtë të harrohet privilegji që i përkasim popullit të Perëndisë. Kur ishte hera e fundit që e falënderove Atin tënd për familjen tënde kishtare? Kur ishte hera e fundit që hodhe vështrimin përreth një të diel dhe pe vëllezërit dhe motrat e tua të mbledhura së bashku dhe more zemër, duke e ditur se, me anë të hirit, je bërë pjesë e kësaj familjeje?
Bota jonë, ashtu si në ditët e apostujve, është plot përçarje dhe vetmi. Njerëzit janë të copëtuar, të frikësuar dhe të humbur. Por ne, trupi i bashkuar i Krishtit, mund t’i ofrojmë kësaj bote një bashkësi të thellë dhe një të ardhme të përjetshme, të mbushur me shpresë. Ju keni mundësinë të bëheni vetë duart dhe këmbët e Atit tuaj qiellor, duke hyrë në jetën e njerëzve teksa i ftoni ata në familjen e Tij. A do ta shfrytëzoni mundësinë?
