“Ti je i mirë dhe bën mirë…” (Psalmet 119:68, Bibla PRO)

Perëndia i gjallë, i vetmi Perëndi, Perëndia që përherë ishte dhe përherë do të jetë, Perëndia në praninë e të cilit jetojmë dhe lëvizim, dhe jemi, është një Perëndi plotësisht, mrekullisht dhe pandryshueshmërisht i mirë.

Siç na thuhet te Psalmet, Ai është “i madh” në mirësi (Psalmet 31:19, Bibla PRO), një ujëvarë bujarie që rrjedh vrullshëm, gjëmimi i së cilës nuk njeh as fillim, as fund. Shijojeni dhe shiheni këtë mirësi sa të doni (Psalmet 34:8), sepse pjesa juaj nuk do të zvogëlohet kurrë dhe horizonti që keni përpara do të vazhdojë të zgjerohet. Perëndia e ngop të lodhurin me të mirën (Psalmet 103:5), e mbush të uriturin me të mira (Psalmet 107:9) dhe e dërgon të mirën që të na ndjekë pas si një qen gjahu, derisa të arrijmë në shtëpinë ku banon Mirësia e përsosur (Psalmet 23:6; 65:4).

Mirëpo, nganjëherë, këto që thamë më sipër duket sikur bien ndesh me përvojën tonë. E kemi shumë të vështirë ta dallojmë mirësinë e Perëndisë. Mbase ju e njihni dhimbjen e dhuratave të mira që i keni humbur ose që nuk i keni pasur ndonjëherë. Fjalët “Perëndia është i mirë” kanë kuptim kur Perëndia jep, por ato janë të vështira për t’u kuptuar kur Ai merr ose lë pa dhënë. Mbase pikërisht tani, fjalët “Perëndia është i mirë” ngjajnë me thënien: “Toka sillet përreth diellit.” Ju i besoni ato, sepse njerëz të tjerë të besueshëm ju kanë thënë se është kështu. Mirëpo ju i besoni ato përkundër perceptimit tuaj.

Psalmet mund të na ndihmojnë në këtë drejtim. Kishte raste kur këngëtarët e tyre thoshin: “Perëndia është i mirë”, edhe pse jeta ishte tmerrësisht e keqe. Atëherë, çfarë kuptimi kishin fjalët “Perëndia është i mirë” për ta? Thirrjen e zemrave të tyre mund ta përshkruajmë në tri mënyra.

“Perëndia më jep të mirën”

Së pari, kur psalmisti thotë: “Perëndia është i mirë”, ajo që ai ka në mendje është “Perëndia më jep të mirën”. Duke qenë Ati i dritave, burimi i lumturive, magazina e thesareve, shpikësi i kënaqësive, Perëndia jep të mira dhe Ai e bën këtë pasurisht.

Këngëtarët e Izraelit jetonin në një botë që kishte në qendër Perëndinë e që qeverisej prej Tij, një botë ku asgjë e mirë nuk vinte rastësisht, dhe për këtë arsye edhe dhuratat më të vogla dhe më të zakonshme të jetës dëshmonin për një mirësi të madhe dhe të jashtëzakonshme. Buka, vaji dhe vera (Psalmet 104:14–15), shirat e butë dhe të korrat e mira (Psalmet 85:12), e gjithë bota që mund të shijohej e shihej (Psalmet 34:8, 10), të gjitha këto ishin për ta dhuratat e një Perëndie shumë të mirë.

Kush tjetër përveç një Perëndie të mirë mund ta krijonte një botë me një bukuri kaq marramendëse? Kush tjetër mund ta krijonte stomakun dhe pastaj të kujdesej që ta mbushte atë ditë për ditë, në mëngjes, drekë dhe mbrëmje? Kush tjetër mund ta pajiste trupin njerëzor me pesë shqisa përmes të cilave mahnitemi pa fund? C. S. Lewis-i thotë se një Perëndi mizor mund “të na ngrejë kurthe dhe të përpiqet të na joshë. Mirëpo kurrë nuk do t’i kishte shkuar mendja të përdorte si karrem dashurinë, të qeshurën, narcisat e verdhë apo një perëndim dielli të akullt” (A Grief Observed, f. 31). Një botë kaq çmendurisht e mrekullueshme sa kjo jona shpall një Perëndi që është edhe më i mrekullueshëm dhe përtej çdo imagjinate.

