dhjetor 26

Dhjetor 2022


Pas humbjes së dhjetë fëmijëve të tij nga një fatkeqësi natyrore (Jobi 1:19), Jobi tha: “ZOTI ka dhënë dhe ZOTI ka marrë. Qoftë i bekuar emri i ZOTIT” (Jobi 1:21). Në fund të librit, shkrimtari i frymëzuar  konfirmon se Jobi e kishte kuptuar atë që kish ndodhur. Ai thotë se vëllezërit dhe motrat e Jobit “i dhanë zemër dhe e ngushëlluan për të gjitha fatkeqësitë që ZOTI kishte dërguar mbi të” (Jobi 42:11).

Kjo ka disa rrjedhoja të rëndësishme për ne–këtu gjejmë mësime në pragun e vitit të ri–teksa mendojmë për fatkeqësitë në botë dhe në jetën tonë–si shkatërrimi i madh që ndodhi më 26 dhjetor 2004, në Oqeanin Indian–një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse që është regjistruar ndonjëherë, me 1.7 milionë njerëz që mbetën të pastrehë, gjysmë milioni të tjerë u lënduan dhe më shumë se 230,000 vdiqën.

Mësimi 1. Fjalën e fundit nuk e ka Satani, por Perëndia.

Satani kishte gisht në mjerimin e Jobit, por ai nuk e kishte fjalën e fundit. Perëndia i dha leje Satanit që ta lëndonte Jobin (Jobi 1:12; 2:6). Por Jobi dhe shkrimtari i këtij libri e trajtojnë Perëndinë si shkakun vendimtar. Kur Satani e goditi Jobin me ulcera, Jobi i tha gruas së tij: “Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen” (Jobi 2:10), dhe shkrimtari i quan ulcera satanike “fatkeqësitë që ZOTI kishte dërguar mbi të” (Jobi 42:11). Pra, Satani është real. Satani sjell mjerim, por ai nuk është autoriteti më i lartë apo vendimtar. Ai është i lidhur me një zinxhir. Nuk shkon dot më larg nga sa Perëndia ia lejon.

Mësimi 2. Edhe nëse Satani e shkaktoi cunamin në Oqeanin Indian një ditë pas Krishtlindjes, në 2004-rën, ai nuk është shkaku vendimtar i më shumë se 200,000 vdekjeve; Perëndia është shkaku vendimtar.

Te Jobi 38:8 dhe 11, Perëndia shpall se ka pushtet mbi cunamet kur i bën Jobit pyetjen retorike: “Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës... dhe thashë: ‘Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!’” Psalmi 89:8-9 thotë: “O ZOT... Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.” Dhe Jezusi vetë sot ka të njëjtin kontroll si dikur mbi kërcënimin vdekjeprurës të valëve: “Ai... e qortoi erën dhe tërbimin e ujit; dhe ata pushuan dhe u bë bunacë” (Luka 8:24). Me fjalë të tjera, edhe nëse Satani ishte ai që e shkaktoi tërmetin, Perëndia mund t’i kishte ndaluar valët. Por Ai nuk e bëri.

Mësimi 3. Fatkeqësitë shkatërrimtare që ndodhin në këtë botë, kanë një përzierje gjykimi dhe mëshire.

Qëllimet e Perëndisë nuk janë të thjeshta. Jobi ishte një burrë i perëndishëm dhe mjerimet e tij nuk ishin ndëshkim nga Perëndia (Jobi 1:1, 8). Qëllimi i tyre ishte pastrues, jo ndëshkues (Jobi 42:6). Jakobi 5:11 thotë: “Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe keni parë ç’bëri në fund Zoti; sepse Zoti është plot përdëllim e dhembshuri.”

Por ne nuk e dimë gjendjen frymërore të fëmijëve të Jobit, të cilët vdiqën. Sigurisht që Jobi ishte i shqetësuar për ta (Jobi 1:5). Perëndia mund t’ua ketë marrë jetën në gjykim. Ne nuk e dimë.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë e njëjta fatkeqësi del në fund si mëshirë për Jobin dhe gjykim për fëmijët e tij. Ky qëllim i dyfishtë është i vërtetë për të gjitha fatkeqësitë. Ato përzihen me gjykim dhe mëshirë. Ato janë njëkohësisht ndëshkim dhe pastrim. Vuajtja dhe madje vdekja mund të jenë si gjykim ashtu edhe mëshirë në të njëjtën kohë.

Shembulli më i qartë për këtë është vdekja e Jezusit. Ajo ishte njëkohësisht gjykim dhe mëshirë. Ishte gjykim mbi Jezusin, sepse Ai mbarti mëkatet tona (jo të tijat), dhe ishte mëshirë ndaj nesh që i besojmë Atij të mbajë ndëshkimin tonë (Galatasve 3:13; 1 e Pjetrit 2:24) dhe të jetë drejtësia jonë (2 e Korintasve 5:21).

Një shembull tjetër është mallkimi dhe mjerimet që kanë ardhur mbi këtë tokë për shkak të rënies në mëkat të Adamit dhe Evës. Ata që nuk besojnë kurrë në Krishtin, e përjetojnë këtë si gjykim, por besimtarët e përjetojnë si gjë të mëshirshme, edhe pse e dhimbshme–një përgatitje për lavdi. “Sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë” (Romakëve 8:20-21). Këtë nënshtrim e bën Perëndia. Ja pse ka cuname. Por ky nënshtrim ndaj kotësisë është “me shpresë”.

Mësimi 4. Zemra që Krishti i jep popullit të Tij, ndien dhembshuri për ata që vuajnë, pavarësisht besimit të tyre.

Kur Bibla thotë: “Qani me ata që qajnë” (Romakëve 12:15), ajo nuk shton: “veçse po ta ketë shkaktuar Perëndia të qarët.” Ngushëlluesit e Jobit do të kishin bërë më mirë të qanin me Jobin sesa të flisnin aq shumë. Në fund të fundit, kjo nuk ndryshon kur zbulojmë se vuajtja e Jobit ishte nga Perëndia. Jo, është e drejtë të qajmë me ata që vuajnë. Dhimbja është dhimbje, pavarësisht se kush e shkaktoi. Të gjithë jemi mëkatarë. Ndjeshmëria nuk rrjedh nga shkaqet e dhimbjes, por nga shoqëria gjatë dhimbjes. Ne të gjithë jemi pjesëtarë së bashku në dhimbje.

Mësimi 5. Së fundi, Krishti na bën thirrje të tregojmë mëshirë ndaj atyre që vuajnë, edhe nëse ata nuk e meritojnë.

Ky është kuptimi i mëshirës–ndihmë e pamerituar. “Duajini armiqtë tuaj; bëjuni të mirë atyre që ju urrejnë” (Luka 6:27). Kështu na trajtoi dhe Krishti (Romakëve 5:10), duke vdekur për ne kur ishim armiqtë e Tij. Me anë të asaj fuqie dhe duke ndjekur atë shembull, edhe ne bëjmë të njëjtën gjë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia