“Fqinjet i vunë një emër dhe thoshin: ‘I lindi një djalë Naomit!’. E quajtën Obed. Ai qe ati i Isait, ati i Davidit.” RUTHI 4:17
Historia ka rëndësi. Historia jote ka rëndësi. Ti je ai që je, në njëfarë mase të konsiderueshme, për shkak të faktit se kush ishin prindërit e tu, kush ishin gjyshërit e tu, e kështu me radhë. Në mënyrë të pashmangshme, ti dhe unë jemi produkt i prejardhjes sonë — dhe, si rezultat, ne jemi dëshmi e gjallë e provanisë së Perëndisë, e cila na ka sjellë në këtë vend dhe në këtë çast.
Kur Ruthi lindi Obedin, nipin e Naomit, nuk kishte nga ta dinte atë që tregimtari i thotë lexuesit: Obedi do të ishte gjyshi i Davidit, Mbretit të madh — dhe, si rrjedhim, ai do të ishte paraardhësi i Jezusit. Mirëpo sigurisht që Perëndia e dinte; prandaj, këtu shohim planin shpengues të Perëndisë në veprim. Ruthi dhe familja e saj as nuk ishin zënë në kthetrat e forcave të verbra dhe as nuk kishin humbur në detin e rastësisë. Lindja e Obedit ishte një kujtesë tjetër që Perëndia kujdeset, Perëndia sundon, Perëndia siguron dhe Ai është gjithmonë duke punuar në prapaskenën e zgjedhjeve njerëzore, në kthesat dhe në ndryshimet e jetës, duke i përmbushur qëllimet e Tij.
Ky është misteri i gjithë historisë: Perëndia i ka thurur bashkë të gjitha elementet e së shkuarës, pavarësisht se ato janë të veçuara dhe të dallueshme, për të na shtyrë dhe për të na drejtuar te ky lloj njeriu që jemi tani dhe në këtë vend ku gjendemi tani. Edhe para se zemrat tona foshnjore ta kuptonin se çfarë po ndodhte, Perëndia po siguronte në mënyrë të hirshme dhe me mëshirë për ne — nënat që na ushqyen, miqtë e familjes që u kujdesën për ne ose gjyshërit që na u gjendën pranë.
Që nga çasti kur u ngjizët në barkun e nënës suaj, Perëndia ju ka ruajtur dhe ju ka drejtuar, madje edhe gjatë ditëve më të errëta. Ti dhe unë nuk jemi një grumbull i rastësishëm molekulash. Ne jemi krijime hyjnore dhe Perëndia kujdeset për secilin prej nesh. Jo vetëm kaq, por ne, gjithashtu, jemi shpenguar në mënyrë hyjnore. Që nga fillimi, Perëndia ka punuar përmes individëve dhe familjeve, duke formuar një popull që i përket Atij. Nga Zanafilla e deri te Zbulesa, ne shohim copëza të vogla të këtij plani të përjetshëm shpengues. Vetë fakti që Ruthi, një moabite, u përfshi në këtë familje të shpenguar dëshmon për mëshirën sovrane dhe të pakufishme të Perëndisë, në të cilën Ai përdori martesën e saj të pazakontë me Boazin, për të krijuar prejardhjen e Mbretit David dhe të Krishtit Jezus.
Shembuj si ky i Ruthit duhet ta forcojnë besimin tonë në atë që mund të bëjë Perëndia. Ata duhet të na japin guxim për t’u thënë miqve dhe fqinjëve tanë se gjërat e lavdishme dhe tragjeditë që ndodhin në kombin tonë, gëzimet dhe pikëllimet në jetën tonë, si dhe dhimbjet dhe zhgënjimet e jetës familjare, e gjejnë kuptimin e tyre përfundimtar jo në historinë njerëzore ose në biografinë personale, por si pjesë e planit të Perëndisë. Ai e ka bërë të njohur Veten e Tij si të dashur dhe të shenjtë, personal dhe të pafundëm, Krijues dhe Shpengues, Mbajtës dhe Sundues. Ai na ka sjellë në historinë e madhe të shpengimit — në historinë e vetme që do të zgjasë përjetë.
Ky është lajm i mirë! Ky është ushqim për shpirtin tonë kur ditët errësohen dhe kur dyshimet vijnë. Kjo është siguria që Perëndia kurrë nuk do të heqë dorë prej nesh. Kjo i sjell kuptim jetës.