24 shkurt – Perëndia e hap zemrën


Shkurt 2022


Kudo që predikonte Pali disa besonin dhe disa nuk besonin. Si ta kuptojmë arsyen pse disa nga ata që ishin të vdekur në shkelje dhe mëkate (Efesianëve 2:1, 5) besuan dhe disa të tjerë jo?

Arsyeja pse disa nuk besuan është që ata “e hodhën poshtë” fjalën e Perëndisë (Veprat 13:46), sepse mesazhi i ungjillit ishte “marrëzi për [ta], dhe nuk mund” ta njihnin (1 e Korintasve 2:14). Mendja e mishit “është armiqësi ndaj Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:7).

Kushdo që e dëgjon dhe e refuzon ungjillin “e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:20). Ata qëndrojnë të “errësuar në mendje...për shkak të padijes që është në ta dhe të ngurtësimit të zemrës së tyre” (Efesianëve 4:18). Kjo është një padije fajtore. E vërteta është e arritshme. Sidoqoftë, ata e “mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18).

Gjithsesi, pse disa besojnë, përderisa të gjithë janë në këtë gjendje ngurtësimi rebel të zemrës dhe të vdekur në shkelje dhe mëkate? Libri i Veprave na e jep përgjigjen të paktën në tri mënyra të ndryshme. Një është që ata janë caktuar për të besuar. Kur Pali predikoi në Antioki të Pisidisë, johebrenjtë u gëzuan dhe “të gjithë sa ishin të caktuar për jetën e përjetshme, besuan” (Veprat 13:48).

Një mënyrë tjetër për t’iu përgjigjur pse disa besuan është që Perëndia u dha pendimin. Kur shenjtorët në Jerusalem dëgjuan se johebrenjtë, dhe jo vetëm judenjtë, po reagonin ndaj ungjillit, ata thanë: “Perëndia, pra, edhe kombeve u dha pendesën për t’u dhënë jetën” (Veprat 11:18).

Gjithsesi, përgjigjja më e qartë te Veprat për pyetjen pse një person e beson ungjillin është se Perëndia është Ai që e hap zemrën. Lidia është shembulli më i mirë. Pse besoi ajo? Veprat 16:14 thotë: “Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar ato që thoshte Pali.”

Nëse ti je besimtar në Jezusin, të gjitha këto të ndodhën edhe ty: Ti ishe caktuar për të besuar; t’u dha pendimi; dhe Zoti të hapi zemrën. Pjesën tjetër të jetës tënde duhet të gufosh me falënderim për mrekullinë që je një besimtar.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022