Për një çast vërini mënjanë dhuratat që ende dëshironi t’i merrni. A mund ta shihni — në kafen tuaj të mëngjesit a në frigoriferin e mbushur plot, a në gjethet e pranverës, a në kopshtin tuaj — se “I mirë është Jahveh-u ndaj të gjithëve, dhe përdëllimet e tij janë mbi të gjitha veprat e tij” (Psalmet 145:9, Bibla PRO)?

“Perëndia vepron të mirën time”

Megjithëkëtë, Perëndia e di se mirësia e Tij e përditshme, mirësia që Ai shpërndan gjatë gjithë ditëve tona, nuk e largon dhimbjen e një të mire të veçantë që nuk është dhënë. Një grua që dëshiron të mbetet shtatzënë, një baba i ri që zbulon se vuan nga një sëmundje e pashërueshme, një njeri i vetmuar që ka nevojë për një shok, të gjithë këta e dallojnë mirësinë e Perëndisë në jetën e tyre, edhe pse dëshirojnë të kenë më shumë të mira. Dhe kështu, ne zbulojmë te Psalmet bindjen se Perëndia jo vetëm që më jep të mira, por edhe vepron të mirën time, edhe përmes gjithë gjërave të këqija që më ndodhin.

“Një botë kaq çmendurisht e mrekullueshme sa kjo jona shpall një Perëndi që është edhe më i mrekullueshëm dhe përtej çdo imagjinate.”

Angazhimin e Perëndisë për të vepruar të mirën tonë e shohim më së qarti në përkushtimin e Tij për të falur më të keqen tonë. Faktikisht, kur psalmistët kremtojnë mirësinë e Perëndisë, ata shpesh e kanë fjalën për mirësinë e hirit të Tij. “Se ti, o Zot, je i mirë dhe falës…” (Psalmet 86:5, Bibla PRO). Përmes Jezusit, Perëndia i kurorëzon kokat tona fajtore me hir dhe na shpëton nga rrëmujat e zullumet që po ne vetë i shkaktojmë (Psalmet 103:4; 107:1–3). Ai na shpengon nga gjërat më të këqija që kemi bërë ndonjëherë.

Dhe në qoftë se Perëndia e veproi të mirën tonë edhe në më të keqen tonë, atëherë Ai do ta veprojë atë kudo gjetkë, madje edhe në ato vende ku duket se mirësia e Tij është zhdukur. Te Psalmi 23, Davidi përshkruan mirësinë e Perëndisë që e ndjek atë, që e shoqëron atë, jo vetëm për ca kohë a nganjëherë, por në “të gjitha ditët e jetës sime” (Psalmet 23:6, Bibla PRO). Kishte ditë kur mirësia e Perëndisë e ndiqte atë në kullotat me bar të njomë dhe ujërave të qeta; kishte edhe ditë të tjera kur e udhëhiqte drejt luginës së hijes së vdekjes; mirëpo, në të gjitha ditët, ajo mirësi e udhëhiqte atë drejt “shtëpisë së Jahveh-ut”, aty ku ai banon për gjithë përjetësinë. Dhe kështu bën mirësia e Perëndisë edhe me ne.

Kur të arrijmë në atë shtëpi dhe të hedhin vështrimin mbi udhën gjarpëruese që kemi përshkuar, do ta shohim qartë se jo vetëm kullotat, por edhe luginat na sollën më afër qiellit; do ta shohim se si mirësia i lidhte bashkë dhëniet dhe marrjet e Perëndisë. Mirëpo, tani për tani, Perëndia na nxit të besojmë atë që nuk jemi të aftë për ta parë, pra, që ajo dorë e cila na çon në tokën e errësirës së thellë, është po e njëjta dorë e mirësisë së Perëndisë që po na çon drejt shtëpisë.

