“Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi.” PSALMI 32:7

Nëse shikon filma të vjetër bardh e zi për Robin Hudin ose për mbretin Artur, do të shohësh mbretëresha që kalërojnë në fushën e betejës. Ato nuk shkojnë vetëm në udhëtimet e tyre, por shoqërohen nga ushtarë të hipur mbi kuaj, të cilët kalërojnë përkrah tyre, duke i rrethuar për t’i mbrojtur.

Në ditë të vështira, ne mund t’i kujtojmë vetes që Perëndia “do të urdhërojë engjëjt e tij të [na] ruajnë në të gjitha rrugët [tona]” (Psalmi 91:11), dhe se Ai na ka rrethuar me një togë njerëzish të tjerë që po e ndjekin flamurin e Krishtit — domethënë, me kishën tonë. Jeta e krishterë duhet të jetë një udhëtim i përbashkët, jo një udhëtim individualist. Ne kemi dobinë e të marshuarit bashkë për kauzën e Krishtit. Duhet ta rrethojmë veten me ata që sigurojnë “këngë çlirimi”. Kur adhurojmë së bashku, ne përjetojmë dobitë e çlirimit që Perëndia siguron për ne.

Kur shpërqendrohemi nga jeta ose kur jemi thellësisht të vetëdijshëm për mangësitë, dështimet, shkurajimet dhe dyshimet tona, kura nuk është që të përpiqemi t’i japim zemër vetes me forcat tona. Përkundrazi, ne mund të shohim mrekullitë e asaj që ka bërë Jezusi dhe të sigurohemi që të dëgjojmë nga vëllezërit dhe motrat tona në Krishtin për atë që ka bërë Jezusi. Me ndihmën e një libri të thjeshtë himnesh, përkrah fjalës së Perëndisë, ne mund ta inkurajojmë njëri-tjetrin edhe në ditët më të errëta, duke e mbushur mendjen tonë me të vërtetën përmes këngëve dhe Shkrimit.

Alec Motyer-i shkroi dikur: “Kur e vërteta përjetësohet në një kredo ose në një libër himnesh, ajo bëhet zotërimi i sigurt i gjithë kishës.”1 Me fjalë që janë rrënjosur thellë në teologji, ne mund t’i themi vetes çdo ditë: “Ai është gjithçka që më duhet për t’ia dalë.” Pastaj, në shoqërinë e popullit të Perëndisë, ne mund të adhurojmë bashkë dhe t’i kërkojmë Zotit hir dhe paqe. Një kishë e gjallë do të jetë gjithmonë një kishë që këndon.

Nuk jeni krijuar për të adhuruar në një ishull. Kjo është pjesë e qëllimit të adhurimit të përbashkët: të rrethohesh nga këngët e çlirimit. Ti je formuar nga Krijuesi yt për të qëndruar në bashkësinë e atyre që të pohojnë, ndërkohë që edhe ti u pohon atyre, fjalë si këto:

Këndo, këndo për Shpengimtarin!
Me gjakun e Tij më bleu Ai;
Faljen time në kryq e vulosi,
Më pagoi borxhin, më dha liri.2

  1. Look to the Rock: An Old Testament Background to Our Understanding of Christ (Kregel, 2004), f. 222 shënimi 48. ↩︎
  2. P. P. Bliss, “I Will Sing of My Redeemer” (1876). ↩︎