“Ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj si Zotit.” EFESIANËVE 5:22
Fjala “nënshtrim” ka prirjen për të shkaktuar lloj-lloj reagimesh negative. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të realitetit që, siç shkroi edhe John Stott-i më shumë se dyzet vjet më parë, “nënshtrimi ndaj autoritetit nuk është në modë sot. Ai shkon plotësisht kundër qëndrimeve bashkëkohore të lejimit dhe të lirisë”. Katër dekadat e ndërmjetme vetëm sa e kanë rritur namin e keq të nënshtrimit, dhe më shumë se kudo tjetër, kjo është shfaqur në martesë.
E megjithatë, ende mbetet i vërtetë fakti që, nëse kuptohet si duhet dhe zbatohet me vend, nënshtrimi qëndron në thelb të marrëdhënieve ashtu siç i themeloi Perëndia. Fëmijët duhet t’u nënshtrohen prindërve të tyre (Efesianëve 6:1), anëtarët e kishës duhet t’u nënshtrohen udhëheqësve të kishës së tyre (Hebrenjve 13:17) dhe, në martesë, bashkëshortet duhet t’u nënshtrohen bashkëshortëve të tyre “si Zotit”. Nënshtrimi ndaj të tjerëve, në varësi të roleve në të cilat jemi thirrur në jetë, është pjesë e pandashme e marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin.
Prandaj, nënshtrimi i një bashkëshorteje ndaj bashkëshortit të saj reflekton qeverisjen hyjnore të martesës nga Perëndia. Por si duhet ta kuptojmë specifikisht këtë mësim? Së pari, udhëzimi që një grua t’i nënshtrohet burrit të saj nuk nënkupton aspak që ajo është inferiore. Bibla është shumë e qartë për faktin që burrat dhe gratë janë të barabartë në dinjitet, pasi si burrat, ashtu edhe gratë janë krijuar në shëmbëllimin e Perëndisë (Zanafilla 1:27). Si besimtarë, ne jemi gjithashtu të barabartë kur bëhet fjalë për shpengimin — dhe ajo barazi dallohet në faktin që jemi bashkëtrashëgimtarë të hirit të Perëndisë (I e Pjetrit 3:7). Pozita jonë si burra dhe gra përpara Perëndisë është tërësisht e barabartë. Dallimi në role nuk nënkupton një dallim në vlerë.
Së dyti, gratë duhet t’u nënshtrohen burrave të tyre, jo të gjithë burrave në përgjithësi. Pali nuk po jep një udhëzim të përgjithshëm në lidhje me vendin që kanë gratë në shoqëri; ai po jep një udhëzim specifik në lidhje me rolin e gruas në familje. Në atë kontekst, dëshira e gruas për t’iu nënshtruar Zotit zbulohet pjesërisht nga nënshtrimi që ajo tregon ndaj bashkëshortit të saj.
Së treti, ky nënshtrim nuk është i njëjtë me bindjen pa kushte. Bashkëshortët nuk duhet t’i shtrëngojnë bashkëshortet e tyre, as nuk duhet t’u bëjnë thirrje për t’u nënshtruar, dhe sigurisht që nuk duhet t’u kërkojnë t’i nënshtrohen asaj që Zoti nuk e ka urdhëruar. Gruaja nuk është në duart e dikujt që ka autoritet ta urdhërojë për çfarë t’i pëlqejë atij. Përkundrazi, një bashkëshort duhet ta “dojë gruan e vet, si vetveten”, duke e dhënë veten e tij për të dhe duke e udhëhequr atë në shenjtëri (Efesianëve 5:33). Nëse je bashkëshort, atëherë duhet theksuar që, nëse në ndonjë pikë të caktuar përpiqesh ta udhëheqësh gruan tënde larg bindjes ndaj Krishtit dhe jo më thellë në atë bindje, gruaja jote nuk është nën asnjë detyrim biblik për të ndjekur udhëheqjen tënde.
Nëse je bashkëshorte, Bibla nuk të thërret të tregosh një bindje pa mend, si prej skllaveje. Përkundrazi, nënshtrimi yt duhet të jetë një shfaqje e gëzueshme besnikërie dhe një përkushtim për të ndjekur udhëheqjen e burrit tënd, si pjesë e një partneriteti të ndërsjellë që kërkon lavdinë e Perëndisë në gjithçka. Duke qenë me gjithë zemër dhe pa asnjë hezitim, ky lloj nënshtrimi është i mundur vetëm nga aftësia që të jep Perëndia, që kështu t’i bësh burrit tënd “të mira… dhe jo të këqija tërë ditët e jetës [sate]” (Fjalët e Urta 31:12). Sigurisht që ky nënshtrim biblik nuk është në modë. Shpesh nënshtrimi nuk është i lehtë. Mirëpo, në sytë e Perëndisë dhe përpara popullit të Tij, nënshtrimi është i bukur.
