Gusht_30

Gusht 2022


Përfytyro Abrahamin e Dhiatës së Vjetër si pastor. Zoti thotë: “Unë do të të bekoj dhe do ta bëj shërbesën tënde të ketë sukses.” Por kisha është shterpë dhe nuk lind fëmijë.

Çfarë bëri Abrahami? Ai filloi ta humbiste shpresën për një ndërhyrje të mbinatyrshme. Abrahami po plaket. Gruaja e tij vazhdon të jetë shterpë. Prandaj Abrahami vendosi ta bënte realitet birin e premtuar nga Perëndia, pa ndërhyrje të mbinatyrshme. Ai pati marrëdhënie seksuale me Agarin, shërbëtoren e gruas së tij (Zanafilla 16:4). Megjithatë, rezultati nuk ishte një “fëmijë i premtimit”, por një “fëmijë i mishit”, Ismaeli.

Perëndia e habiti Abrahamin duke i thënë: “Unë... do të bëj që ajo [gruaja jote, Sara] të të japë edhe një bir” (Zanafilla 17:16). Prandaj Abrahami iu lut Perëndisë: “Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!” (Zanafilla 17:18). Ai dëshiron që puna e përpjekjes së tij natyrore dhe njerëzore të jetë përmbushja e premtimit të Perëndisë, por Perëndia i thotë: “Jo, por Sara, gruaja jote do të lindë një bir” (Zanafilla 17:19).

Por Sara është 90 vjeç. Ajo ka qenë shterpë gjithë jetën e saj dhe tashmë ka kaluar edhe periudhën e menopauzës (Zanafilla 18:11). Abrahami është 100 vjeç. E vetmja shpresë për një fëmijë premtimi është ndërhyrja e mahnitshme dhe e mbinatyrshme.

Ky është kuptimi i të qenët një “fëmijë i premtimit”–të jesh i lindur jo “prej gjakut, as prej vullnetit të mishit, as prej vullnetit të burrit, por prej Perëndisë” (Gjoni 1:13). Të vetmit fëmijë që numërohen si fëmijë të Perëndisë në këtë botë, janë fëmijët e premtimit, të cilët janë lindur në mënyrë të mbinatyrshme. Te Galatasve 4:28, Pali thotë: “Kurse ne, o vëllezër [të krishterë], jemi sikundër Isaku, bij të premtimit.” Ju keni “lindur sipas Frymës,” dhe jo sipas mishit (Galatasve 4:29).

Mendo sërish për Abrahamin si një pastor. Kisha e tij nuk po rritet ashtu si ai beson se i ka premtuar Perëndia. Ai është lodhur nga pritja për një ndërhyrje të mbinatyrshme. Ai kthehet nga “Agari”, që përfaqëson përpjekjet njerëzore, dhe vendos se ai mund “t’i tërheqë njerëzit” pa punën e mbinatyrshme të Frymës së Shenjtë.

Por kjo nuk do të jetë një kishë Isakësh, por një kishë Ismaelësh–fëmijët e mishit, jo fëmijët e Perëndisë. O Perëndi, na shpëto nga ky lloj suksesi fatal! Sigurisht, puno. Por gjithmonë shiko drejt Zotit për veprën e tij vendimtare dhe të mbinatyrshme. “Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket ZOTIT” (Fjalët e Urta 21:31).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia