“Tani, në lidhje me vëllain Apol, e luta shumë që të vijë te ju me vëllezërit…” I KORINTASVE 16:12
Trupi i Krishtit nuk ka vend për një njeri që bën gjithçka, të paktën jo kur bëhet fjalë për veprën e shërbimit. Jeta e krishterë është një lojë në ekip, jo një garë. Apostulli Pal na kujton vazhdimisht në lidhje me këtë në letrat që ai u shkroi kishave të hershme.
Që në fillimet e kishës në Korint, Pali e dinte se luftërat për territore përbënin kërcënim dhe se disa njerëz parapëlqenin më shumë kujdesin e Apolos sesa të tijin (I Korintasve 3:3-7). Nëse vetë Pali do të kishte qenë duke kërkuar interesin e tij dhe të forconte reputacionin e tij bashkë me varësinë e kësaj kishe tek ai, ai mund të sigurohej që Apolo të mos kthehej kurrë në Korint. Mirëpo ne lexojmë që ai nuk e bëri këtë. Në fakt, ai bëri krejt të kundërtën. Gjithçka që ai donte, ishte që dikush t’i shërbente popullit të Perëndisë. Ai e dinte se shërbesa ishte ideuar për të qenë një përpjekje e përbashkët.
Perëndia zgjodhi ta krijonte ekipin e shërbesës së kishës së hershme në mënyra të mrekullueshme. Për shembull, mendoni për Timoteun. Pali u tha korintasve: “Tani, po të vijë Timoteu, kujdesuni që të qëndrojë te ju pa frikë, sepse bën punën e Zotit ashtu si unë. Prandaj, të mos e përbuzë kush, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres me vëllezërit” (I Korintasve 16:10-11). Shumë njerëzve, Timoteu do t’u jetë dukur i papërshtatshëm për shërbim: ai ishte i ndrojtur nga natyra (ndoshta për këtë arsye Pali i kujtoi kishës që ta trajtonin me mirësi), i dobët fizikisht (dihet se ai pinte pak verë për shkak të problemeve me stomakun) dhe ishte më i ri se shumica e besimtarëve (I Timoteut 4:12; 5:23). Mirëpo Pali e dinte se Perëndia i kishte caktuar Timoteut një detyrë dhe donte që ai ta përmbushte atë.
Një sërë njerëzish të tjerë — burra dhe gra si Febe, Priska, Akuili, Fortunati dhe Akaiku — iu bashkuan Palit në shërbesë. Asnjëri prej tyre nuk dukej dhe as nuk vepronte njëlloj si të tjerët. Ata nuk kishin të njëjtat dhunti. Mirëpo të gjithë kishin një rol jetik në veprën e shërbimit. Kjo është e vërtetë edhe për kishën e sotme: të gjithëve ne na janë besuar detyra të ndryshme nga Zoti. Prandaj është jetike që t’i bëjmë ballë prirjes për të shërbyer vetëm me ata të cilëve u ngjajmë më shumë apo të cilët na bëjnë më shumë përshtypje. Nuk duhet të themi: “E po, mua më pëlqen vetëm mënyra se si predikon ai”, “Mund të dëgjoj vetëm zërin e saj”, ose “Me të nuk e kam dhe aq mirë”. Përkundrazi, ne duhet të jemi mirënjohës për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë.
Shumica prej nesh do ta jetojnë jetën duke qenë të panjohur për njerëzit përtej rrethit tonë të ngushtë të ndikimit. Megjithatë, mjafton që në epitafin tonë të shkruhet: “Këtu prehet ‘Filan Fisteku’: i cili i ndihmoi të gjithë ata që njihte.” A beson se “Jezusi ka një punë që s’mund ta bëjë dot askush tjetër përveç teje”? Kur Perëndia e vendos dorën e Tij mbi ty dhe të cakton një detyrë, a e merr atë seriozisht, edhe nëse të duket e parëndësishme? Ne jemi krijuar që t’i shërbejmë Atij së bashku, në komunitet, si një ekip i lidhur mirë për hir të mbretërisë së Tij. Sot do të përjetosh gëzim dhe shenjtërim ndërsa luan rolin tënd dhe i inkurajon të tjerët që të luajnë të tyrin.
