spurgeon dev 29 dhjetor am
December 2023

“Deri këtu ZOTI na ka ndihmuar.”

1 i Samuelit 7:12

Shprehja “deri këtu” ngjason me një dorë treguese drejt së kaluarës. Kanë kaluar njëzet a shtatëdhjetë vjet, e megjithatë “deri këtu ZOTI na ka ndihmuar”. Në varfëri a në pasuri, në lëngata a në shëndet të mirë, brenda apo jashtë vendit, në tokë a në det, në nderim apo në çnderim, mes dilemash, gëzimesh a sprovash, në fitore, në lutje a në tundim, “deri këtu ZOTI na ka ndihmuar”.

Na e ka ënda ta tretim vështrimin përgjatë një shëtitoreje me pemë nga të dyja anët. Është kënaqësi ta soditësh tejetej panoramën e gjerë që duket si një tempull gjelbërosh me shtylla trungjesh dhe harqe gjethesh. Po ashtu, trete vështrimin përgjatë rrjedhës së gjatë të viteve të tua, shiko degët e gjelbëruara të mëshirës sipër kokës sate dhe shtyllat e forta të dashamirësisë e besnikërisë, mbi të cilat mbështeten gëzimet e tua.

A nuk ka vallë zogj që këndojnë në ato degë? Me siguri që ka shumë të tillë, dhe që të gjithë këndojnë për mëshirat e përfituara “deri këtu”. 

Mirëpo, këto fjalë tregojnë gjithashtu për gjërat që gjenden përpara nesh. Sepse kur dikush arrin deri në njëfarë pike dhe shkruan “deri këtu”, ai nuk ka arritur ende deri në fund; ka ende shumë rrugë për të bërë. Mbeten ende më shumë sprova dhe më shumë gëzime; më shumë tundime dhe më shumë ngadhënjime; më shumë lutje dhe më shumë përgjigje lutjesh; më shumë mundime dhe më shumë forcë; më shumë beteja dhe më shumë fitore; dhe pastaj ai përballet me sëmundjet, pleqërinë, lëngatat dhe vdekjen. A mos vallë ka mbaruar gjithçka atëherë? Jo! Pastaj vjen ringjallja në ngjashmëri me Jezusin; pa vijnë fronet, harpat, këngët, psalmet, veshjet e bardha, fytyra e Jezusit, shoqëria e shenjtorëve, lavdia e Perëndisë, plotësia e përjetësisë dhe lumturimi pa mbarim. Merr zemër, besimtar, dhe me besim mirënjohës ngrije flamurin tënd, sepse—

Ai që të ka ndihmuar deri këtu
Do të të ndihë gjatë gjithë udhës tutje-tëhu.

Ç’pamje e lavdishme dhe e mrekullueshme do të shfaqet përpara syve të tu mirënjohës kur t’i lexosh fjalët “deri këtu”në dritën e qiellit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin