Foto Artikulli 8 14 Shkurt

Shkurt 2021


Çfarë do të thotë ta konsiderosh gjithçka humbje për hir të Krishtit? Çfarë do të thotë të braktisësh gjithçka për hir të Krishtit?

Pali tha se ai e bën këtë gjë: “Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim” (Filipianëve 3:8). Dhe disa vargje më pas: “Bëhuni imituesit e mi, vëllezër” (Filipianëve 3:17).

Prandaj, ky është një urdhërim për të gjithë besimtarët.

Krishterimi bazë

Ky është kuptimi i të qenët i krishterë. Nuk është dishepullim i avancuar; është krishterim bazë. Kjo gjë konfirmohet edhe në fjalët e Jezusit: “Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:33). Të heqësh dorë prej gjithçkaje që ke është e njëjtë si “t’i konsiderosh si humbje”. Kjo gjë ndodh me kthimin në besim. Nuk mund të jesh dishepull pa këtë. Jezusi e tha edhe këtë.

Ai e përshkruan këtë kthim në besim në një shëmbëlltyrë: “Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë” (Mateu 13:44). Të shesësh me gëzim gjithçka që ke, në mënyrë që të kesh thesarin e mbretërisë është si të thuash përmes një shëmbëlltyre: konsideroje gjithçka si humbje në mënyrë që të fitosh Krishtin.

Prandaj, të bëhesh i krishterë do të thotë të zgjohesh nga verbëria e vdekjes frymërore dhe ta shohësh Jezusin aq të gjithëmjaftueshëm dhe aq gjithëkënaqës sa (1) ta konsiderosh gjithçka si humbje, (2) të heqësh dorë nga të gjitha zotërimet e tua, dhe, me gjuhën e shëmbëlltyrës, (3) të shesësh gjithçka që ke për të zotëruar thesarin e Krishtit.

Si ta konsiderosh gjithçka si humbje

Çfarë do të thotë ta bësh këtë gjë në terma praktikë të përditshëm? Do të thotë të paktën këto katër gjëra:

1. Të heqësh dorë nga gjithçka (ta konsiderosh gjithçka si humbje) do të thotë që, nëse duhet të zgjedhim mes Krishtit dhe gjithçkaje tjetër, ne zgjedhim Krishtin.

Domethënë, edhe pse Perëndia nuk na sjell në çdo çast në krizën e zgjedhjes të kësaj ose të asaj gjëje, ne jemi gati dhe e kemi vendosur në zemrën tonë që, nëse duhet të bëjmë një zgjedhje, ne do të zgjedhim Krishtin.

2. Të heqësh dorë nga gjithçka (ta konsiderosh gjithçka si humbje) do të thotë se do ta trajtojmë gjithçka në mënyra që na tërheqin më pranë Krishtit, që të fitojmë më tepër prej Krishtit dhe ta shijojmë Atë edhe më tepër, nga mënyra se si lidhemi me gjithçka.

Domethënë, ne do të përqafojmë gjithçka të këndshme duke qenë mirënjohës ndaj Krishtit dhe do të durojmë gjithçka që na lëndon duke qenë të durueshëm përmes Krishtit.

3. Të heqësh dorë nga gjithçka (ta konsiderosh gjithçka si humbje) do të thotë se do të përpiqemi t’i trajtojmë gjërat e kësaj bote në mënyra që tregojnë se ato nuk janë thesari ynë, por Krishti është thesari ynë.

Domethënë, nuk do t’i shtrëngojmë shumë gjërat, do t’i ndajmë ato me bujari dhe do t’u japim vlerë gjërave në lidhje me Krishtin. Do të përpiqemi të jetojmë paradoksin e 1 e Korintasve 7:30-31: “Dhe ata [të krishterët] që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim; dhe ata që përdorin nga kjo botë.”

4. Të heqësh dorë nga gjithçka (ta konsiderosh gjithçka si humbje) do të thotë që, nëse humbasim ndonjë apo të gjitha gjërat që kjo botë mund të na ofrojë, nuk do ta humbasim gëzimin, thesarin apo jetën tonëpër shkak se Krishti është gëzimi, thesari dhe jeta jonë.

Domethënë, nuk do të ankohemi, kur të humbasim gjëra të vogla (Filipianëve 2:14), dhe kur të humbasim gjëra të mëdha do të vajtojmë, por jo si ata që nuk kanë shpresë (1 e Thesalonikasve 4:13).

Një vendosmëri e prerë, e gëzueshme dhe përcaktuese

Ky besoj se është kuptimi i asaj se çfarë do të thotë ta gjesh Jezusin si të gjithëmjaftueshëm dhe gjithëkënaqës që (1) ta konsiderojmë gjithçka si humbje (Filipianëve 3:8), (2) të heqim dorë nga të gjitha zotërimet tona (Luka 13:44) dhe (3) të ‘shesim’ gjithçka që kemi, për të zotëruar thesarin e Krishtit (Mateu 13:44).

Askush nga ne nuk e do Krishtin në mënyrë kaq të përsosur, apo të jetojmë kështu vazhdimisht. Të jesh ndjekës i Jezusit, të jesh një i krishterë i vërtetë, do të thotë që këto katër mënyra trajtimi të ‘gjithçkaje’ do të jenë zgjedhja e vendosur, e gëzueshme dhe përcaktuese e jetës tënde.

Këtë gjë duam të nënkuptojmë, kur themi bashkë me Palin: “I konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim.”

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/how-to-count-it-all-as-loss
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon  | Kryeredaktore: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme