1 Janar 2026

“Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” ZANAFILLA 1:1 (BIBLA PRO, 2025)

Nuk ka pasur kurrë një kohë kur Perëndia të mos ketë ekzistuar. Perëndia ishte aty përpara se koha të ekzistonte, përpara se të ekzistonte ndonjë gjë tjetër. Përderisa natyra e Tij është e pandryshueshme, Ai gjithmonë ka ekzistuar në Trini — Perëndia Atë, Perëndia Bir dhe Perëndia Frymë e Shenjtë.

Kur lexojmë Biblën, zbulojmë se çdo anëtar i Trinisë ishte i përfshirë në krijim: Perëndia Atë mori iniciativën, Perëndia Frymë përshkruhet si ai që “flatronte mbi” atë që po ndodhte, dhe Perëndia Bir ishte agjenti i krijimit në gjithçka që u krijua (Zanafilla 1:2-3; Gjoni 1:3).

“Çdo gjë e bukur dhe e dëlirë, çdo krijesë e madhe dhe e vogël” duhet të na lërë të mah nitur; që të gjitha u formuan nga urdhri i Perëndisë. Ai nuk është vetëm Krijuesi i gjithçkaje; Ai është edhe Zoti i gjithçkaje që ka krijuar. E gjithë natyra është në duart e Tij dhe nën kontrollin e Tij. Ndërsa shohim valët që përplasen në breg, është një inkurajim i mrekullueshëm të dimë që secila prej tyre vjen si rezultat i sundimit sovran të Perëndisë. Ai nuk është larguar nga krijimi i tij dhe as nuk do të largohet ndonjëherë.

Është e rëndësishme, gjithashtu, të kujtojmë që Perëndia është edhe i përtejbotshëm. Ai është i ulur mbi fronin e Tij, sipër, përtej dhe i dallueshëm nga gjithçka që Ai ka bërë. Kjo e dallon krishterimin nga panteizmi, ideja se bota natyrore është një manifestim i Perëndisë dhe, si rrjedhim, gjithçka është në njëfarë kuptimi pjesë e Tij. Me një besim të tillë, nuk guxojmë të vrasim qoftë edhe një mizë, apo të shkelim një milingonë, pasi ato insekte janë pjesë e hyjnores. Në mënyrë të ngjashme, nuk duhet të presim një pemë ose të hamë mish, sepse edhe këto janë “pjesë të Perëndisë”. Mësime të tilla janë të gabuara, mashtruese dhe kanë prirjen për të na çuar në idhujtari. Shkrimi e bën vazhdimisht të qartë se njerëzit do të zgjedhin të adhurojnë “krijimin në vend të Krijuesit” (Romakëve 1:25). Kur shohim një pikturë madhështore, me të drejtë e admirojmë, kënaqemi me të dhe pastaj lavdërojmë piktorin. I gjithë krijimi është kanavaca e Perëndisë dhe gjithçka në të flet për “cilësitë e padukshme të tij”, domethënë për fuqinë e tij të përhershme dhe hyjnishmërinë e tij (v. 20).

Vetëm Perëndia duhet adhuruar, sepse krijimi ekziston nga fuqia e Tij dhe për lavdinë e Tij. Ekzistenca e Tij nuk njeh as fillim, as fund, dhe Ai do të mbretërojë përjetë. Ai është Mbreti. Sot, lartësoje Atë ashtu siç e meriton vetëm Ai. Dil për një shëtitje ose hidhe vështrimin jashtë dritares dhe lavdëroje Atë ndërkohë që e sheh bukurinë e Tij të shfaqur në atë që Ai ka bërë. Lavdëroje Atë ndërkohë që Ai vazhdon të sundojë mbi krijimin e Tij, duke të mbajtur ty në dorën e Tij sovrane.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

ZBULESA 4