since god is sovereign how are humans free 1920

Mars 2024  


Perëndia është absolutisht i lirë, domethënë liria e Tij është e pakufizuar. Ai është sovran. Kundërshtimi më i zakonshëm ndaj sovranitetit të Tij është se nëse Perëndia është vërtet sovran, atëherë njeriu nuk mund të jetë i lirë. Shkrimi i Shenjtë e përdor termin liri për të përshkruar gjendjen njerëzore në dy mënyra të ndryshme: liria nga shtrëngimi, pra, njeriu është i lirë që të bëjë zgjedhje pa qenë i shtrënguar, dhe liria morale, të cilën e humbëm me rënien tonë në mëkat duke u bërë skllevër të shtytjeve të liga të mishit. Humanistët besojnë se njeriu mund të bëjë zgjedhje jo vetëm pa qenë i shtrënguar, por edhe pa pasur ndonjë prirje të natyrshme ndaj së keqes. Ne të krishterët duhet të ruhemi prej pikëpamjes humaniste apo pagane rreth lirisë njerëzore.

Pikëpamja e krishterë është se Perëndia na krijoi me vullnet, pra, me aftësinë për të zgjedhur. Ne jemi qenie të vullnetshme. Mirëpo, liria që na u dha në krijim është e kufizuar. Ajo që e kufizon përfundimisht lirinë tonë është liria e Perëndisë. Pikërisht në këtë pikë ndeshemi me konfliktin mes sovranitetit hyjnor dhe lirisë njerëzore. Disa thonë se sovraniteti i Perëndisë kufizohet nga liria njerëzore. Në qoftë se është kështu, atëherë sovran është njeriu dhe jo Perëndia. Besimi i reformuar mëson se liria njerëzore është e vërtetë, por kufizohet nga sovraniteti i Perëndisë. Nuk mund t’i anulojmë vendimet sovrane të Perëndisë me anë të lirisë tonë, sepse liria e Perëndisë është më e madhe sesa e jona.

Marrëdhëniet familjare mes qenieve njerëzore shërbejnë si analogji për sa kemi thënë më sipër. Prindërit ushtrojnë autoritet mbi fëmijën. Fëmija ka liri, por prindërit kanë ca më tepër. Liria e fëmijës nuk e kufizon lirinë e prindërve ashtu si liria e prindërve e kufizon atë të fëmijës. Kur bëhet fjalë për atributet e Perëndisë, duhet të kuptojmë se Perëndia është absolutisht i lirë.

Kur themi se Perëndia është sovran, faktikisht po shprehemi në lidhje me lirinë e Tij, megjithëse kemi prirje të mendojmë se sovraniteti ka një kuptim krejt ndryshe nga liria. Perëndia është një qenie e vullnetshme; Ai ka vullnet dhe merr vendime. Kur merr vendime dhe ushtron vullnetin e Tij, Perëndia e bën këtë në mënyrë sovrane, si autoriteti përfundimtar. Liria e Tij është absolutisht e lirë. Vetëm Ai gëzon autonomi supreme; Ai është një ligj për veten e Vet.

Njerëzit dëshirojnë autonomi, liri të pakufizuar, duan të mos i japin llogari askujt. Realisht, kjo është ajo që ndodhi kur njeriu ra në mëkat. Satani e joshi Adamin dhe Evën që të synonin autonominë, të bëheshin si Perëndia dhe të bënin çfarë të donin, pa u ndëshkuar. Në kopsht, Satani po promovonte një lëvizje çlirimtare për t’i liruar qeniet njerëzore nga fajësia dhe nga përgjegjësia ndaj Perëndisë. Mirëpo, vetëm Perëndia ka autonomi.

Ky fragment është marrë me përshtatje nga libri “Truths We Confess” nga R.C. Sproul. Te ky libër, i cili tashmë është rishikuar plotësisht dhe gjendet në një vëllim të vetëm e lehtësisht të përdorshëm, Dr. Sproul i njeh lexuesit me Besoren e rëndësishme të Uestminsterit (“Westminster Confession”), duke ndarë me ta mprehtësi të shumta rreth saj dhe se si t’i zbatojmë ato në jetën bashkëkohore.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/god-sovereign-how-are-humans-free
Autori: R.C. Sproul  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin