Është një himn i vjetër që përmban këtë strofë:

O shpirti im, njihe shpëtimin tënd të plotë…
Kujto se çfarë Fryme banon në ty,
Kujto se ç’buzëqeshje të Atit janë mbi ty,
Kujto se Jezusi vdiq për të të bërë të Tijin.
Bir i qiellit, si mund të murmurisësh?

Sa shpesh ju qëllon të mendoni për buzëqeshjen e Perëndisë? “Kujto se ç’buzëqeshje të Atit janë mbi ty”, na nxit kënga. Sa shpesh ju qëllon të ngroheni nën rrezet e nxehta të buzëqeshjes së Atit tonë?

E po, është e vërtetë se buzëqeshja e Perëndisë është një figurë letrare, një metaforë që shpreh lumturinë e Tij të pafund dhe përbashkësinë mes Tij dhe nesh. Ati nuk ka një buzëqeshje fizike (ndonëse Jezusi ka). Mirëpo realiteti që përshkruan kjo figurë letrare është edhe më i vërtetë se vetë figura, jo më pak. Dhe sa e jashtëzakonshme që është kjo figurë!

Lumturia e lashtë

Premtimi afrues i buzëqeshjes së Perëndisë qëndron pezull mbi faqet e Besëlidhjes së Vjetër. Ajo është lumturia e pamasë e Edenit. Që në faqet e para të Besëlidhjes së Vjetër, e dëgjojmë të shpërthejë në zërin e Perëndisë, teksa Ai e miraton shtatë herë krijimin e Tij: mirë, mirë, mirë, mirë, mirë, mirë, shumë mirë. Edhe sot e shohim atë në këtë botë të egër çudirash të krijimit: në gjethet e vjeshtës dhe lulet e pranverës, në lojën mahnitëse të reve dhe në lindjet e diellit që shpërthejnë me gëzimin rrezatues të një dhëndri, në vrullin plot gjallëri të ketrave dhe në ecjen e ngadaltë e të çuditshme të lopëve, në dëborë, gurë dhe yje. Bukuria e botës është buzëqeshja hyjnore e bërë e dukshme në vetë krijimin. Ne e ndiejmë këtë buzëqeshje të Atit atëherë kur Ai i jep burrit dhuratën e mrekullueshme, gruan, dhe Adami shpërthen në poezi. Buzëqeshja e Perëndisë ishte një realitet i pandërprerë në botën para rënies. Ajo ishte lumturia e pamasë e Edenit.

Mirëpo, teksa bota u zhyt në rebelim dhe shkatërrim, buzëqeshja e Perëndisë u mbulua nga retë. Por ajo është ende aty ku ishte. Gëzimi i Perëndisë Trini është i pafundmë, i pavarur, i pamposhtur, i pamposhtshëm si një mal i thepisur dhe më i madh sesa vetë gjithësia. Mirëpo mëkatarët e papenduar me mëkat të pafalur nuk mund ta shijojnë lumturinë e shenjtë të Perëndisë. Megjithatë, edhe pas rënies, buzëqeshja e Perëndisë ende shkëlqen përmes hirit të përgjithshëm. Madje, përpara se Ai të përfundojë shqiptimin e mallkimit, atë provaninë e vrenjtur të Zanafillës 3, buzëqeshja e Tij e fshehur shpërthen në premtimin e Birit që do të vijë.

“Gëzimi i Trinisë është i pafundmë, i pavarur, i pamposhtur, i pamposhtshëm si një mal i thepisur dhe më i madh sesa vetë gjithësia.”

Shenjat e para të këtij plani i shohim kur Perëndia, përmes priftit dhe gjakut, nisi të hapte udhën për popullin e Vet, që ata të kënaqeshin sërish me praninë dhe urdhërimet e Tij. Aaroni, i pari kryeprift, i bekoi të zgjedhurit me premtimin e buzëqeshjes së Perëndisë: “ZOTI të bekoftë dhe të ruajttë! ZOTI bëftë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi ty dhe qoftë i hirshëm me ty!” (Numrat 6:24–25). Një fytyrë që shkëlqen është një fytyrë që buzëqesh. Kështu që shpresa kryesore e Besëlidhjes së Vjetër është që populli i Perëndisë do ta shijojë sërish lumturinë dhe përbashkësinë e Tij.

Kjo dëshirë e zjarrtë u kthye në refrenin e preferuar të shenjtorëve të lashtë, veçanërisht në poezitë e tyre:

Shumë thonë: “Kush do të na e shfaqë një të mirë?”.
     Ngrije mbi ne dritën e fytyrës sate, o Jahveh!
Ke vënë gëzim në zemrën time

më shumë sesa kur gruri dhe vera e tyre e re janë shumuar. (Psalmet 4:6-7, Bibla PRO)

Davidi lë të kuptohet se gjithçka që është e mirë dhe e bukur — gëzimi plot fuqi dhe kënaqësitë e papërziera — rrezaton nga buzëqeshja e Perëndisë. Lumturia e vërtetë e njeriut gjendet në atë fytyrë hyjnore.