“Perëndia është e mira ime”

Kur themi se Perëndia vepron të mirën tonë, ne shohim me anë të besimit ditën kur do të zbulohet mirësia e pranishme në dhimbjen tonë. Mirëpo, derisa të vijë ajo kohë, i njëjti Perëndi që më jep të mirën dhe vepron të mirën time, është e mira ime. “O shpirti im, i ke thënë Jahveh-ut: ‘Ti je Zoti im, nuk kam të mirë përveç teje’” (Psalmet 16:2, Bibla PRO).

Një nga pohimet më therëse, por njëkohësisht më të bukura, për atë se çfarë është mirësia e Perëndisë, gjendet nga fundi i Psalmit 73. Rruga për të arritur deri aty ishte e dhimbshme dhe torturuese për Asafin, psalmistin, sepse, për shumë ditë të hidhura, ai mund të shihte vetëm të mirat që kishin të tjerët dhe që atij i mungonin, të mira që ai mendonte se Perëndia i kishte rezervuar vetëm për njerëzit e drejtë si ai. Asafit Perëndia nuk i dukej i mirë.

Mirëpo atëherë Asafi hyri “në shenjtëroren e Perëndisë” dhe pa atë që nuk ia kishte zënë syri deri asokohe (Psalmet 73:17, Bibla PRO). Duart e tij, edhe pse mbanin kaq pak dhurata, mbaheshin nga Perëndia: “…unë jam vazhdimisht me ty; më ke kapur nga dora e djathtë. Me këshillën tënde do të më udhëheqësh dhe pastaj në lavdi do të më marrësh” (Psalmet 73:23–24, Bibla PRO). Brenda një çasti, qielli banohej sërish prej Perëndisë të mirësisë befasuese e të pakrahasueshme (Psalmet 73:25).

Në të njëjtin çast, koncepti i tij rreth së mirës pësoi një ndryshim rrënjësor: “Por për mua, afërsia e Perëndisë është e mira ime” (Psalmet 73:28, Bibla PRO). Më përpara, ai do ta kishte mbaruar atë fjali shumë më ndryshe: “Por për mua, e mira është të kem rehati dhe bollëk, respekt dhe një perspektivë të mirë.” Kështu ka ndodhur që zemrat tona kanë gjetur me mijëra mënyra për ta mbyllur atë fjali pa e përmendur fare Perëndinë. Mirëpo, kur shohim dorën që mban tonën, dorë që tashmë ka vraja në të, dhe kur dëgjojmë këshillën që na jep dhe perceptojmë se sa e lavdishme është ajo, ne nuk e mbarojmë dot fjalinë përveçse në mënyrën që e mbaron Asafi: “Por për mua, afërsia e Perëndisë është e mira ime.”

Perëndia,Ati i mirë, Biri i mirë dhe Fryma i mirë. Perëndia, burimi nga i cili rrjedh çdo dhuratë. Perëndia, Ai që na krijoi për të pasur përbashkësi me Të dhe që na shpengoi për t’u gëzuar në Të. Perëndia, vetë përkufizimi i së mirës dhe Ai pa të cilin asgjë nuk është e mirë. Pavarësisht nëse gjendemi nëpër lugina, në mes të territ, në mes të mungesave dhe humbjeve të të dashurve tanë, në qoftë se mund të kemi më shumë nga Perëndia, do të kemi më shumë të mira sesa mund të na ofrojë gjithë dheu përveç Tij (Psalmet 73:25).

Po vjen dita kur do të shijojmë çdo dhuratë të mirë në një botë të re. Mirëpo, tani për tani, vetëm Perëndia e di se cilat dhurata të mira do të na afrojnë tek Ai dhe cilat mund të na largojnë prej Tij. Prandaj, duke qenë Perëndia i mirë që është, Ai rregullon me urtësi masën e përsosur të kënaqësisë dhe të dhimbjes, që të na mbajë pranë Tij, të na zbulojë gjithnjë e më shumë prej Tij dhe që ne të vrapojmë deri në shtëpi, tek Ai.

Scott Hubbard është mësues dhe redaktor përgjegjës pranë shërbesës “Desiring God”, një pastor i kishës “All Peoples Church”, si dhe një i diplomuar pranë Kolegjit dhe Seminarit Bethlehem. Ai dhe gruaja e tij, Bethany, jetojnë bashkë me katër djemtë e tyre në Minneapolis. Lexoni më shumë rreth Scott-it.