“…duke na bërë të njohur misterin e vullnetit të tij, sipas pëlqimit të tij, të cilin e përcaktoi në Krishtin për administrim të plotësisë së kohëve, që t’i përmbledhë të gjitha gjërat në Krishtin: ato në qiej dhe ato mbi tokë, në të.” EFESIANËVE 1:9-10

Në esenë e tij “Mbi historitë me zana” (“On Fairy Stories”), J. R. R Tolkien-i shkruan në lidhje me arsyet pse njerëzit tërhiqen nga rrëfenjat. Histori të tilla shpesh qëndrojnë në anën e kundërt të spektrit tonë emocional në lidhje me lajmet tona të përditshme: në vend të luftës, problemeve financiare, pandemive dhe zemërthyerjeve, rrëfenjat na ofrojnë funde të lumtura, të cilat reflektojnë ëndjet e zemrës njerëzore. Tolkien-i sugjeron se në rrënjë të këtyre ëndjeve qëndron dëshira e ethshme që Krishti ta bëjë botën ashtu siç duhet të jetë — t’i bashkojë të gjitha gjërat, t’i ripërtërijë të gjitha gjërat dhe ta bëjë botën po aq absolutisht dhe përsosurisht të bukur, sa ç’ishte dhe përpara rebelimit të Adamit. A nuk dëshiron fort edhe ti që Perëndia t’i rregullojë të gjitha gjërat? A nuk e dëshiron fort edhe ti fundin e lumtur?

Në të gjitha Shkrimet, sikurse edhe në jetën tonë, ne gjejmë tregues që nuk e kemi arritur ende përsosmërinë qiellore. Ne jetojmë në një botë të rënë, të mbushur plot me tëhuajtje, zhgënjim dhe shpërbërje. Adami i parë mëkatoi, dhe kështu erdhën vdekja dhe kaosi. Mirëpo një Adam i dytë erdhi për ta zhbërë atë që bëri Adami i parë dhe për të arritur atë që s’mund ta arrinte dot askush. Perëndia do t’i rregullojë të gjitha. Në fakt, Ai tashmë ka filluar ta bëjë këtë gjë.

Nëpër letrat e tij drejtuar kishave të shekullit të parë, Pali i pranoi vështirësitë e tyre dhe nuk i zvogëloi kurrë ato; mirëpo ai, gjithashtu, u kujtoi përherë lexuesve të tij që do të vinte një ditë “kur vuajtjet të marrin fund dhe pikëllimet të humbasin”, dhe kur të gjitha ëndjet tona të jenë përmbushur.1 Ai i inkurajoi lexuesit e tij që t’i mbanin sytë te qëllimi përfundimtar, i cili do t’i ndihmonte të përballeshin me sfidat e tyre të çastit.

Ajo që u nevojitej atyre në atë kohë, është po ajo që na nevojitet edhe neve sot. Nëse përqendroheni vetëm në atë që shihni para jush dhe nuk e lejoni premtimin e Perëndisë për ripërtëritjen të zërë vend në fushëpamjen tuaj, në fakt nuk do të jeni në gjendje për t’i trajtuar çështjet me të cilat përballeni. Ato do të duken të stërmëdha nga këndvështrimi juaj. Ato do të mbizotërojnë. Ato do t’jua shterin shpresën dhe lumturinë. Jo — pavarësisht nëse problemet janë globale, kombëtare ose personale, strategjia më e mirë është që t’i mbani sytë tek ajo që thuhet në fjalën e Perëndisë në lidhje me planin e Tij. Do të ketë me siguri një fund të lumtur. Do të vijë një kohë kur të gjitha gjërat të bashkohen nën një Mbret të përsosur.

Çfarë po të shqetëson sot? Me ndihmën e Frymës, shikoji çështjet e kohës nga këndvështrimi i përjetësisë, dhe kështu mund të gjesh siguri në planin e Tij të përsosur. Nuk mund t’i dish ende të gjitha hollësitë e historisë së kësaj bote, por ti mund të dish se për ata që besojnë në Krishtin, skena finale është një fund i lumtur që nuk do të ketë kurrë fund — dhe kjo nuk është një rrëfenjë.

  1. Stuart Townend, “There Is a Hope” (2007). ↩︎