Në fillim, Perëndia shpalli luftë. Ai i dha këtë premtim gjarprit:

Dhe armiqësi do të vë ndërmjet teje dhe gruas,

dhe ndërmjet farës sate dhe farës së saj;

ajo farë do të të lëndojë kokën,

dhe ti do t’i lëndosh thembrën. (Zanafilla 3:15, Bibla PRO)

Perëndia e shpalli për herë të parë ungjillin e Vet (protoevangelium-in e Tij) në kontekstin e një beteje. Gruas Ai i premtoi ardhjen e një kampioni, ndërsa gjarprit i premtoi humbjen e sigurt. Që të dyja palëve u premtoi armiqësi të ndërsjellë: “Dhe armiqësi do të vë [Unë] ndërmjet teje dhe gruas.” Perëndia do ta mbajë luftën të ndezur për jetë e mot. Toka ishte kthyer tashmë në një fushëbetejë, por Ai premtoi një pasardhje që do t’i jepte fund asaj lufte.

Me gojën e mbushur me pluhur, Satani nuk humbi kohë për të nisur gjuetinë kundër pasardhjes së gruas. Ai u zhduk si një gjarpër që rrëshqet në errësirë, por u rikthye për të shkatërruar dy bijtë e parë të gruas. Njëri bir u vra, ndërsa tjetri u dëbua për shkak të vrasjes që kreu. Gjarpri buzëqeshi i kënaqur, sepse Kaini “ishte prej të ligut dhe theri vëllain e tij” (I e Gjonit 3:12). Djali i madh i Evës ishte një bir djalli. Në vend që të shtypte kokën me luspa të gjarprit, Kaini i mori jetën të vëllait. Mirëpo Perëndia do të jepte një pasardhje tjetër, Sethin, që ta mbante gjallë premtimin e Vet.

T’i presësh kokën gjarprit

Historia e Perëndisë në Shkrimin e Shenjtë ndjek zhvillimin e luftës mes pasardhjes së gjarprit dhe asaj të gruas. Po vinte një bir dhe Izraeli e gjurmonte linjën e tij familjare për ta gjetur atë. Edhe gjarpri, me sa duket, po bënte të njëjtin gjurmim:

Dhe u duk një tjetër shenjë në qiell: dhe ja, një dragua i madh, i kuq flakë, që kishte shtatë koka dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij shtatë diadema. Dhe bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe i hodhi në tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, me qëllim që kur ajo të lindte, ai ta përpinte fëmijën e saj. (Zbulesa 12:3–4)

Pasardhja e premtuar do të vinte nga linja e Davidit, Judës, Jakobit, Isakut, Abrahamit, Noeut, Sethit dhe Adamit. Me kalimin e kohës, Izraeli do të pyeste lidhur me kampionët e vet: A është ky pasardhësi i fundit që do të ngadhënjejë aty ku humbi njeriu i parë?

Për një çast u duk sikur mbreti David ishte ky pasardhës. Izraeli po tallej prej një burri kolos, të veshur me bronz dhe të mbrojtur prej një parzmoreje luspore. Historia e gjarprit prej bronzi në shkretëtirë krijon një lidhje mes Goliathit dhe gjarprit. Një çunak del përpara për ta sfiduar këtë gjarpër gjigand. Siç vëren Rick Shenk-u,

Davidi ia doli ta mposhtte Goliathin duke e goditur me gur në kokë. Luftëtari-gjarpër u plandos përtokë dhe hëngri dhé e pluhur. Pikërisht atëherë, Davidi ia këputi kokën Goliathit, pra, armikut, me shpatën e vet këtij të fundit. Pasardhja e fitoi këtë betejë kundër Gjarprit!

