“Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!” PSALMI 32:1
Disa vjet më parë, rrjeti BBC bëri një anketë në 65 vende të botës dhe raportoi se cilat prej tyre ishin më të lumturat dhe cilat ishin më pak të lumturat. Kur i pyesnin personat se çfarë ua shtonte gëzimin, nuk kishte një dakordësi të qartë mes tyre. Shtegu drejt lumturisë ishte i pakapshëm.1
Në versionin ESV të Biblës në anglisht, Psalmi 32 fillon me fjalën “i bekuar”, mirëpo “i lumtur [lum]” mund të jetë përkthimi më i përshtatshëm dhe më shprehës. Në fakt, e njëjta fjalë hebraike që përdoret këtu, në vende të tjera shpesh përkthehet me fjalën greke për “lum”, si te Septuaginta (përkthimi në greqisht i Besëlidhjes së Vjetër), ashtu edhe në Besëlidhjen e Re. Kjo fjalë përdoret në fillim të Predikimit në Mal, ku Jezusi nisi t’u fliste ndjekësve të Tij duke u thënë atyre: “Lum të varfrit në frymë, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve” (Mateut 5:3).
Shumë nga ne do të donin të ishin më të lumtur se ç’janë. Mirëpo si? Disa mendojnë se po të kishin mundësi për të udhëtuar më tepër, do të ishin të kënaqur. Disa të tjerë mendojnë në terma edhe më madhështorë: për shembull, duke bërë drejtësi në pjesën e tyre të botës, ata do të ishin më të lumtur. Të tjerë arsyetojnë se gëzimi do të gjendet në vlerësimin e bukurisë së krijimit ose në eksplorimin e përshpirtshmërisë. Megjithatë, ne ballafaqohemi vazhdimisht me faktin se ka diçka që i prish nismat tona dhe zë vend si pluhuri mbi të gjitha ëndrrat tona. Lumturia që vjen nga gjëra të tilla, është gjithmonë e brishtë; ajo prishet lehtësisht dhe s’mund të zgjatë. Rendja pas lumturisë ose përpjekja për t’u mbajtur fort pas saj kthehet në një barrë.
Kërkimi ynë për një lumturi që zgjat, vazhdon të jetë i kotë për aq kohë sa ne dështojmë të shohim aty ku psalmisti thotë se duhet të gjendet në realitet: në një marrëdhënie me Perëndinë tonë Krijues, e cila nis me faljen. Mund të mos na shkojë mendja për ta kërkuar aty, pasi na duket si një paradoks që ta gjejmë lumturinë, më së pari, duke konsideruar seriozitetin e shkeljeve tona, si dhe nevojën tonë për falje. Mirëpo fjala hebraike për “i falur”, në fakt, do të thotë “i ngritur” ose “i hequr”. Lumturia dhe paqja që dëshirojmë, vijnë vetëm kur barra e mëkatit hiqet tej. Dhe pastaj jemi të lirë për të shijuar gjithçka që na ofron jeta, pa pritur që njerëzit apo gjërat e krijuara të mbajnë peshën e të qenët burimi i gëzimit tonë përfundimtar.
Kjo e vërtetë ishte përjetimi i Agustinit. Ai e kaloi pjesën e parë të jetës së vet me një përkushtim të shfrenuar ndaj kënaqjes së çdo dëshire. Pastaj, pasi lexoi Biblën dhe u takua me Perëndinë në fjalën e Tij, Ai doli nga mjegulla ku gjendej dhe më vonë shkroi: “O Perëndi, zemrat tona nuk gjejnë prehje derisa ta gjejnë atë në Ty.”2 A e beson edhe ti atë që besonte Agustini? Baza për deklaratën e tij gjendet në vargun e parë të psalmit që kemi lexuar. Nuk ka pse të ecësh gjatë shtegut të jetës i rënduar nga mëkati dhe pikëllimi, pasi Perëndia të ka ofruar falje dhe një marrëdhënie me Të përmes Jezusit. Nuk ka pse ta ndjekësh lumturinë ashtu siç e ndjek bota. Kur barrët e tua hiqen dhe e di se Perëndia i njeh edhe anët e tua më të këqija, e megjithatë të do, ti përjeton një lumturi fenomenale dhe që zgjat.