Të qëndrojnë në besim.
Vepra e Apostujve 14:22
Këmbëngulja është shenja dalluese e shenjtorëve të vërtetë. Jeta e krishterë nuk është vetëm një fillim në udhët e Perëndisë, por edhe vazhdimi në të njëjtat udhë, derisa besimtari të japë shpirt. Për të krishterin vlejnë fjalët e thëna dikur nga i madhi Napoleon, i cili tha: “Fitorja më ka bërë atë që jam, dhe fitorja më mban gjallë.” Kështu, pas Perëndisë, i dashur besimtar në Zotin, ngadhënjimi të ka bërë atë që je tani, dhe ai do të të mbajë ashtu si je. Motoja jote duhet të jetë: “Syno për më lart!”. Fitimtari i vetëm i vërtetë që do të kurorëzohet në fund, është ai që vazhdon të luftojë derisa briri i luftës të ketë pushuar së rëni.
Për pasojë, këmbëngulja është shënjestra e të gjithë armiqve tanë frymërorë.
Bota nuk ka asnjë kundërshtim që ti të jesh i krishterë vetëm për njëfarë kohe, nëse mund të të tundojë që ta braktisësh shtegtimin tënd dhe të qëndrosh për t’u marrë me tregti me të në Panairin e Kotësive.
Mishi do të orvatet të të ngrejë kurth dhe të ta presë rrugën drejt lavdisë. “Të qenët shtegtar është punë e lodhshme dhe më bën të pyes veten: A duhet vërtet që ta mohoj gjithmonë veten? A nuk duhet që t’ia plotësoj ndonjëherë dëshirat vetes? A nuk mund të bëj pak pushim në këtë luftë të vazhdueshme?”
Satani do ta sulmojë sa e sa herë këmbënguljen tënde; ajo do të jetë shënjestra e shigjetave të tij. Ai do të orvatet të të pengojë në shërbesë: ai do të të shtyjë të besosh se ke punuar kaq shumë, saqë tani të duhet pak pushim. Ai do të orvatet të të bëjë që ti të lodhesh nga vuajtja; do të të pëshpëritë në vesh: “Mallko Perëndinë dhe vdis!”. Ose përndryshe do të sulmojë qëndrueshmërinë tënde: “Ç’të mirë ke nga të qenët kaq i zellshëm? Rri rehat dhe fli siç bëjnë të tjerët, dhe lëre llambën tënde të shuhet, porsi ato virgjëreshat budallaqe!”. Ose përndryshe do të sulmojë ndjenjat e tua rreth doktrinës: “Përse vazhdon t’u qëndrosh besnik këtyre kredove doktrinore? Njerëzit e zgjuar kanë zënë e po bëhen më liberalë; ata po heqin dorë nga shpalljet e vjetra të besimit: ec edhe ti me hapin e kohës!”.
Prandaj, o i krishterë, mbaje shqytin pranë parzmores sate dhe klithi me të madhe Perëndisë, që të mund të rezistosh deri në fund me anë të Frymës së Tij!
© dritez.al 2024