spurgeon dev 21 maj pm
Maj 2023

“Dëgjova se në Egjipt ka grurë.”

Zanafilla 42:2

Të gjitha kombet vuanin nga zia e bukës, dhe dukej e pashmangshme që edhe familja e Jakobit do të vuante nga uria e madhe. Mirëpo, Perëndia i provanisë, i cili nuk i harron kurrë përfituesit e dashurisë së zgjedhjes [hyjnore], kishte ruajtur një grunar për të Vetët, duke i dhënë egjiptasve një paralajmërim për kohët e vështira [që do të vinin] dhe duke i drejtuar ata që të hiqnin mënjanë drithin e viteve të bollëkut. Jakobit as që i shkonte mendja se shpëtimi do t’i vinte nga Egjipti, por atje gjendeshin rezerva drithi për të. 

Besimtar, megjithëse sot mund të të duket se gjithçka është ngritur kundër teje, mos e humb toruan, sepse Perëndia e ka vënë mënjanë një rezervë për ty; madje edhe në aktin e vuajtjeve të tua gjendet një klauzolë shpëtimi! Nuk dihet se si, por në njëfarë mënyre, Ai do të të shpëtojë dhe diku, Ai do të sigurojë për ty. Shpëtimi yt mund të vijë nga një burim prej të cilit ti nuk e pret aspak, por ndihma do të të jepet pikërisht atëherë kur nevoja të jetë më e madhe, dhe ti do të lartësosh emrin e Zotit. Nëse nuk do të vijë njeri të të ushqejë, këtë do ta bëjnë korbat; dhe nëse toka nuk do të prodhojë drith, mana do të bjerë nga qielli për ty.

Prandaj, mos e humb toruan dhe prehu qetësisht në Zotin! Perëndia mund ta bëjë edhe diellin të lindë në perëndim, nëse dëshiron, po ashtu mund ta kthejë burimin e shqetësimeve në një përrua kënaqësish. Tërë drithi i Egjiptit ishte në duart e shumë të dashurit Jozef; madje ai mund t’i hapte dhe t’i mbyllte hambarët sipas dëshirës. Po kështu, edhe pasuritë e provanisë janë të gjitha nën kontrollin absolut të Zotit Jezus, i cili do t’ia shpërndajë ato bujarisht popullit të Vet. Jozefi ishte më shumë se i gatshëm që ta ndihmonte familjen e vet; po ashtu edhe Jezusi është i palodhur në kujdesin e tij besnik për vëllezërit e Vet.

Përgjegjësia jonë është të marrim ndihmën që na ofrohet: nuk duhet të qëndrojmë duarkryq e fytyrëngrysur, por duhet të lëvizim. Lutja do të na çojë sakaq në praninë e Vëllait tonë mbretëror. Kur të paraqitemi përpara fronit të Tij, mjafton që të kërkojmë dhe do të na jepet. Depozitat e Tij nuk kanë shteruar; ka gjithmonë drithë: Ai nuk e forcon [kurrë] zemrën; Ai do të na japë drithë [sa herë t’i kërkojmë]. Zot na fal për mosbesimin tonë dhe shtrëngona sonte, që të marrim hir përmbi hir nga plotësia Jote!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>