“Tani, ju bëj thirrje, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotit tonë Jezu Krisht, që të flisni të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me të njëjtën mendje dhe me të njëjtin qëllim.” I KORINTASVE 1:10

Një kishë e bashkuar në ungjillin do të jetë një kishë e shëndetshme. Nuk ka gjë tjetër që e dëmton një kishë më shumë sesa përçarja.

Kështu ka qenë gjithmonë për popullin e Perëndisë. Çastet më të mira të popullit të Perëndisë janë ato kur shohim unitet të madh mes tyre. Për shembull, pasi u kthyen nga mërgimi në Babiloni, te Nehemia 8 na thuhet se izraelitët u mblodhën gjithë pritshmëri “si një njeri i vetëm”, për të dëgjuar predikimin publik të priftit Ezdra nga Libri i Ligjit (Nehemia 8:1). Në atë çast, pothuajse pesë mijë burra dhe gra shkuan në sheshin e qytetit para Portës së Ujërave me një frymë uniteti dhe përkushtimi të përbashkët për të adhuruar. Përqendrimi i tyre nuk ishte thjesht “Çfarë po marr unë nga ky mësim?”, por “Çfarë po kontribuoj në jetën e vëllezërve dhe të motrave të mia që janë mbledhur bashkë me mua?”.

Nëse duam që mes nesh të ketë unitet, atëherë kjo është mënyra se si populli i Perëndisë duhet të vijë gjithmonë në adhurim.

Kur jemi duke ecur me të vërtetë me Krishtin, ne do të dëshirojmë fort që të adhurojmë bashkërisht me njerëz të tjerë që e duan Krishtin. Edhe pse motivimi ynë ndonjëherë mund të shterë, me ndihmën e Frymës së Shenjtë është e mundur që të përjetojmë të njëjtën frymë adhurimi si psalmisti: “U gëzova kur më thanë: ‘Shkojmë në Shtëpinë e ZOTIT!’” (Psalmi 122:1). Adhurimi i kishës së mbledhur bashkë është shumë më tepër se një ngjarje të cilën ta ndiqni apo ta duroni; ai është një shpallje e besnikërisë së përbashkët ndaj Mbretit tonë dhe një kujtim i fuqishëm i unitetit të thellë që gëzon populli i Perëndisë.

Në bashkësitë tona, ne nuk biem dakord gjithmonë dhe as do të ndodhë ndonjëherë. Të gjithë kemi preferenca dhe bindje individuale. Mirëpo në qendër të anëtarësisë në familjen e Perëndisë duhet të ketë unanimitet në lidhje me çështjet thelbësore të besimit tonë — çështje si autoriteti i Biblës, vendi qendror dhe epërsia e Jezusit, domosdoshmëria e ungjillëzimit dhe përparësia e lutjes dhe e adhurimit në jetën tonë të përditshme. Këto bindje të përbashkëta i japin mundësi popullit të Perëndisë për t’u mbledhur bashkë në unitet. Prandaj, edhe pse humori nga foltorja, muzika e bukur dhe programet domethënëse për familjet mund të jenë dhurata nga Zoti, ato nuk duhet të jenë përparësia jonë. Përkundrazi, ne duhet të qëndrojmë në lutje për bashkëshenjtorët tanë ndërsa përpiqemi të adhurojmë bashkë në unitet, duke kërkuar që rizgjimi të mund të vijë nga dëshira jonë për ta dëgjuar fjalën e Perëndisë të predikohet me të vërtetë. Kur një bashkësi është gjithë pritshmëri dhe në lutje, Perëndia me siguri do të bëjë atë që ka premtuar të bëjë përmes fjalës së Tij. Është e lehtë që të kemi një qasje “unë i pari” ndaj kishës dhe të tregohemi të shpejtë për të kritikuar — kjo është e lehtë, por shkatërrimtare. Sigurohu që të dielën tjetër të mos shkosh në takimin e kishës vetëm për veten tënde, por edhe për të tjerët, dhe që të tregohesh i shpejtë për ta ndërtuar dhe për ta përforcuar unitetin e përbashkët nëpërmjet mënyrës se si këndon dhe flet.