“Ndërsa ne do t’i përkushtohemi lutjes dhe shërbimit të fjalës. Dhe kjo fjalë u pëlqye përpara të gjithë morisë së dishepujve…” VEPRAT E APOSTUJVE 6:4-5

Edhe pse ndodhitë plot me Frymën në ditën e Rrëshajëve dhe shërbesa që rezultoi, ishin të jashtëzakonshme, apostujt dhe ndjekësit e tyre nuk është se menjëherë nisën të thonë: E po, tani më mëson Fryma e Perëndisë, prandaj, nuk kam pse të dëgjoj ndonjë njeri tjetër. Për kundrazi, kur u mbushën me Frymën e Shenjtë, ata i kishin veshët krejt të hapur për predikimin dhe mësimin me autoritet të fjalës së Perëndisë. Kjo na jep një mësim të rëndësishëm: Fryma e Perëndisë gjithmonë e udhëheq popullin e Perëndisë drejt përkushtimit ndaj fjalës së Perëndisë.

Ja pse Libri i Veprave të Apostujve e tregon kaq qartë vendin qendror të predikimit. Apostujt e dalluan që instrumenti suprem i Perëndisë për ta ripërtërirë popullin e Tij në shëmbëllimin e Birit të Tij ishte dhe është përmes fjalës së Tij, ndërkohë që Fryma e Tij punon përmes saj. Këtu në kapitullin 6, ne shohim një shembull të përparësisë dhe mbrojtjes që apostujt u dhanë atyre që ishin thirrur dhe ishin pajisur për të dhënë mësim. Apostujt e dalluan rëndësinë jetike që atyre si shërbëtorë u ishte besuar detyra për t’i sjellë popullit të Perëndisë vetë fjalët e Tij.

Librat e Besëlidhjes së Vjetër u referohen “orakujve” të profetëve; kjo fjalë mund të përkthehet edhe si “barrë” (shih, për shembull, Isaia 13:1, versioni KJV). Kjo fjalë përshkruan një peshë mbi zemër dhe mendje, e cila vjen për shkak të përgjegjësisë së jashtëzakonshme për t’i folur popullit të vërtetën e Perëndisë. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, C. H. Spurgeon-i e dalloi këtë barrë duke shpallur se foltorja e tij kishte më shumë ndikim sesa froni i mbretit të Anglisë, pasi, në atë foltore, ai sillte një mesazh nga froni i Perëndisë dhe përcillte të vërtetën e doktrinës së krishterë.

Ne duhet të lutemi për ata që janë thirrur për të dhënë mësim të vërtetat e Shkrimit dhe t’i mbrojmë ata, qoftë kur mësojnë një bashkësi të vogël, fëmijët e vegjël, apo në ndonjë kontekst tjetër. Nuk është gjë e vogël të qëndrosh rregullisht ndërmjet një Perëndie të shenjtë dhe popullit të Tij, e të shpallësh fjalën e Tij. Kjo është njëkohësisht një barrë e rëndë dhe një privilegj i mrekullueshëm.

Përveçse duhet të lutemi për mësuesit dhe predikuesit tanë, ne, gjithashtu, duhet të jemi të përulur dhe të gatshëm për t’u ulur e për të nxënë nën mësimin me autoritet të fjalës së Perëndisë. Një shembull i tillë përkushtimi na është dhënë nga kisha e hershme në mënyrën se si ata i ishin kushtuar mësimit të apostujve (Veprat e Apostujve 2:42). Përkushtimi bashkëkohor duhet të duket njëlloj; ne duhet të jemi të përkushtuar ndaj mësimit që bazohet mbi të vërtetat e Besëlidhjes së Re, të cilat iu zbuluan apostujve dhe u ngritën mbi themelet e doktrinës së Besëlidhjes së Vjetër. Nuk duhet ta kalojmë gjithë kohën tonë duke provuar ushqimin e shpejtë në stacionet televizive, të cilat na vërtetojnë atë që tashmë e dimë, apo në librat dhe lojërat kompjuterike që na ofrojnë mundësinë për t’u arratisur nga bota reale. Përkundrazi, ne kemi nevojë që të ngopemi me fjalën e Perëndisë. Qoftë ajo ushqimi juaj frymëror, dhe çdo ditë do të zbuloni që Fryma e Perëndisë do t’ju udhëheqë edhe më thellë në të vërtetat dhe gëzimet që gjenden brenda saj.