“I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, ai që na bekoi me çdo bekim
frymëror në vendet qiellore në Krishtin, ashtu si na zgjodhi në të përpara themelimit
të botës, që ne të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përballë tij, në dashuri, duke na
paracaktuar për birësim nëpërmjet Jezu Krishtit për veten e vet…”EFESIANËVE 1:3-5
Perëndia të ka dashur prej një kohe shumë, shumë të gjatë. Shpërthimi i mahnitshëm i lavdërimit të Palit në fillim të letrës që ai u drejton efesianëve na shpall mrekullinë e gjithçkaje që Perëndia ka bërë për ne në Krishtin. Një nga veçoritë që e bën atë kaq të mahnitshëm, është që fillon me Perëndinë, madje duke na kujtuar se, përpara se të ekzistonim, Ai mori iniciativën për t’i tërhequr njerëzit drejt Vetes. Ne mund të tundohemi të besojmë se duhet ta kërkojmë Perëndinë nëpërmjet përpjekjeve njerëzore; në të vërtetë, shumë fe botërore mësojnë pikërisht këtë. Por që në fillimet e saj, Bibla na mëson se, në të vërtetë, është Perëndia ai që na afrohet neve.
Zgjedhja jonë në Krishtin nuk është ndonjë mendim i mëvonshëm historik; ajo shkon deri në përjetësinë e shkuar, përpara krijimit. Po, ne vendosim të ndjekim Krishtin — por është kaq përulëse të pranojmë se nuk do ta kishim zgjedhur dot kurrë Perëndinë, nëse Ai nuk do të na kishte zgjedhur ne përpara krijimit të botës. Nuk do të ishe në gjendje për të vendosur që ta ndiqje Atë, nëse Ai nuk do të kishte vendosur fillimisht të të bënte fëmijën e Tij.
Ekziston një tension delikat në pajtimin e përgjegjësisë së njeriut me sovranitetin e Perëndisë. Shumë njerëz besojnë se duhet të zgjedhin njërën ose tjetrën, kur, në fakt, të dyja idetë janë biblike dhe të lidhura njëra me tjetrën. Ato janë dy të vërteta të cilat qëndrojnë krah për krah, në dukje të papajtueshme në mendjet tona të kufizuara njerëzore, por që të dyja janë plotësisht të vërteta. Nuk ka pse të shqetësohemi për to si të ishin një ushtrim intelektual. Përkundrazi, jemi të lirë të reagojmë duke u përkulur të mahnitur nga mirësia e Perëndisë të Gjithëpushtetshëm ndaj nesh.
Doktrina e zgjedhjes nuk është një flamur nën të cilin marshojmë, por një fortesë për shpirtrat tanë. Ajo bën gjithë ndryshimin për sigurinë dhe gëzimin tonë. Sapo ta kuptosh me përulësi se identiteti yt në Krishtin u përcaktua në çastin kur Ai e vendosi për herë të parë dashurinë e Tij mbi ty, madje që para agimit të kohës, ti gjen lirinë dhe ke plotbesim. Nuk ke pse të kërkosh të gjesh ndonjë arsye në veten tënde, për të kuptuar pse e ke marrë hirin e Tij të mahnitshëm; thjesht mund të kënaqesh duke e ditur se Ai të zgjodhi ngaqë të do. Nuk ka pse të jetosh i rënduar ose i dërrmuar nga mëkati yt, ngaqë mendon se po përparon pak në jetën tënde të krishterë, sepse dashuria e Tij nuk u bazua kurrë në performancën tënde dhe as në premtimin tënd se do të sillesh më mirë. Ti mund t’i kalosh
majat dhe luginat e kësaj jete me sigurinë që të është treguar dashuri nga Ai që i krijoi të gjitha gjërat dhe që i drejton të gjitha gjërat — dhe meqë nuk t’u desh kurrë që ta fitoje dashurinë e Tij, as nuk do të mund ta humbasësh atë kurrë.
