“Atëherë, kur hëngrën mëngjes, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ‘Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta?’. Ai i tha: ‘Po, Zot, ti e di se të dua’. Jezusi i tha: ‘Kulloti qengjat e mi!’.” GJONI 21:15

Shfaqja e Jezusit në breg të detit te Gjoni 21 ndodhi pas ringjalljes së Tij dhe, për rrje dhim, pas kryqëzimit të Tij dhe ngjarjeve të tjera që e shoqëruan atë — ku përfshihet edhe mohimi i Pjetrit që si frikacak mohoi se e njihte Krishtin. Me të drejtë mund të mendojmë se Pjetri ndjeu turp që nuk ia doli t’i qëndronte besnik Krishtit dhe t’i besonte Atij. Ne thjesht mund ta imagjinojmë atë që u thoshte ai dishepujve të tjerë: Unë e pata mundësinë time dhe e çova dëm. E tradhtova Krishtin. Ja ku jam, unë që mendoja se do të isha heroi, tani qëndroj si një dëshmi e formës më të ulët të burracakërisë. Prandaj, ndërsa Jezusi foli me të, me siguri që Pjetri po vriste mendjen: Çfarë do të më thotë Ai? Çfarë pjese kam unë tani në popullin e Tij?

Jezusi nuk e shpërfilli dështimin e Pjetrit; në fakt, Ai e pranoi. Pas këtij vakti që hëngrën së bashku, Jezusi iu drejtua Pjetrit me emrin e tij të vjetër, Simon, që do të thotë “dëgjo”. Në fillim të shërbesës së tij, Jezusi ia kishte ndryshuar emrin nga Simon në Pjetër, që do të thotë “shkëmb” (Gjoni 1:42). Ky ndryshim emri simbolizonte një transformim që do të ndodhte në karakterin dhe thirrjen e Pjetrit: ai ishte i lëkundur, por do të bëhej i palëkundshëm si një shkëmb. Megjithatë, atje në breg të detit, Jezusi donte t’i kujtonte Pjetrit natyrën e tij të lëkundur. Përpara se Pjetri të mund të bëhej i palëkundur, ai kishte nevojë të kuptonte se sjellja e tij nuk kishte treguar as besim të patundur dhe as ndonjë masë guximi të rrënjosur në dashurinë e Krishtit.

Do të ketë raste kur, ashtu si Pjetri, ju dhe unë do të ndihemi si të lënë mënjanë, për shkak të dështimeve dhe rrëzimeve tona, apo mosbesimit tonë. Do të ndiejmë dhimbjen e besimit që ka “dalë nga vendi”; do të kemi nevojë që Kirurgu ynë i Madh të vijë dhe ta vendosë dashurinë tonë në vendin e duhur, gjë që me raste do të na shkaktojë dhimbje, mirëpo gjithmonë do të na ripërtërijë. Vini re se në të vërtetë janë zemra e Pjetrit, dashuria dhe përkushtimi i tij, ato për të cilat Jezusi interesohet më shumë. Po, cilësitë e tjera janë të dëshirueshme dhe të nevojshme, mirëpo dashuria jonë për Krishtin është e pazëvendësueshme. Ku qëndron dashuria jonë? Mos vallë është ndërtuar mbi rërën thithëse apo mbi një shkëmb të patundur?

Megjithatë, ndërkohë që Krishti e vendos dashurinë tonë sërish atje ku duhet të jetë, Ai vazhdon të na besojë punën e mbretërisë. Jezusi ende zgjedh ta përdorë Pjetrin për të ndërtuar kishën e Tij. Sa e habitshme që Jezusi ia besoi “qengjat” e Tij dishepullit që (me përjashtim të Judës) e kishte zhgënjyer më shumë dhe tek i cili ishte hendeku më i madh mes rrëfimit dhe veprimit. Mirëpo sa inkurajues është për ne fakti që Jezusi e bën këtë gjë: sepse nëse Ai ishte i gatshëm për të përdorur dikë si Pjetri, atëherë Ai do të jetë i gatshëm për të përdorur edhe dikë si ju dhe unë. Jezusi zgjodhi t’i jepte Pjetrit përgjegjësi të madhe, mirëpo ajo përgjegjësi kishte për qëllim edhe ta sprovonte Pjetrin. Prova e dashurisë për Jezusin është nëse jeta e personit shfaq bindje dhe veprim. Libri i Veprave të Apostujve tregon se si reagoi Pjetri ndaj sprovës, duke qenë i fuqizuar nga Fryma e Perëndisë.

Historia e Pjetrit, shkëmbit të lëkundur, vazhdon të na kujtojë që Perëndia është një Perëndi i hirit dhe i mundësive të dyta. Dobësitë tona zbulojnë nevojën tonë për një forcë të cilën nuk e kemi në vetvete, një masë pushteti e cila gjendet vetëm te Shkëmbi ynë i madh i Epokave. Prandaj, duke e ditur se një forcë e tillë është e disponueshme te Shpëtimtari që vdiq për ne dhe që na cakton në shërbim të Tij, mund ta nisni ditën dhe të bëni vullnetin e Tij nga dashuria që keni për Të.