“Në gjithçka falënderoni… Tani, vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë tërësisht, dhe e tërë qenia juaj, fryma dhe shpirti, dhe trupi, u ruajttë pa të metë në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.” I SELANIKASVE 5:18, 23-24

Falënderimi nuk është gjithmonë i lehtë, madje edhe atëherë kur, si komb, Shtetet e Bashkuara të Amerikës caktojnë një festë pikërisht për këtë qëllim. Gjatë kësaj feste, shumë prej nesh bëhen thellësisht të vetëdijshëm për rrethana të jetës të cilat nuk na ngjallin ndjenja falënderimi. Disa prej nesh mund të jenë duke u përballur me ditët e vetmisë më të thellë, kurse të tjerë mund të jenë të mbingarkuar me barrën shtypëse të faktit që një i afërm është larguar nga ungjilli. Njerëz të tjerë hyjnë në këtë stinë të vitit shumë të zhgënjyer si pasojë e dështimeve të ndryshme — humbja e një vendi pune, një marrëdhënie e prishur, një ngritje tjetër në detyrë që nuk na u dha. Ndonjëherë shohim se kemi ngecur krejt, pa pasur mundësi për ta nxjerrë veten nga dëshpërimi dhe falënderimi na duket aq shumë larg jetës sonë, sa edhe lindja nga perëndimi.

Kur përballemi me situata të tilla dhe lexojmë “Në gjithçka falënderoni”, ne shpesh vrasim mendjen se si duhet të reagojmë. Megjithatë, Bibla nuk na jep kurrë nxitje pa na ofruar edhe ndihmë.

Përgjigjja për mënyrën se si mund të shfaqim mirënjohje të vazhdueshme gjendet në punën shenjtëruese të Perëndisë brenda nesh. Fjala “shenjtëroj” do të thotë “ta veçosh për Perëndinë”. Kur Zoti Jezu Krisht vjen për të sunduar dhe për të mbretëruar në jetët tona, Fryma e Shenjtë hyn brenda nesh për të prodhuar pastrimin e vazhdueshëm, i cili është i nevojshëm për rritjen frymërore. Puna e Perëndisë është ajo që na aftëson për të qenë ata që Jezusi dëshiron të jemi, “se Perëndia është ai që vepron në ju edhe të dëshiruarit, edhe të vepruarit për pëlqimin e tij” (Filipianëve 2:13). Kur ne qëndrojmë në Krishtin, “të rrënjosur dhe duke u ndërtuar në të” (Kolosianëve 2:7) — duke studiuar Biblën tonë, duke mësuar të lutemi, duke pasur përbashkësi me popullin e Perëndisë, duke u treguar të tjerëve për Të — kujtojmë gjithçka që Ai është për ne dhe gjithçka që Ai ka bërë për ne dhe brenda nesh. Ne mësojmë të këndojmë bashkë me psalmistin: “Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua” (Psalmi 75:1). Cilatdo qofshin keqardhjet dhe zhgënjimet tona, ne jemi në gjendje për të gufuar me falënderim, ndërkohë që kujtojmë veprat e Tij të mrekullueshme — kryqin e Tij, ringjalljen e Tij, lartësimin e Tij, si dhe punën e Tij brenda nesh me anë të Frymës së Tij, për të na sjellë në besim dhe për të na mbajtur në besim.

Sprovat tona mund të jenë të vështira dhe të zymta. Mund të mos ndihemi falënderues në çdo çast. Kjo nuk është problem, sepse nuk është ky qëllimi. Perëndia na aftëson për të qenë falë­nderues pavarësisht nga ndjenjat. Ai na siguron forcën që ne ta përmbushim udhëzimin e Palit.

Nëse tani po përjeton mungesë falënderimi në jetën tënde, atëherë ke nevojë që ta largosh vëmendjen nga rrethanat e tua, të paktën për një çast, dhe të reflektosh mbi dhuratën e dashurisë që të ka dhënë Perëndia. Ndërsa qëndron në Krishtin dhe e lejon Frymën e Perëndisë që të vazhdojë punën e Tij shenjtëruese, Ai do të të gjallërojë nga brendësia e qenies sate, që edhe përmes lotëve, dhimbjes dhe zhgënjimit, të jesh në gjendje për të reaguar kur Ai të thërret: “Ejani, ju njerëz falënderues, ejani.”1

  1. Henry Alford, “Come, Ye Thankful People, Come” (1844). ↩︎