18 korrik – Mbreti i Perëndisë

“Pastaj Perëndia i tha [Jakobit]: ‘Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzohu; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua.’” ZANAFILLA 35:11

Libri i Gjyqtarëve tregon historinë e izraelitëve në Tokën e Premtuar pas vdekjes së udhë­heqësit të tyre, Jozueut. Kjo është një histori dëshpëruese, sepse njerëzit shumë shpejt u rebeluan, duke filluar kështu një cikël që përsëritet në të gjithë librin. Së pari, njerëzit mëkatuan; së dyti, Perëndia lejoi që ata të mposhteshin dhe të shtypeshin; së treti, ata thi­rrën për ndihmë; dhe, së katërti, Perëndia ndërhyri duke ngritur një gjykatës ose udhë­heqës, për t’i mundur armiqtë e Izraelit dhe për të rivendosur paqen në vend. Mirëpo paqja nuk zgjati kurrë aq shumë, përpara se sekuenca të përsëritej.

Gjatë gjithë periudhës së gjyqtarëve, Izraeli ishte në kolaps — fetar, shoqëror, moral dhe ekonomik. Si reagim, njerëzit filluan të mendonin se jeta do të ishte shumë më e mirë nëse do të caktohej një mbret, ashtu siç Perëndia i kishte thënë Jakobit se do të ndodhte. Megjith­atë, duke kërkuar që të ishin si kombet përreth tyre, ata e hodhën poshtë mbretërimin e Perëndisë — pikërisht atë që i bënte unikë. Ata donin një monarki në vend të një teokracie. Dhe, në vend që të kërkonin një mbret që do të qeveriste nën autoritetin e Perëndisë dhe do t’i udhëhiqte në bindje ndaj sundimit të Tij, ata po kërkonin një mbret që do të sundonte në vend të Tij.

Çuditërisht, pavarësisht nga mëkatshmëria e motiveve të izraelitëve, Perëndia e përmbu­shi kërkesën e tyre. Më pas, shumë mbretër erdhën në Izrael, por mbreti për të cilin kishin vërtet nevojë, nuk erdhi asnjëherë. Ende pritej që të vinte dikush më i madh.

Në një mënyrë që vetëm Ai mund ta orkestronte, Perëndia e përdori kërkesën dritëshkurtër të popullit për të pasur një mbret si ata të kombeve të tjera, për të përmbushur qëllimin e Tij përfundimtar për një Mbret që një ditë do t’i sundonte ato kombe. Përfundimisht, linja mbretërore e Izraelit do të kulmonte në Jezusin, Mbretin që do të vinte, të cilin Perëndia e kishte premtuar — një mbret për të cilin thuhet: “Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt” (Zanafilla 49:10). Mbretëria e vërtetë do të themelohej nga Mesia, i cili do të sundonte nën autoritetin e Perëndisë dhe do të ishte dhurata e Tij supreme për një popull të padenjë.

Shihni sa e pamasë është madhështia e Perëndisë, aq e pamasë saqë Ai është në gjendje për të përfshirë në qëllimet e Tij edhe kërkesa të pamenda dhe motive të këqija! Perëndia është më i madh se zgjedhjet tona, madje edhe se gabimet tona. Ai është sovran mbi çdo hap të gabuar. Edhe pse ne, ashtu si Izraeli, mund të dështojmë ndonjëherë, mund t’i besoj­më me siguri Perëndisë që t’i kapërcejë dështimet tona, ndërsa përmbush qëllimet e Tij. Sot, ne mund t’i bindemi me kënaqësi Mbretit të Tij në jetën tonë dhe jo të kërkojmë t’i shërbejmë dikujt ose diçkaje në vend të Tij.