spurgeon dev 18 shtator pm
September 2023

“Dhe më ndjekin.”

Gjoni 10:27

Duhet ta ndjekim Zotin tonë me të njëjtën mungesë ngurrimi që i karakterizon delet tek shkojnë pas bariut të tyre, sepse Ai ka të drejtë të na udhëheqë kudo ku i do zemra. Nuk i përkasim më vetes, sepse u blemë me një çmim—le t’i njohim, pra, të drejtat e gjakut shpengues. Ushtari i shkon pas komandantit të vet, shërbëtori i bindet të zotit, po kështu edhe ne duhet ta ndjekim Shpenguesin tonë, për të cilin jemi një zotërim i blerë. Ne nuk jemi të vërtetë në rrëfimin tonë që jemi të krishterë, po qe se i vëmë në dyshim urdhrat e Udhëheqësit dhe Komandantit tonë.

Detyra jonë është të nënshtrohemi; nëse ankohemi, thjesht tregojmë marrëzinë tonë. Mund të ndodhë që Zoti të na thotë edhe ne si Pjetrit: “...ç’të duhet? Ti ndiqmë!” (Gjoni 21:22). Nuk ka rëndësi se drejt cilit vend na udhëheq Jezusi, pasi Ai shkon përpara nesh. Megjithëse nuk e dimë se ku shkojmë, e dimë se me kë shkojmë. E kush mund t’u druhet rreziqeve të rrugës duke pasur përkrah një shok të tillë? Rruga mund të jetë e gjatë, por krahët e Tij të përjetshëm do të na shpien deri në fund. Prania e Jezusit është siguria e shpëtimit të përjetshëm; për shkak se Ai jeton, edhe ne do të jetojmë. Duhet ta ndjekim Jezusin me thjeshtësi dhe besim, sepse shtigjet nëpër të cilat na udhëheq, përfundojnë që të gjitha në lavdi dhe pavdekësi. Është e vërtetë se mund të mos jenë shtigje të lehta—mund të jenë të mbuluara me sprova të mprehta si stralli; mirëpo, ato të shpien te “qyteti që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia” (Hebrenjve 11:10). Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që e respektojnë besëlidhjen e tij.

Le të kemi besim të plotë tek Udhëheqësi ynë, meqë e dimë se plani i Tij do të realizohet në çdo rrethanë, pavarësisht nëse jemi të pasur apo skamnorë, të sëmurë apo të shëndetshëm, nëse na duan të tërë apo të gjithë na përbuzin, dhe ai plan do të jetë për të mirën e kulluar dhe të vërtetë të çdo trashëgimtari të mëshirës. Për ne do të jetë bukur edhe kur t’i ngjitemi anës së errët të kodrës me Krishtin; madje edhe kur shiu edhe bora të na godasin fytyrën, e shtrenjta dashuri e Tij do të na bekojë shumë më tepër sesa ata që qëndrojnë brenda shtëpive të tyre dhe ngrohin duart në zjarrin e botës. Kur Jezusi të na tërheqë, ne do të rendim pas Tij. Pavarësisht se ku na udhëheq, ne e ndjekim Bariun.


© dritez.al 2024

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin