“…edhe ne vetë, duke pasur frytin e parë të Frymës; edhe ne vetë,
pra, psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me padurim birësimin,
shpengimin e trupave tanë.” ROMAKËVE 8:23
Përvoja e krishterë është njëkohësisht e mrekullueshme dhe sfiduese.
Ne kemi marrë falje. Jemi birësuar në familjen e Perëndisë. Gëzojmë një përbashkësi me njëri-tjetrin që shkon më thellë se lidhjet natyrore. Ne zotërojmë një shpresë të sigurt të qiellit, e cila sjell një pritje të ethshme. Ne kemi Frymën, Vetë Perëndinë, që banon brenda nesh. Megjithatë, nuk jemi larguar nga realitetet e jetës në këtë botë të rënë. Ne njohim përleshjen, njohim dhimbjen e zemrës, njohim zhgënjimin dhe rënkimin.
Ndërsa jetojmë këtu mbi tokë, kemi një parashije të vogël të qiellit, por nuk jemi ende atje. Krishterimi nuk na imunizon ndaj plakjes ose mëkatit. Ne sëmuremi dhe trupat tanë nuk funksionojnë si duhet. Vazhdojmë të luftojmë me mëkatin dhe përballemi me kundërshtime ndaj besimit tonë. Në të vërtetë, siç u shprehën edhe teologët e Westminster-it në shekullin e 17-të, i krishteri përfshihet në “një luftë të vazhdueshme dhe të papajtueshme”
kundër mëkatit.
Është e mundur të pleksemi në lloj-lloj problemesh frymërore dhe teologjike në betejën tonë të vazhdueshme me mëkatin. Ne mund të pyesim veten: “Pse vazhdoj ende të mos bindem?”. Në ato çaste, ju dhe unë duhet të kujtojmë “tri kohët” e shpëtimit, të cilat përmbledhin veprën e Perëndisë në jetën e të krishterit.
Nëse jemi fshehur në Krishtin, atëherë jemi shpëtuar nga dënimi i mëkatit. Ne nuk kemi asgjë për t’u frikësuar në ditën e gjykimit, sepse Jezusi, me vdekjen e Tij në kryq, i mbarti mëkatet tona dhe u përball me ndëshkimin në vendin tonë. Në kohën e tashme, ne po shpëtohemi nga fuqia e mëkatit. Kjo është një shërbesë hyjnore e vazhdueshme; askush prej nesh nuk do të jetë kurrë pa mëkat në këtë anë të qiellit, mirëpo Perëndia po punon brenda nesh, duke na aftësuar t’i themi “jo” asaj që është e gabuar dhe “po” asaj që është e drejtë. Dhe së fundi, do të vijë një ditë, kur Krishti të kthehet, kur nedo të shpëtohemi nga vetë prania e mëkatit.
Shpesh ne kemi një parashije të qiellit, e cila na bën ta dëshirojmë atë që do të vijë. Ja pse Pali thotë se ne “psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me padurim… shpengimin e trupave tanë”. Ne duhet të shohim me padurim drejt kthimit të Krishtit dhe ta presim atë ethshëm!
Si të krishterë, ne dalim në këtë botë si qytetarë të qiellit dhe ndërkohë jetojmë si të huaj dhe shtegtarë. Por neve nuk do të na duhet të jetojmë përgjithmonë larg shtëpisë. Një ditë, Jezusi do të kthehet — dhe kur të kthehet, Ai do të na marrë për të qenë bashkë me Të, në trupat tanë të ringjallur, në mbretërinë e Tij të përsosur. Sot, mos jeto sikur kjo është gjithçka që ekziston. Drejtohu nga e ardhmja, sepse ditët e tua më të mira nuk kanë ardhur ende. Ti nuk je ende atje — por është e sigurt se një ditë do të jesh.
