1 Shkurt 2026

“Pranoni që ZOTI është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.” PSALMI 100:3

Libri i Psalmeve është përshkruar si kuti ilaçi për shpirtrat tanë. Në të mund të gjejmë vajtime për të shtypurit, thirrje drejtuar Perëndisë në kohë të vështira dhe oferta lavdë rimi e falënderimi. Pavarësisht se çfarë të mundon, balsamin do ta gjesh në Librin e Psalmeve. E endur veçanërisht në psalmet e lavdërimit gjendet kjo e vërtetë themelore: Zoti është Perëndia dhe ne jemi të Tijtë. Vetë ekzistenca jonë si popull i Perëndisë është një tregues se kush është Ai. Dikur nuk ishim popull, por tani jemi popull. Dikur nuk kishim marrë mëshirë, por tani marrim mëshirë çdo ditë (I e Pjetrit 2:10).

E vërteta thelbësore është që nuk i përkasim vetes. Në fakt, kurrë nuk i kemi përkitur vetes. Ne jemi krijesa shëmbëllimbartëse, të formuara nga një Krijues i fuqishëm. Ai është Poçari që na ka krijuar dhe “ne jemi populli i tij”. Përveç kësaj, ne jemi mëkatarë të shpenguar, të blerë “me një çmim” nga një Shpëtimtar i dashur (I Korintasve 6:20). Ai është Bariu që dha jetën e Vet për ne dhe tani kujdeset për ne (Gjoni 10:11-15), dhe “ne jemi populli i tij”. Ne jemi blerë dy herë: në krijim dhe në shpengim, ne jemi të Tijtë.

Prandaj, ajo që tani është jona në Zotin Jezu Krisht, nuk është arsye për krenari, por për lavdërim. Të diturit se Zoti është Perëndia dhe se ne jemi populli i Tij do të na shtyjë ta lavdërojmë dhe ta falënderojmë Atë (Psalmi 100:3).

Lavdërimi është pranimi spontan i asaj që është me vlerë. Njerëzit e lavdërojnë natyrshëm atë që vlerësojnë. Perëndia është Krijuesi dhe Shpenguesi ynë, prandaj Atij i takon lavdërimi ynë dhe Ai është i denjë për të. Askush dhe asgjë nuk e meriton lavdërimin tënd më shumë se Ai.

Edhe në rrethana më pak se ideale, ende kemi arsye për ta lavdëruar Perëndinë, thjesht për atë se kush është Ai. Kur i japim lamtumirën një personi të dashur ose humbasim një punë e cila siguron për nevojat tona tokësore, ne ende mund të zgjedhim ta lavdërojmë Atë. Kur zëri ynë tingëllon mbytur për shkak të lotëve, kur zemra na lëshon, kur rrethanat na zhgënjejnë, kur jeta duket se na lë në baltë — ne ende mund të gjejmë arsye të pafundme për adhurim të gëzuar dhe lavdërim falënderues te “mirësia” e Perëndisë që “është e përjetshme” (Psalmi 100:5). Ai vazhdon të jetë Krijuesi juaj i fuqishëm dhe Shpëtimtari juaj i dashur.

Zemra falënderuese është shenjë dalluese e përvojës së krishterë. Lëreni t’ju karakterizojë edhe ju sot.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 148