“Kush e kontrollon gojën, mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.” FJALËT E URTA 13:3

Puritani Thomas Brooks shkroi dikur: “Metalet i njohim nga tingulli i tyre, ndërsa njerëzit nga e folura.”1

Fjalët rrallëherë janë neutrale. Perëndia dëgjon çdo fjalë që flasim — jeta jonë qëndron e zbuluar përpara Tij dhe Bibla ka një aftësi të mahnitshme për t’i hetuar edhe skutat që ne përpiqemi t’i fshehim nga vetja dhe nga të tjerët.

Secili prej nesh është i ndikuar nga kujtimet e fjalëve që na janë thënë. Ndoshta reflektojmë mbi gëzimin e fjalëve të para të një fëmije ose ende ndiejmë hidhërimin që na shkaktuan fjalët lënduese të një miku. Që nga ditët tona më të hershme, ne mësojmë t’i përdorim fjalët për të lënduar ose për të sjellë gëzim. Mbreti Solomon kishte të drejtë: “Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës…” (Fjalët e Urta 18:21).

Ne të gjithë jemi mëkatarë. Prandaj, fjalët lënduese dalin lehtë nga buzët tona. Ato mund të jenë të pamenduara, si vringëllima e shkujdesur e një shpate, dhe të pamatura në ato raste kur ne përgjigjemi para se të dëgjojmë. Ndonjëherë ne thjesht flasim shumë dhe në mënyrë të pashmangshme themi gjëra të cilat duhet t’i kishim mbajtur përbrenda. Fjalët mund të shkatërrojnë një fqinj, të lëndojnë ndjenjat e një miku dhe t’u vënë zjarrin marrëdhënieve tona me të tjerët. Një fjalë e gabuar mund ta njollosë karakterin e një personi, mund ta prishë reputacionin e dikujt ose mund ta dëmtojë dobishmërinë e jetës së dikujt tjetër për një kohë shumë të gjatë. Ne i dimë të gjitha këto, e megjithatë, sa të vështirë e kemi që ta ruajmë gojën tonë! Sa shpesh e mbyllim gojën kur është tepër vonë dhe këtë e bëjmë vetëm pasi i kemi hapur ato së tepërmi dhe kemi lënduar veten dhe të tjerët.

Nëse do të tregoheshim me të vërtetë të sinqertë në lidhje me gjuhën tonë, ne do t’i lëshonim më shumë pe njëri-tjetrit. Do të ishim shumë herë më seriozë që, me ndihmën e Perëndisë, të kërkonim ta ruanim gojën tonë dhe t’i dëbonim fjalët shkatërruese. Sa shfaqje e bukur hiri që do të ishte kjo për miqtë, për familjen dhe për fqinjët tanë! Jezusi është i vetmi njeri i përsosur; Ai nuk mëkatoi kurrë me fjalët e Tij (Jakobi 3:2). Nëse përpiqemi të jemi si Ai në këtë aspekt, ndoshta do të shohim se më shumë njerëz do të mahniten me fjalët e dhembshura, të buta dhe të mira që dolën nga buzët e Tij (Luka 4:22).

Edhe pse fjalët dhe veprat e tua në vetvete nuk arrijnë asgjë për ty përpara portës së qiellit, ato janë prova që rrëfimi yt i besimit në Zotin Jezu Krisht është i vërtetë. Si do të dukej nëse ti do t’i merrje seriozisht këto fjalë: “…Por çdo njeri të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur, i ngadalshëm për zemërim” (Jakobit 1:19).

  1. “The Unsearchable Riches of Christ”, në The Complete Works of Thomas Brooks, red. Alexander Balloch Grozart (James Nichol, 1866), vëll. 3, f. 178. ↩︎