Si të ndryshosh kishë tënde?

Prill 2020


Pastorët shpesh më pyesin, “Si t’i ndryshojmë kishat tona?” Shumë shërbyes i kanë armiqësuar kishat e tyre në përpjekje për të sjellë ndryshim. Disa prejt tyre madje janë pushuar nga puna.

Megjithatë, si barinj, duhet t’i udhëheqim kishat tona drejt ndryshimit, edhe pse një ndryshim i tillë shpesh do të jetë i vështirë. Ja disa sugjerime për mënyrën sesi të sillni ndryshim: mësoni, qëndroni, duani.

Mësoni për të sjellë ndryshim

Së pari, idetë tona për kishat tona duhet të vijnë nga Shkrimi. Kjo e bën foltoren mjetin më të fuqishëm për ndryshimin e kishës. Predikimi i rregullt ekspozues i Shkrimit është mënyra sesi Fryma e Perëndisë normalisht punon në zemrat njerëzore.

Lutuni që përmes predikimit tuaj Perëndia do ta mësojë kishën tuaj sesi ka nevojë të ndryshojë. Është e mahnitshme sa shpesh ne pastorët duam t’i rregullojmë problemet para se të kemi kaluar kohë të mjaftueshme për t’i qartësuar ato!

Shumë pastorë përpiqen të sjellin ndryshim me forcë në kishën e tyre – shpesh duke e mbrojtur këtë gjë si udhëheqje – kur në fakt duhet të përpiqen ta informojnë kishën. Vëllezër, ne duhet t’i ushqejmë delet që na janë besuar në kujdesin tonë, dhe të mos i rrahim ato. Mësojini delet.

Edhe nëse ndryshimi që parashikoni është i drejtë, ende duhet të pyesni nëse është koha e duhur. Të kesh të drejtë nuk është leja për veprim të menjëhershëm dhe kjo më sjell tek pika e dytë.

Qëndro për të sjellë ndryshim

Ideja për t’u përkushtuar në një vend është duke humbur në vendin e punës dhe në shtëpi. Modeli për brezat e rinj nuk është shkallë korporate e para-fabrikuar, me shtigje të kufizuara kujdesshëm, por përkundrazi është mozaik i rrjetës mbarë botërore, me alternativa dhe mundësi të cilat duket se përhapen në pafundësi. Na është mësuar të vlerësojmë përjetimet e larmishme, duke e konsideruar secilin si diçka që pasuron tjetrin.

Ne pastorët kemi nevojë të paraqesim një model tjetër në kishat tona. Kemi nevojë t’i mësojmë që përkushtimi është i mirë, qoftë ky në martesat dhe familjet tona, ndaj miqve dhe besimit tonë, apo në kishat dhe lagjet tona. Është nën dritën e përkushtimeve të tilla afatgjata (duke mos menduar me muaj, por me dekada) që mund t’i ndihmojmë kishat tona të gjejnë përparësitë e tyre të duhura.

Si pastor, pushteti juaj më i madh për ta ndihmuar bashkësinë tuaj të ndryshojë nuk vjen nga personaliteti juaj energjik, por përmes viteve të mësimit besnik dhe të duruar. Ndryshimet që nuk ndodhin këtë vit mund të ndodhin vitin që vjen, apo pas dhjetë vjetësh.

Për këtë qëllim, zgjidhini me urtësi betejat tuaja, duke i dhënë përparësi një ndryshimi të nevojshëm më tepër se tjetrit. Cili prej ndryshimeve që nevojiten është më i nevojshmi tani? Cili mund të presë? Në përgjithësi, pastorët kanë nevojë të mësojnë si të mendojnë në një mënyrë të pjekur dhe afat-gjatë.

Shërbimi për shumë vite si pastor ndihmon edhe vetë pastorin. Kjo e ruan atë nga përdorimi i një thesi hilesh, duke bërë një gjë për dy apo tre vjet dhe pastaj të bëjë diçka tjetër. Në përgjithësi, sa më gjatë të qëndrojmë, aq më realë duhet të jemi – dhe kjo është gjë e mirë si për shpirtin tonë ashtu dhe për ata të cilëve u shërbejmë.

Çelësi i ndryshimit është të qëndrosh në një kishë mjaft gjatë sa ta mësosh bashkësinë. Nëse nuk planifikon të qëndrosh, atëherë ki kujdes para se të nisësh diçka të cilën pastorit pas teje do t’i duhet që ta përfundojë. Mos e lër bashkësinë të ngurtësuar ndaj teje apo ndaj pasuesit tënd, apo madje edhe kundër vetes së tyre.

Si student i ri nga seminari teologjik, mora si shembujt e mi tre klerikë Anglikanë të Kembrixhit. Të tre kishin shërbesa të predikimeve ekspozuese në vende kyçe të cilat zgjatën për shumë vjet – Richard Sibbes (në Kembrixh dhe Londër për 30 vjet), Charles Simeon (në Kembrixh për më tepër se 50 vjet), dhe John Stott (në Londër për më tepër se 50 vjet). Me anë të hirit të Perëndisë, të tre këta burra e ndërtuan kishën të cilës i shërbyen, dhe përmes besnikërisë së tyre të gjatë ndikuan brezat e ardhshëm të shërbyesve.

Trego dashuri për të sjellë ndryshim

Për të dëshiruar ndryshimet e duhura, për t’i mësuar njerëzit rreth tyre, dhe për të qëndruar mjaft gjatë, duhet të tregoni dashuri. Duhet ta doni Zotin dhe duhet t’i doni edhe njerëzit që ai ju ka besuar ju.

Klementi i Romës tha, “Krishti u përket të përulurve në zemër, dhe jo atyre që e lartësojnë veten mbi tufën e tyre.” Prej dashurisë vjen kujdesi i duruar i cili herë pas here e kthen bashkësinë tek Fjala e Perëndisë.

Jonathan Edwards nuk ishte pastor më pak besnik për shkak se bashkësia e tij e pushoi nga puna. Disa prej nesh kemi pasur shërbesë të shkurtë dhe besnike pastorale. Por këto nuk janë gjërat që po trajtoj këtu. Me këtë artikull të shkurtër, thjesht jam përpjekur të ngjall disa ide në mendjen tuaj sesi ju – përmes mësimit, qëndrimit dhe dashurisë – mund ta udhëhiqni bashkësinë tuaj në ndryshim biblik.


Mark Dever është pastori kryesor në “Kishën Baptiste Capitol Hill” në Washington, D. C. dhe president i 9marks. E gjeni në Twitter në @MarkDever.


Kategoria: Udhëheqje
Botuar me leje:https://www.9marks.org/article/how-change-your-church/
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2020

Etiketa9marks, Mark Dever

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do