Qershor 2022
Shenja e parë e një zemre të drejtë është që ajo dridhet nga fjala e Zotit.
Isaia 66 trajton problemin e disa njerëzve që adhurojnë në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë dhe disa të tjerëve që adhurojnë në një mënyrë që nuk i pëlqen Atij. Vargu 3 përshkruan të ligjtë që sjellin flijimet e tyre: “Kush flijon një ka, është si të vriste një njeri.” Flijimet e tyre janë të neveritshme për Perëndinë—janë njëlloj me vrasjen. Pse?
Në vargun 4, Perëndia shpjegon: “Kur thirra, askush nuk u përgjigj, kur fola, ata nuk më dëgjuan.” Flijimet e tyre ishin të neveritshme për Perëndinë, për shkak se njerëzit ishin të shurdhër ndaj zërit të Tij. Sidoqoftë, çfarë mund të themi për ata, lutjet e të cilëve Perëndia i dëgjoi? Perëndia thotë në vargun 2: “Mbi kë, pra, do ta kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.”
Nga kjo, unë dal në përfundimin se shenja e parë e të drejtëve, lutjet e të cilëve janë kënaqësi për Perëndinë, është që ata dridhen nga fjala e Perëndisë. Këta janë njerëzit mbi të cilët Zoti do të kthejë shikimin e Tij.
Prandaj, lutja e të drejtëve që e kënaq Perëndinë vjen nga një zemër që së pari dridhet në praninë e Perëndisë. Ajo dridhet kur dëgjon fjalën e Perëndisë, për shkak se ndien që është shumë larg idealit të Tij, që është shumë e cenueshme ndaj gjykimit Të tij, që është shumë e pafuqishme dhe i vjen keq për dështimet e veta.
Kjo është pikërisht ajo që tha Davidi në Psalmin 51:17: “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.” Gjëja e parë që e bën një lutje të pranueshme për Perëndinë është thyerja dhe përulësia e atij që lutet. Ata dridhen nga fjala e Tij.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022