spurgeon dev 18 maj pm
Maj 2023

…më pas…

Hebrenjve 12:11

Sa të lumtur do të jenë të krishterët e sprovuar, më pas! Nuk ka qetësi më të thellë sesa ajo që vjen pas furtunës. Kush nuk ka ngazëllyer në vezullimet dritëplota pas shiut?

Gostitë e fitores janë për ushtarët e sprovuar ndër beteja. Pasi vrasim luanin, hamë mjaltin [nga hualli i tij]; pasi i ngjitemi Kodrës së Vështirësisë,1 ulemi poshtë një peme për të pushuar; pasi kemi kaluar Luginën e Poshtërimit dhe pasi kemi luftuar me Apolionin, na shfaqet i ndritshmi, [duke mbajtur në dorë] degën shëruese nga pema e jetës. Vuajtjet tona, ashtu si gjurma e anijes mbi det, lënë pas vetes një shirit të argjendtë drite të shenjtë, “më pas”. Është paqja, paqja e ëmbël dhe e thellë, që pason rrëmujën e hatashme, e cila dikur mbretëronte në shpirtrat tanë të munduar dhe fajtorë.

Konsideroje, pra, gjendjen e lumtur të një të krishteri! Atij i bien për hise gjërat më të mira në fund fare, prandaj, në këtë botë, ai merr, së pari, gjërat e tij më të këqija. Mirëpo, edhe gjërat e tij më të këqija kthehen “më pas” për të në gjëra të mira, ashtu sikundër lërimi i lodhshëm i tokës sjell të korra të gëzueshme. Madje që tani, ai pasurohet me anë të humbjeve, ngrihet me anë të rrëzimeve, jeton duke vdekur dhe mbushet duke u boshatisur. Pra, nëse vuajtjet e tij të mëdha i falin kaq shumë fryte paqeje në këtë jetë, sa më e madhe do të jetë vallë e korra e plotë e gëzimit “më pas” në qiell? Në qoftë se netët e tij të errëta janë aq të ndritshme sa ditët e kësaj bote, sa shumë do të vezullojnë ditët e tij? Në qoftë se edhe drita e yjeve të tij është më rrëzëlluese sesa dielli, sa fort do të ndriçojnë rrezet e diellit të tij? Në qoftë se këndon kur e kanë mbyllur në birucë, sa e ëmbël do të jetë kënga e tij kur të jetë ngjitur në qiell? Në qoftë se e lavdëron Zotin mes zjarreve, sa më shumë do ta lartësojë Atë përpara fronit të përjetshëm? Në qoftë se e keqja është për të një gjë e mirë tani, sa më e madhe do të jetë mirësia e pambarimtë e Perëndisë për të më pas? 

Oh, sa e bekuar është kjo “më pas”! Kush nuk do të donte të ishte i krishterë? Kush nuk do ta përballonte kryqin e tanishëm për kurorën që vjen më pas? Mirëpo, këtu poshtë nevojitet shumë durim, sepse prehja nuk është për të sotmen dhe as ngadhënjimi nuk është për të tashmen, por për “më pas”. Prit, o shpirti im, dhe lëre durimin ta përfundojë veprën e tij të përsosur!

1) Udhëtari


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>