“Mbas këtyre pashë dhe, ja, një turmë e madhe, të cilën nuk mund ta numëronte asnjë, prej çdo kombi dhe fisi, dhe populli, dhe gjuhe, duke qëndruar përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me petka të bardha. Dhe ata kishin palma në duart e tyre, dhe thërrisnin me zë të lartë, duke thënë: ‘Shpëtimi i përket Perëndisë tonë, që rri ulur mbi fron, dhe Qengjit!’” ZBULESA 7:9-10
Shumë nga idetë dhe këngët në lidhje me qiellin kanë të bëjnë më tepër me krishterimin e epokës viktoriane dhe me pikëpamjet për gjithësinë të bazuara mbi mësimin e Platonit, filozofit grek, sesa kanë të bëjnë me një shqyrtim rigoroz dhe të menduar mirë të asaj që ka zbuluar Perëndia në fjalën e Tij. Nuk do ta kalojmë përjetësinë thjesht duke u ulur mbi re dhe duke luajtur në harpa, siç paraqitet shpesh qielli në art. Ne do të bëjmë diçka shumë herë më të mirë. Shkrimi na tregon se ne do të këndojmë lavdet e Perëndisë dhe do të adhurojmë Qengjin.
Libri i Zbulesës na bën thirrje që të vëmë re rrathët gjithnjë e më të mëdhenj të lavdërimit që e rrethojnë Qengjin. Në rrethin e parë, shohim katër gjallesa dhe njëzet e katër pleq, të cilët ofrojnë temjan dhe këndojnë një këngë të re lavdërimi (Zbulesa 5:8-9). Rrethi i dytë, në vargjet 11-13, përbëhet nga disa dhjetëra mijëra engjëj që e nderojnë Atë, të cilëve u bashkohet i gjithë krijimi. Pastaj Zbulesa nxjerr në pah ata që janë shpenguar nga gjaku i Qengjit (7:4, 9). Ata përshkruhen si njëqind e dyzet e katër mijë në numër dhe, gjithashtu, si një turmë që nuk mund të numërohet. Ata portretizohen si dymbëdhjetë fiset e Izraelit dhe, gjithashtu, si një popull nga çdo komb dhe gjuhë. Këto përshkrime mund të duken si kontradiktore me njëra-tjetrën, mirëpo, nga këndvështrimi i Perëndisë, kjo ka shumë kuptim. Numri i saktë përfaqëson përsosmërinë dhe plotësinë; por, nga një këndvështrim njerëzor, turma është aq e madhe, saqë nuk mund ta numëroni dot kur e shihni para jush. Në sytë e Perëndisë, njerëzit që janë shpenguar, janë bijtë dhe bijat e Tij, të zgjedhur dhe përfaqësues nga çdo fis. Ai e njeh çdonjërin prej tyre. Megjithatë, populli i Tij është mbledhur nga të gjithë popujt e botës. Ja një tablo e triumfit absolut dhe të plotë të Perëndisë — dhe një tablo e popullit të Perëndisë që e lartëson Atë dhe mburret me triumfin e Tij.
Prandaj, edhe pse kjo skenë hapet me katër gjallesat dhe me njëzet e katër pleqtë, ajo kalon te këto mijëra mijërash, gjë që reflekton deklaratën e Palit se, më në fund, “në emrin e Jezusit çdo gju të përkulet, i qenieve qiellore dhe tokësore, dhe nëntokësore” (Filipianëve 2:10, theksimi i shtuar). Lavdërimi ynë do të bashkohet me atë të turmave të panumërta dhe të gjithë do të shpallim se Krishti është Qengji që u ther, dhe se mëkatet tona janë pastruar me gjakun e Tij, se jemi veshur me drejtësinë e Tij dhe se do të jetojmë në shoqërinë e Tij për gjithë përjetësinë.
Një ditë, ne do t’i bashkohemi rrethit gjithnjë e më të madh të lavdërimit përqark Krishtit, i cili do të dalë si Luani fitimtar dhe si Qengji i përulur, si Dhëndri ynë i dashur. Mirëpo nuk ka pse të presim deri atëherë, sepse që tani mund të bashkohemi me këngën e adhurimit, duke i ngulitur sytë tanë tek Ai. Një ditë, ju do të qëndroni para Tij dhe do ta shihni Atë! Dhe ditë pas dite, ju po i afroheni atij çasti.