23 shtator – Shpresë edhe për mëkatarin më të madh


Shtator 2022


Moisiu kishte nevojë për shpresë, që Perëndia të mund të tregonte me të vërtetë mëshirë për një popull me qafë të fortë, i cili sapo kishte kryer idhujtari dhe kishte përçmuar Perëndinë që e kishte nxjerrë nga skllavëria e Egjiptit.

Për t’i dhënë Moisiut shpresën dhe sigurinë që i nevojitej, Perëndia i tha: ”Do të fal atë që do të fal.” Me fjalë të tjera: “Zgjedhjet e mia nuk varen nga shkalla e ligësisë apo mirësisë te njeriu, por vetëm nga vullneti im i lirë dhe sovran. Prandaj, askush nuk mund të thotë se ai është tepër i lig që unë t’i tregoj hir.” Kjo do të nënkuptonte që Perëndia nuk është i lirë dhe që zgjedhja nuk është e pakushtëzuar.

Doktrina e zgjedhjes së pakushtëzuar është doktrina e madhe e shpresës për mëkatarët më të mëdhenj. Ajo do të thotë që kur bie fjala për të qenë kandidat për hir, sfondi yt nuk ka të bëjë fare me zgjedhjen e Perëndisë. Ky është lajm i mirë.

Nëse nuk ke lindur sërish dhe nuk ke besuar në Jezu Krishtin për shpëtim, mos u zhyt në dëshpërim duke menduar që ngurtësia dhe prishja e skajshme e jetës tënde të shkuar është pengesë e pakalueshme për punën e hirshme të Perëndisë në jetën tënde. Perëndisë i pëlqen që ta madhërojë lirinë e hirit të Tij duke shpëtuar edhe mëkatarin më të madh.

Braktise mëkatin tënd: thirri Zotit! Madje edhe në këtë devocion të përditshëm, të cilin po e lexon apo po e dëgjon, Ai po tregohet i hirshëm me ty, duke të dhënë një inkurajim të madh për të ardhur tek Ai për mëshirë.

“Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë,” thotë ZOTI: “edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe si purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022