“…duke iu nënshtruar njëri-tjetrit në frikën e Krishtit.” EFESIANËVE 5:20-21
Njerëzit i nënshtrohen njëri-tjetrit për shumë arsye — mbi bazën e strukturave politike ose shoqërore, ose edhe mbi bazën e pragmatizmit. Ndonjëherë është shumë më e lehtë (dhe sigurisht edhe më e mirë!) që thjesht t’u nënshtrohesh njerëzve, sesa të rrezikosh të dukesh i vrazhdë ose konfrontues.
Megjithatë, asnjëra prej këtyre arsyeve nuk është faktori nxitës për nënshtrimin e krishterë. Përkundrazi, tipari dallues i nënshtrimit tonë ndaj njëri-tjetrit duhet të jetë bërja e kësaj gjëje “në frikën e Krishtit”. Rënia në gjunjë përpara Jezusit na ruan nga të qenët të përqendruar te vetja jonë. Frika e Krishtit nuk na largon vetëm nga vetja jonë; ajo, gjithashtu, na tërheq drejt Jezusit. Tek Ai e dallojmë se si t’i bindemi thirrjes për nënshtrim, sepse Vetë Jezusi na mësoi: “…cilido që të dojë ndër ju për t’u bërë i madh, duhet të jetë shërbëtori juaj… sikurse Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, po për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e vet si shpërblesë në vend të shumë vetave” (Mateut 20:26, 28). Ai jo vetëm që i tha ato fjalë, por edhe i jetoi. Për shembull, mendoni për rastin kur Jezusi u lau këmbët dishepujve të Tij te Gjoni 13. Siç shkruan edhe Gjoni: “Jezusi, duke ditur se Ati ia ka dhënë atij të gjitha në dorë dhe se nga Perëndia doli e te Perëndia po shkonte, u çua prej darkës dhe vuri mënjanë rrobat; dhe si mori një peshqir, ngjeshi veten. Pastaj hodhi ujë në legen dhe filloi të lante këmbët e dishepujve…” (Gjoni 13:3-5). Ç’po ndodhte në këtë rast? Asgjë më pak sesa nënshtrimi i Perëndisë Bir ndaj Perëndisë Atë. Ai që erdhi nga Perëndia dhe që është Perëndi, po e zbraste Veten e Tij “formë të një skllavi duke marrë” (Filipianëve 2:7).
Jezusi nuk erdhi për të bërë vullnetin e Tij, por vullnetin e Atit të Tij (Gjoni 6:38). Si rezultat, Ai i pranoi vështirësitë. Ai u izolua dhe u keqtrajtua. Ai duroi keqdashjen, keqkuptimin dhe vdekjen. Jezusi u thye në mënyrë që jetët tona të thyera të mund të riparohen dhe të transformohen. Ai erdhi për të vdekur në kryq, duke iu nënshtruar vullnetit të Atit, në mënyrë që të mund të siguronte një shpërblesë për të gjithë ata që janë aq të përulur, sa të bien në gjunjë dhe të thonë: “Ky është vetë Shpëtimtari për të cilin kam nevojë.”
Kur e shohim Krishtin ashtu siç është në të vërtetë, nuk ka se si të mos nxitemi për t’iu druajtur Atij. Kë tjetër do të respektojmë dhe do të duam më shumë se Personin e dytë hyjnor të Trinisë, i cili qe i gatshëm për t’u nënshtruar deri në vdekje teksa i bindej Atit të Tij dhe për të mirën e popullit të Tij? Kur i druhemi Krishtit, jemi të gatshëm të kemi të njëjtin qëndrim si Ai: një qëndrim që nuk turret pas dukjes, që nuk përpiqet për autoritet dhe as të kërkojë të drejtat e veta, por një qëndrim që i bindet Perëndisë, duke i nënshtruar interesat tona përpara interesave të vëllezërve dhe të motrave tona.
Ka shumë arsye pse mund të zgjedhim që t’i nënshtrohemi njëri-tjetrit (dhe ka edhe më shumë arsye pse mund të zgjedhim që të mos e bëjmë këtë gjë). Mirëpo sigurohuni që kjo të jetë e vërtetë për ju: që ju u nënshtroheni të tjerëve në kishën tuaj në frikën e Krishtit, i cili iu nënshtrua Atit të Tij dhe, duke vepruar kështu, u bë Shpëtimtari juaj.
