“Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: ‘Ne jemi dëshmitarë…’ Kështu Boazi e mori Ruthin, që u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe ZOTI i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë.” RUTHI 4:11, 13
Në kohët biblike, porta e qytetit ishte pika kryesore ku zhvilloheshin veprimtaritë publike dhe shërbente njëherazi si një vend për të bërë tregti, por edhe si qendra e trajtimit të çështjeve shoqërore. Atje mblidheshin tregtarë, lypësa, zyrtarë të qytetit, udhëhe qës fetarë dhe shumë të tjerë, për të bërë tregti, për të zbatuar ligjin, për të marrë lëmoshë, për të bërë pazar dhe për të kaluar kohë me shoqërinë. Në atë vend plot me turma shkoi Boazi
për ta shpallur publikisht përkushtimin e tij për t’u martuar me Ruthin. Ajo martesë na ndihmon të mendojmë në lidhje me përkufizimin biblik për martesën.
Së pari, martesa biblike duhet të përfshijë dashuri të përkushtuar. Një dashuri e tillë nuk bazohet vetëm në emocione ose rrethana, por vazhdon të jetë thellësisht e rrënjosur dhe e pakushtëzuar përmes të gjitha stinëve dhe situatave të ndryshme të jetës. Kjo gjë reflektohet në betimet që kisha përdor sot në ceremonitë e martesës — përkushtim në të mirë dhe në të keq, në pasuri dhe në varfëri, në sëmundje dhe në shëndet.
Së dyti, martesa përfshin dëshmitarë të përkushtuar. Kur një burrë dhe një grua martohen, ata bëhen një trup në një besëlidhje dashurie dhe kujdesi. Si njerëz të gabueshëm, ne kemi nevojë që të tjerët të na mbajnë përgjegjës ndaj këtij përkushtimi. Ja pse ceremonitë e martesës duhet të kenë të paktën një dëshmitar që të dëshmojë formimin e një bashkimi të ri, të një familjeje të re. Boazi e zbatoi këtë gjë te porta e qytetit, ku një turmë njerëzish dhe pleqtë e qytetit u bënë dëshmitarë të betimit të tij për ta marrë Ruthin si gruan e tij. Kështu, ata mund ta mbanin përgjegjës për fjalën e dhënë.
Së treti, martesa e perëndishme duhet të ketë përbashkësi të përkushtuar. Perëndia ka për qëllim që martesa të reflektojë thellësinë gjithnjë e në rritje të intimitetit që ne përjetojmë me Të si nusja e Tij e dashur. Marrëdhënia personale mes burrit dhe gruas duhet të thellohet në martesë, ndër të tjera, edhe përmes intimitetit seksual. Një bashkim i tillë fizik duhet të ndodhë vetëm brenda kontekstit të një marrëdhënieje të përkushtuar, të dashur dhe të njohur publikisht. Përpjekja për ta izoluar përkushtimin fizik të martesës nga aspektet emocionale, psikologjike, frymërore dhe intelektuale është tallje e rëndë me planin e Perëndisë.
Pjesa më e madhe e perceptimit që ka bota për dashurinë dhe martesën as që mund të krahasohet me bukurinë dhe dobinë e një bashkimi heteroseksual dhe monogam, të qëndrueshëm, besnik dhe të përkushtuar. Kur e shohim çdo tipar të kësaj besëlidhjeje të jetuar në praktikë, ne po shohim një copëz të pasurive të përkushtimit të Dhëndrit tonë qiellor ndaj kishës së Tij (Efesianëve 5:22-27). Martesa e krishterë është një bekim në vetvete dhe një portret i atij realiteti edhe më të madh. Asnjë martesë tjetër, përveç asaj martese të madhe, nuk është e përsosur, mirëpo çdo martesë mes besimtarëve duhet të përpiqet që ta pasqyrojë atë. Sigurohu që, në mënyrën se si mendon, flet, lutesh dhe sillesh në lidhje me martesën (qoftë martesa jote apo martesat e tjera rreth teje), të lartësosh përkufizimin biblik dhe ta jetosh atë në praktikë.