“Në të njëjtën mënyrë edhe Perëndia, duke dashur t’u tregojë edhe më tepër trashëgimtarëve të premtimit pandryshueshmërinë e qëllimit të tij, u bë dorëzanë me betim, që nëpërmjet dy gjërash të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë, ne që gjetëm strehë tek ai, të kemi trimërim të madh për të kapur fort shpresën që qëndron para nesh. Këtë shpresë e kemi si spirancë të shpirtit të sigurt dhe të qëndrueshme…” HEBRENJVE 6:17-19

Një betim duhet të ketë shumë peshë si për personin që e bën, ashtu edhe për personin të cilit i bëhet. Ky është një apelim vendimtar drejtuar pushtetit më të lartë të disponueshëm, dhe ka për qëllim t’i japë fund çdo dyshimi në lidhje me fjalën e dikujt dhe të konfirmojë besueshmërinë e premtimit që është bërë. Edhe pse njerëzit kanë bërë vazhdimisht betime të cilat nuk i kanë mbajtur, duke gënjyer dhe duke i shkelur ato, prapëseprapë betimet në vetvete kanë për qëllim të demonstrojnë integritetin e fjalës së personit.

Sigurisht që betimi është po aq i mirë sa edhe karakteri i personit që e bën atë. Prandaj, ne e dimë se premtimet e Perëndisë janë të besueshme vetëm për faktin që ato i bëri Ai. Perëndia nuk kishte nevojë që ta garantonte premtimin e Tij me një betim; vetë premtimi i Perëndisë ndaj popullit të Tij është i mjaftueshëm dhe e meriton besimin tonë. Megjithatë, Ai shkoi edhe një hap më tej dhe u betua mbi Veten e Tij, duke qenë se nuk ekzistonte asgjë tjetër apo askush tjetër, më i madh se Ai, mbi të cilin të betohej.

Perëndia na ka nxjerrë nga bota e pashpresë dhe na ka futur në realitetin e shpresës, prandaj tani spiranca e shpirtit tonë është e sigurt dhe e patundur. Ajo është kapur pas një objekti të palëvizshëm — pas premtimeve të Perëndisë — dhe është kapur në sferën e padukshme qiellore nga Perëndia që nuk mund të gënjejë. Në fakt, këto premtime janë aq të sigurta, saqë kur ua tregojmë të tjerëve në ungjillëzim, kjo gjë i bind ata, pasi ne jetojmë në një botë plot me dëshpërim dhe në një kulturë që përpiqet ta mbulojë pakënaqësinë e saj me buzëqeshje false, me pushime dhe fitime materiale.

Sa e mrekullueshme është që ne mund të jemi njerëz të themeluar në besim dhe të kapur fort pas premtimeve të Perëndisë! Jezu Krishti është i denjë për besimin tonë dhe ne mund ta dimë “Se gjithë sa janë premtime të Perëndisë, ‘po’-ja e tyre është në të [Krishtin]…” (II Korintasve 1:20), i cili me jetën vdekjen, ringjalljen dhe lartësimin e Tij ka arritur për ne një fitore madhështore dhe të përjetshme.

Cilin nga premtimet që të ka bërë Perëndia e sheh si më të vështirë për t’u besuar dhe për ta mbështetur jetën tënde mbi të? Kujto se kush i bëri ato premtime. Ai është i njëjti Perëndi që iu betua Abrahamit plak dhe pa fëmijë se pasardhësit e tij do të ishin të panumërt si yjet në qiellin sipër tij — dhe që e mbajti premtimin e Tij. Kujto se kush i ka bërë premtimet që ty të duken të vështira për t’u besuar. Kujto se si është Ai. Kjo është spiranca e shpirtit tënd dhe shpresa për të ardhmen tënde.