spurgeon dev 18 maj am
Maj 2023

“Sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë. Dhe ju keni marrë plotësinë në të.”

Kolosianëve 2:9-10

Të gjitha atributet e Krishtit, qoftë si Perëndi, ashtu edhe si njeri, janë vënë në dispozicionin tonë. E gjithë plotësia e Hyjnisë, çfarëdo kuptimi që të përfshijë kjo fjalë e mrekullueshme, është e jona për të na bërë të plotë. Ai nuk i ndan dot me ne atributet e Hyjnisë; por ka bërë gjithçka që mund të bëhej, sepse e ka vënë madje edhe fuqinë e Tij hyjnore në dispozicion të shpëtimit tonë. Gjithëfuqishmëria, gjithëdijshmëria, gjithëprania, pandryshueshmëria dhe pagabueshmëria e Tij janë që të gjitha të kombinuara për mbrojtjen tonë.

Ngrihu, o besimtar, dhe vështroje Zotin Jezus tek e mbreh plotësinë e Hyjnisë së Vet në qerren e shpëtimit tënd! Sa i gjerë është hiri i Tij, sa e fortë besnikëria e Tij, sa e qëndrueshme pandryshueshmëria e Tij, sa e pafund fuqia e Tij dhe sa e pamasë dija e Tij! Të gjitha këto, Zoti Jezus i ka kthyer në shtyllat e tempullit të shpëtimit; dhe të gjitha, pa u pakësuar aspak në pafundësinë e tyre, na janë dhënë me besë a besë si trashëgimi e përjetshme. Dashuria e pamasë në zemrën e Shpëtimtarit tonë është e jona fillim e mbarim, ashtu siç janë tonat, duke u vënë në dispozicionin tonë, çdo muskul i krahut të Tij të fuqishëm, çdo xhevahir i kurorës së Tij mbretërore, pambarimësia e dijes hyjnore dhe rreptësia e drejtësisë hyjnore.

I gjithë Krishti, në karakterin e Tij të adhurueshëm si Bir i Perëndisë, na është dhënë me dëshirë e vullnet të plotë, për t’u gëzuar sa më shumë që të jetë e mundur. Urtësia e Tij është udhërrëfyesi ynë, dija e Tij mësuesi ynë, fuqia e Tij mbrojtja jonë, drejtësia e Tij garancia jonë, dashuria e Tij ngushëllimi ynë, mëshira e Tij përdëllimi ynë dhe pandryshueshmëria e Tij vetëbesimi ynë. Ai nuk ruan asnjë rezervë, por i hap para nesh të gjitha skutat e Malit të Perëndisë dhe na fton që të gërmojmë nëpër zgafellet e tij, në kërkim të thesareve të fshehura. “Të gjitha pa përjashtim janë tuajat”, na thotë Ai, “ jeni të ngopur me favore dhe të mbushur me bekime të Zotit.” Oh, sa bukur është ta vështrosh kështu Jezusin dhe t’i drejtohesh Atij me besimin e sigurt se, duke kërkuar ndërhyrjen e dashurisë apo pushtetit të Tij, ne thjesht po kërkojmë atë që Ai tashmë ka premtuar besnikërisht [se do të na e japë].


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>