Kënaqësia atërore

Kur Jezusi u shfaq në skenën e historisë, ne mësuam se buzëqeshja e Perëndisë nuk ishte thjesht miratimi i një hyjnie të paemër e të largët, por gëzimi i pamasë i një ati plot hare. A mund ta përfytyrosh Atin duke thënë: “Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin gjeta pëlqim” (Mateu 3:17), pa buzëqeshur aspak? Këtu shohim një gëzim më të lashtë sesa vetë bota, një oqean të tërë kënaqësie atërore.

Dhe ja ku kemi një gjë tjetër që mund të na lërë pa frymë: për shkak të Birit, Perëndia nuk është thjesht një atë, por Ati ynë. Përmes kryepriftit dhe gjakut të Vet, Perëndia hapi një udhë që buzëqeshja e Tij të bëhej sërish një realitet i përhershëm mbi popullin e Vet. Jezusi përballoi stuhinë e tmerrshme të zemërimit hyjnor, me qëllim që ne të jetonim për jetë e mot nën dritën e buzëqeshjes së Tij. Të gjithë ata që janë bashkuar me Birin, bëhen bij, bashkëtrashëgimtarë të lumturisë së pamasë të Perëndisë. Kjo është lavdia e ungjillit të të lumit Perëndi (I Timoteut 1:11).

Nuk jemi ende aq të gjallë sa ta sodisim shkëlqimin e plotë të atij dielli. Ende mëkatojmë dhe duhet t’i rrëfejmë mëkatet tona. Gëzimi i Trinisë është kaq i madh dhe ne jemi kaq në hije, saqë nuk e përballojmë dot peshën e lavdisë. Mirëpo gjërat nuk do të mbeten gjithnjë në këtë gjendje. Do të vijë dita kur do ta shijojmë të pakufishmen liri të shenjtërisë së përsosur dhe atëherë do të mbetemi plotësisht të magjepsur nga buzëqeshja e Perëndisë (Hebrenjve 12:14). Ylli i mëngjesit do të na jepet dhe lumturia kolosale e Qengjit që u ther, do të ndriçojë një gjithësi që është bërë e re.

Ati na thotë të njëjtat fjalë që Asllani u tha të vetëve: Ende nuk jeni aq të lumtur sa planifikoj që të jeni; ende nuk jeni aq të lumtur sa unë. Hyni në gëzimin e Krijuesit tuaj.

Hyni në gëzim

Kështu, pra, fëmijë i qiellit, mendo për ato buzëqeshjet e Atit që janë të tuat!

Në Birin e kënaqësisë së Tij dhe prej Frymës së gëzimit të Tij, Ati ynë qiellor e derdh gëzimin e Vet mbi popullin e Tij të zgjedhur. Askush nuk e detyron të gëzojë dhe askush nuk e kufizon kënaqësinë e Tij. Ai është plotësisht i lirë. Buzëqeshja e Tij është po aq e sigurt sa dielli që do të lindë, sepse gjithçka që bën Ai, shpërthen nga lumturia e përjetshme e Trinisë. Duke e pasur me bollëk atë liri të ngazëllyer, Ai kënaqet tek u jep fëmijëve të Vet gjithçka që atyre u nevojitet për ta shijuar gjithnjë e më shumë bukurinë e buzëqeshjes së Tij.

Duke qenë pikërisht i shtyrë nga dëshira e brendshme për të marrë pjesë në vetë gëzimin e Trinisë, për të derdhur dritën dhe dashurinë e Tij mbi popullin e Tij, Perëndia krijoi një botë dhe dha Fjalën e Tij për të zbuluar lavdinë e Tij. Jonathan Edwards-i e shpreh kështu këtë koncept:

Është pikërisht kënaqësia që Ai gjen në plotësinë dhe lavdinë e Tij të brendshme, që e shtyn Atë drejt një derdhjeje dhe shfaqjeje të bollshme të asaj lavdie. E njëjta prirje që e bën Atë të gjejë kënaqësi në lavdinë e Tij, e bën Atë, gjithashtu, të gjejë kënaqësi në shfaqjet, shprehjet dhe komunikimet e saj. (God’s Passion for His Glory, f. 170)

E thënë ndryshe, lumturia e përjetshme e Perëndisë për faktin që është Perëndi, derdhet bollshëm në zbulesën e kësaj lumturie përpara krijesave. Ai na fton që të hyjmë në gëzimin e Tij të pamposhtshëm, me qëllim që ta njohim Perëndinë dhe të kënaqemi me Të ashtu siç bën Vetë Perëndia. Gjatë kësaj serie, ne do të ngazëllehemi me buzëqeshjen rrezatuese të Perëndisë tonë teksa hulumtojmë shfaqjet dhe atributet e lumturisë së Tij të pakufishme. A do të bashkoheni me ne teksa e bëjmë këtë?

Clinton Manley është redaktor pranë shërbesës “Desiring God” dhe lektor i jashtëm pranë Kolegjit dhe Seminarit Bethlehem. Ai dhe e shoqja, Mackenzie, kanë katër fëmijë dhe jetojnë në Saint Paul.