A ishte ky “luftëtar” Pasardhja e premtuar (I i Samuelit 16:18)? Ai madje ngadhënjeu kundër dikujt që quhej “biri i gjarprit” (II i Samuelit 10:2; “Nahash” do të thotë “gjarpër” në hebraisht). Mirëpo në skenën tjetër e shohim Davidin mbi çati, të pickuar nga epshi dhe tek e zgjat dorën për të marrë gruan e tjetrit. Davidi nuk ishte Pasardhja që ata po prisnin.

Kryqi i kujt?

Ja ku hyn në skenë Jezu Krishti, Adami i dytë, Biri i Davidit, pasardhja e gruas. Ai që lindi “të zhbëjë veprat e djallit”, përfshirë këtu mëkatin e popullit të Tij dhe dënimin e duhur për ta (I e Gjonit 3:8). Këtu nuk kemi të bëjmë me një njeri të zakonshëm. Kemi të bëjmë me Birin e gruas dhe Birin e Perëndisë. Në fillim, Perëndia shpalli luftë, jo që dikush tjetër të luftonte në vend të Tij, por që Biri i Tij ta çonte atë luftë deri në fund.

“Krishti u ngjit në kryq për ta vënë Satanin nën kontroll.”

Kujtoni që Ai erdhi për të shtypur kokën e dragoit dhe, teksa e bënte këtë, të lëndohej edhe Ai vetë. Beteja e Zanafillës 3:15 u vendos në Golgotë, e njohur ndryshe si “vendi i kafkës”, një kodër që me shumë gjasë mori këtë emër për shkak se Davidi mund të ketë vendosur mbi atë kodër kafkën e Goliathit, që ta shihnin të gjithë. Një vend që, me shumë gjasë, u quajt “Golgota” për shkak të etimologjisë së tij nga “Gol (iathi i) Gath-it”?

Megjithatë, vini re dallimin mes fitores së madhe të Jezusit dhe asaj të Davidit. Sa e ndryshme ishte fitorja që “luani prej fisit të Judës, rrënja e Davidit, fitoi” (Zbulesa 5:5)! Për njerëzit e kësaj bote, fitorja e Krishtit nuk dukej aspak si triumf. Ata panë vetëm thembrën e Tij të lënduar dhe nuk e panë aspak kafkën e shtypur nën atë thembër. Ai zgjodhi të bëhej bashkëpjesëtar në mishin dhe gjakun tonë, jo që të kishte duar për të hedhur një gur me hobe për të vrarë një gjigand, por që të kishte duar për t’u tejshpuar “për shkak të shkeljeve tona” (Isaia 53:5). Ai mori një ballë njerëzor, jo për ta zbukuruar atë me një kurorë të artë si Davidi, por për t’u çjerrë nga një kurorë gjembash. Këmbët e Tij nuk rendën drejt një kolosi prej bronzi, por iu ngjitën çalë-çalë një kodre për t’u ngritur lart si gjarpri prej bronzi.

Ai e shkatërroi djallin falë vdekjes së Vet. Kryqi nuk ishte vetëm arma vdekjeprurëse e Perandorisë Romake, por edhe e Tija. Ai u ngjit në kryq për ta vënë Satanin nën kontroll. Lexojeni ngadalë këtë varg: “Prandaj, ngaqë fëmijët kanë të përbashkët gjakun dhe mishin, edhe ai, po ashtu, mori pjesë në të njëjtat gjëra, me qëllim që, nëpërmjet vdekjes, ta shfuqizonte atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin” (Hebrenjve 2:14). Pasardhja e premtuar nga lashtësia e shkatërroi djallin falë vdekjes së Vet.

Thembra e lënduar

Në fillim, Zoti ynë shpalli luftë, një luftë kundër Dragoit, një luftë që po Ai vetë do ta çonte deri në fund. Ai la të kuptohej se ishte si një “luftëtar” — “ZOTI është një luftëtar, emri i tij është ZOTI” (Eksodi 15:3). Dhe “si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po, një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij” (Isaia 42:13). Atëherë ai u bë një luftëtar në kuptimin e plotë të fjalës.

