nje thirrje per rrezik te krishtere

Prill 2021


Duke u hequr rrezikun e përjetshëm, Krishti e thërret popullin e tij në një rrezik të vazhdueshëm dhe të përkohshëm.

Për ndjekësit e Krishtit rreziku final është hequr. "Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus" (Romakëve 8:1). "As vdekja, as jeta... nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë" (Romakëve 8:38-39). "Do të vrasin disa prej jush... Por as edhe një fije floku e kokës tuaj nuk do të humbasë" (Luka 21:16, 18). "Ai që beson në mua, edhe në vdektë, do të jetojë" (Gjoni 11:25).

Kur kërcënimi i vdekjes bëhet porta për në parajsë, rrëzohet edhe pengesa e fundit ndaj rrezikut të përkohshëm. Kur i krishteri thotë nga zemra: "Të jetuarit është Krishti dhe vdekja është fitim", ai është i lirë të dojë pavarësisht gjithçkaje. Disa forma të Islamit radikal mund t'i joshin vrasësit-martirë me ëndrra të ngjashme, por shpresa e krishterë është fuqia për të dashur, jo për të vrarë. Shpresa e krishterë prodhon njerëz jetëdhënës, jo njerëz jetëmarrës. Krishti i kryqëzuar i bën thirrje popullit të tij të jetojë dhe të vdesë për armiqtë e vet, ashtu siç bëri edhe ai. Të vetmet rrezikime që lejohen nga Krishti, janë ato të dashurisë. "Duajini armiqtë tuaj; bëjuni të mirë atyre që ju urrejnë. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë" (Luka 6:27-28).

Me premtime marramendëse të gëzimit të përjetshëm, Jezusi lëshoi një lëvizje radikale njerëzish të dashur dhe që rrezikojnë. "Dhe ju, madje, do të dorëzoheni prej prindërve... dhe do të vrasin disa prej jush" (Luka 21:16). Vetëm disa. Që do të thotë se mund të jeni ju ose mund të mos jeni. Ky është kuptimi i të rrezikuarit. Nuk rrezikon kur i fut plumbin vetes në kokë. Rezultati i kësaj është i sigurt. Por rrezikon kur i shërben Krishtit në një zonë lufte. Mund të të qëllojnë. Ose mund të të mos qëllojnë.

Krishti na bën thirrje të ndërmarrim rreziqe për qëllimet e mbretërisë. Pothuaj çdo mesazh i konsumizmit amerikan thotë të kundërtën: Maksimizo rehatinë dhe sigurinë—tani, jo në qiell. Krishti nuk i bashkohet atij refreni. Çdo shenjtori të ndrojtur, i cili po lëkundet përballë një nisme të rrezikshme për ungjillin, ai i thotë: "Mos kini frikë, thjesht munden t'ju vrasin" (Luka 12:4). Po, maksimizoje gëzimin tënd me çdo mënyrë! Si? Për hir të dashurisë, rreziko që njerëzit të flasin keq, të të përndjekin dhe të thonë gënjeshtra për ty: "sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej" (Mateu 5:11-12).

Kjo është një trashëgimi e madhe biblike e njerëzve të dashur dhe që ndërmarrin rreziqe. Joabi, kur u përball me Sirianët nga njëra anë dhe me Amonitët nga ana tjetër, i tha vëllait të tij Abishait, "Tregohu guximtar dhe të jemi të fortë për të mbrojtur popullin tonë... dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen" (2 e Samuelit 10:12). Esteri e shkeli ligjin mbretëror për të shpëtuar popullin e saj dhe tha: "Në qoftë se duhet të vdes, do të vdes" (Esteri 4:16). Shadraku dhe shokët e tij refuzuan të përkuleshin para idhullit të mbretit dhe thanë: "Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë është në gjendje të na çlirojë... Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua" (Danieli 3:16-18). Dhe kur Fryma e Shenjtë i tha Palit që në çdo qytet e prisnin burgime dhe vuajtje, ai tha: "Por unë nuk dua t'ia di fare, dhe as jetën time nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim" (Veprat 20:24).

Stephen Neil tha për kishën e hershme: "Çdo i krishterë e dinte që herët a vonë mund t'i duhej të dëshmonte për besimin e tij duke dhënë jetën e tij" (A History of Christian Missions, Penguin, 1964, fq. 43). Kjo ishte normale. Të bëheshe i krishterë do të thoshte të rrezikoje jetën tënde. Dhjetëra mijëra e bënë këtë gjë. Pse? Sepse kjo do të thoshte të fitonin Krishtin, dhe të mos e bëje do të thoshte ta humbisje shpirtin tënd. "Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë" (Mateu 16:25).

Në Amerikë dhe përreth botës kostoja e të qenët i krishterë i vërtetë po rritet. Gjërat po i kthehen normalitetit në "këtë epokë të ligë të tanishme". Gjithnjë e më shumë 2 e Timoteut 3:12 do të ketë kuptim: "Por edhe të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus, do të përndiqen." Ata që e kanë bërë rrezikun për ungjillin një stil vullnetar jete, do të jenë më të përgatiturit kur të mos kemi zgjedhje tjetër. Prandaj, unë ju nxit, me fjalët e kishës së hershme: "Le të dalim, pra, tek ai jashtë fushës, duke e bartur fyerjen e tij. Sepse nuk kemi këtu qytet të qëndrueshëm, por kërkojmë atë që do të vijë" (Hebrenjve 13:13-14).

Kur Perëndia çdo rrezik më lart largoi
Mijëra rreziqe dashurie çliroi.

Pastor John

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/a-call-for-christian-risk  
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim