“Se sikurse nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, të shumtët u caktuan mëkatarë, kështu edhe nëpërmjet bindjes së njërit, të shumtët do të caktohen të drejtë.” ROMAKËVE 5:19
Adami, njeriu i parë, u krijua në shëmbëllimin e Perëndisë. Zoti i dha Adamit një rol unik në gjithë krijimin. Megjithatë, ai dështoi në përmbushjen e atij roli dhe u dëbua nga Edeni. Perëndia ia nisi sërish nga fillimi me izraelitët; ata u thirrën që të ishin populli i Tij. Ata e shfaqën karakterin e Tij ndërsa i bindeshin ligjit të Tij. Megjithatë, ashtu si Adami, izraelitët dështuan në rolin e tyre dhe u dërguan në mërgim.
Kur vijmë në Besëlidhjen e Re, në mënyrë të lavdishme zbulojmë se atje ku Adami dhe Izraeli dështuan, Jezusi ia doli me sukses. Jezusi është pikërisht ai që duhej të ishte populli i Perëndisë: Adami i ri dhe më i mirë, Izraeli i vërtetë. Ai është pasardhës i Adamit dhe identifikohet me racën e Adamit. Ai indentifikohet plotësisht me ne, megjithatë, ndryshe nga Adami, Jezusi u tundua, por nuk mëkatoi (Hebrenjve 4:15).
Ajo që shohim në Zotin Jezus, është qenia e vetme njerëzore që iu bind ndonjëherë Perëndisë në mënyrë të përsosur, i vetmi me të cilin Perëndia është gjithmonë i kënaqur. Ai zbatoi çdo shkronjë të ligjit. Prandaj, Jezusi është njeriu i vetëm që ka jetuar ndonjëherë, i cili nuk meriton të dëbohet nga prania e Perëndisë. Mirëpo Ai u dëbua. Në kryq, me gatishmëri, Ai u përball me ndëshkimin që meritojnë mëkatarët — mëkatarët që janë të lidhur bashkë në mëkatin e Adamit.
I gjithë njerëzimi e gjen trashëgiminë e vet në Adamin, si prej natyre, ashtu edhe nga prejardhja. Ne kemi lindur në mëkat dhe të bashkuar me Adamin në rebelimin tonë kundër Perëndisë. Nuk ka asnjë përjashtim. Përgjigjja e vetme për hallin e njerëzimit është që burrat dhe gratë të njihen me personin e vetëm që e zbatoi ligjin në mënyrë të përsosur dhe që nuk meritonte të dëbohej nga Perëndia, por, pavarësisht kësaj, u tregua i bindur deri në vdekje në kryq, në mënyrë që mëkatarët, me anë të hirit dhe nëpërmjet besimit, të mund të marrin gjithë sa meriton Ai, në vend që të vuajnë gjithë sa meritonte të vuante Adami.
Kjo e vërtetë qëndron në zemër të gjithçkaje. Për ne besimtarët, gjithçka që ishte e vërtetë dikur, i ka rrënjët në aktin e vetëm të Adamit, kurse gjithçka që është e vërtetë tani, është rezultat i bindjes së Krishtit.
Nëse të mungon siguria, ndoshta je fajtor për shkak se je përpjekur ta shqyrtosh jetën tënde frymërore, për të parë nëse po bën aq sa duhet. Mirëpo ti nuk shpëtohesh nga ndonjë gjë që bën vetë. Siç na kujton edhe shkrimtari i himnit, ne jemi shpëtuar nga një punë që është bërë për ne:
Për shkak se Shpëtimtari vdiq,
Sot shpirti im është i lirë,
Se Ati në Të u kënaq,
Në Krishtin Jezus Ai më fal.1
- Charitie Lees Bancroft, “Before the Throne of God Above” (1863). ↩︎