Pyetja tjetër që lind është se si e jep Ai goditjen fatale? Ai mund ta vriste djallin me vetë “frymën e gojës së vet”, siç do të bëjë së shpejti me antikrishtin (II Selanikasve 2:8). Mirëpo, nëse do të ishte kështu, të gjithë mëkatarët do të përfundonin në ferr bashkë me atë dragua. Ja ku e kemi dilemën e Shkrimit të Shenjtë: Si mund të bëjë Perëndia luftë kundër së keqes dhe prapëseprapë t’i kursejë mëkatarët? Megjithatë, Perëndia e siguron rrugëdaljen duke shpallur se Biri i Tij, pasardhja, do t’ia shtypte kafkën gjarprit, ndërsa Vetë do të lëndohej si njeri, duke u shfytyruar përtej çdo ngjashmërie me një njeri (Isaia 52:14), për të mbajtur zemërimin e tmerrshëm të Atit në vendin tonë dhe për ta gozhduar dëftesën e borxhit të mëkateve tona në drurin e kryqit (Kolosianëve 2:13–14). Ai u lëndua jo për mëkatet e Tij, por për tonat.

Mirëpo në qoftë se Ai vdiq, atëherë pse nuk ishte parathënë se Ai do t’ia shtypte kokën gjarprit, por edhe se koka e Tij do të lëndohej? Vdekja, sado e fuqishme dhe përfundimtare të dukej të premten dhe të shtunën, vetëm sa i lëndoi thembrën, sepse ishte e pamundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj (Veprat e Apostujve 2:24). Vdekja e Tij ishte e vërtetë, por vetëm e përkohshme, ndërsa plaga nuk ishte vdekjeprurëse në mënyrë të pakthyeshme. Pastaj erdhi e diela me lajmin e lavdishëm: Ai u ringjall!

Luftëtari

Atyre që nuk e njohin Atë si Zot, dua t’u them këtë: ky Mbret vdiq një herë, për të mos vdekur më kurrë. Vdekjen, vuajtjen dhe turpin i përjetoi një herë e përgjithmonë. Askush nuk do ta derdhë më gjakun e Tij. Askush nuk do ta godasë më me shuplakë. Asnjë pikë pështyme nuk do të bjerë më mbi faqet e Tij. Ai do të vijë përsëri për të bërë luftë, dhe askush nuk do ta lëndojë. Sytë e Tij janë si flakë zjarri; shpata e Tij do të godasë pikërisht në shenjë; rroba e Tij është e zhytur në gjak; rreth Tij janë ushtritë engjëllore; dhe mbi kofshën e Tij është shkruar një emër: “Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve” (Zbulesa 19:11-16). Sot është dita e mëshirës. Sot Ai e zgjat unazën e Tij që ta puthim përmes besimit. Vini re duart e Tij të tejshpuara për mëkatin. Shihni mëkatet tuaja të gozhduara mbi dru dhe kokën e gjarprit të shtypur në këmbë të drurit. Refuzojeni mëshirën e Tij, dhe do të zbuloni që Ai do të jetë i pamëshirshëm me ju. Mirëpo “Lum gjithë ata që strehohen në të”.

Po ju, populli i Tij i përndjekur dhe i rrezikuar — ju që ende udhëtoni përmes territorit armik, me gjarpërinjtë që zvarriten nëpër këmbët tuaja? Juve, ushtarëve të kryqit, ju është dhënë ky premtim: “…Perëndia i paqes do ta dërrmojë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja…” (Romakëve 16:20).

Merrni zemër, Luftëtari vjen së shpejti.

Greg Morse është autor pranë shërbesës “Desiring God” dhe i diplomuar pranë Kolegjit dhe Seminarit Bethlehem. Ai dhe e shoqja, Abigail-i, jetojnë në Saint Paul me dy djemtë dhe tri vajzat e tyre. Lexoni më shumë rreth Greg-ut.