johannes plenio dkix6un55mw unsplash (1)

Shtator 2021


Çfarë iu ndodh emocioneve tona, nëse vërtet besojmë në urtësinë dhe mirësinë sovrane të Perëndisë në mes të përndjekjes së tmerrshme?

Kjo pyetje më vjen për dy arsye.

Njëra është për shkak se vullneti i Perëndisë për emocionet tona është zbuluar në Bibël, dhe tjetra ajo që shoh se po ndodh sot në zemrat e njerëzve të Perëndisë. Këto të dyja nuk janë gjithmonë të njëjta. Një prej synimeve të mia është që t'i ndihmoj shenjtorët e ditëve të sotme që të përjetojmë më tepër nga synimet e Perëndisë për emocionet tona.

Ja cili është shembulli më i fundit i përjetimit tim.

Rifreskuar nga përndjekjet e tmerrshme?

Te Zbulesa 6 Gjoni pa: "shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë." Këta janë martirët për Jezusin në qiell. "Dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: 'Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?'" (vargu 10).

Përderisa ata janë në qiell, atje ku shpirtrat e të drejtëve u bënë të përsosur (Hebrenjve 12:23), ne duhet të jemi të ngadaltë për ta quajtur këtë thirrje të mëkatshme. Por Perëndia i drejton emocionet e tyre nga një rritje urgjence te një përjetim tjetër i zemrës.

Martirëve "iu thanë që të preheshin edhe për pak kohë." Kjo është një fjalë rifreskuese dhe paqtuese nga ana emocionale (anapauō). Mund ta ndiejmë domethënien në këta shembuj:

- “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju jap çlodhje" (Mateu 11:28). - "E freskuan frymën tim dhe tuajin" (1 e Korintasve 16:18). - "Sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë" (Filemonit 1:7). - "Ma përtëri zemrën në Perëndinë!" (Filemonit 1:20)

Por ja se çfarë të godet më shumë nga ana emocionale.

Ata ishin bërë të vetëdijshëm për përndjekjet e tmerrshme mbi tokë. Iu ishte thënë që të preheshin dhe të rifreskoheshin "derisa të plotësohej numri edhe i bashkëshërbëtorëve të tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata."

Kjo është tronditëse nga ana emocionale.

Çelësi i prehjes së tyre

Vini re katër gjëra: 1) Atyre u thuhet të prehen dhe të rifreskohen; 2) Atyre u thuhet që, ndërsa prehen, njerëzit po vriten, disave po iu pritet koka (Zbulesa 20:4); 3) Atyre u thuhet që, ndërsa ata prehen, këta njerëz që po vdesin janë "vëllezërit" e tyre; 4) Dhe atyre u thuhet që numri i këtyre vrasjeve është caktuar nga Perëndia.

Kështu pra, ne përballemi me këtë pyetje reale, praktike dhe emocionale: A pret vërtet Perëndia që këta shenjtorë të tërhiqen nga urgjenca e tyre për hakmarrje të menjëhershme, dhe të prehen ndërsa vëllezërit e tyre po vriten në mënyrë të tmerrshme?

Po. Këtë po u kërkon. Perëndia nuk do t'u kishte thënë këtyre shenjtorëve të përsosur të preheshin, nëse nuk do të mendonte që kjo mund të ndodhte dhe që ishte e drejtë.

Çelësi për aftësinë e tyre për t'u prehur është pikërisht urtësia dhe mirësia sovrane e Perëndisë e nënkuptuar te Zbulesa 6:11—ka një numër të caktuar martirësh që nuk kanë ardhur ende. "Të preheshin edhe për pak kohë, derisa të plotësohej numri edhe i bashkëshërbëtorëve të tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata."

Prehje e thellë e shpirtit në mirësinë dhe urtësinë e Perëndisë

Kuptimi i kësaj shprehjej për emocionet tona është që siguria e thellë në urtësinë dhe mirësinë sovrane të Perëndisë është thellësisht transformuese për reagimin tonë emocional ndaj gjërave të tmerrshme. Ne aftësohemi në një mënyrë të mbinatyrshme, për të pasur një prehje të shpirtit në Perëndinë në mes të fatkeqësive të tmerrshme.

Kjo s’është e njëjtë me indiferencën. Nuk do të thotë se ka pandjeshmëri apo mosdhembshuri. Nuk do të thotë se lotët mungojnë. Kjo është prehje. Është një prehje e ëmbël në Jezusin.

Shpirtin që në Jezusin për prehje mbështetet,Kurrë, kurrë tek armiqtë e tij s'do ta braktis.

Kjo është një "prehje" e thellë emocionale—një çlodhje e thellë e shpirtit—edhe tek njihemi me fatkeqësitë dhe përndjekjet—përfshirë këtu edhe përjetimin tonë personal.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/how-do-we-rest-in-the-face-of-horrible-calamity  
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim