“…bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde… Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin.” I I MBRETËRVE 19:14

Një konferencë e caktuar për pastorë organizoi dikur një seminar që trajtonte dëshpërimin dhe depresionin në shërbesë. Në një mënyrë që ishte ose jashtëzakonisht inkurajuese, ose tmerrësisht shkurajuese, ai ishte seminari me pjesëmarrjen më të madhe në gjithë konferencën, një seminar ku kishte vend vetëm për të qëndruar në këmbë. Pastorët, disa prej tyre të shoqëruar nga gratë, po kërkonin shpresë dhe përgjigje në lidhje me pyetjen se çfarë të bënin ndërsa përballeshin me shkurajime të thella në shërbesë.

Profeti Elia do ta kishte kuptuar se si ndihej pastori më i lënduar në atë dhomë. Ai e përjetoi mungesën e shpresës në shërbesën e tij. Njëherë, ai qëndroi i vetëm përpara katërqind e pesëdhjetë burrave të armatosur — profetëve të perëndisë të rremë Baal, të cilët ishin kundërshtarët e tij të betuar — dhe ai përjetoi Perëndinë që zbriti nga qielli me pushtet dhe i zhduku armiqtë e tij. Megjithatë, fill pas kësaj, ai mori një mesazh kërcënues nga mbretëresha Jezebel dhe ia mbathi në shkretëtirë. Ai kaloi një natë plot brengosje në një shpellë, duke qenë i bindur se ai ishte i vetmi që kishte zell për Perëndinë. Në këtë gjendje dëshpërimi të thellë, Perëndia e takoi Elian dhe e inkurajoi atë, duke i dhënë gjithashtu edhe premtimin: “Por kam lënë në Izrael një mbetje prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit…” (I i Mbretërve 19:18).

Besimi yt dhe rritja jote në ngjashmëri me Krishtin janë inkurajim i madh për pastorin tënd. Apostulli Pal, kur dëgjoi se bashkësia e re në Selanik po vazhdonte të qëndronte e patundur në besim, u shkroi “tani jetojmë vërtet” dhe përshkroi “gjithë gëzimin me të cilin gëzohemi për shkakun tuaj përpara Perëndisë tonë” (I Selanikasve 3:8-9).

Shërbëtorët e Perëndisë nuk kanë imunitet ndaj shkurajimit në asnjë zonë të shërbesës. Shtegu i shërbimit të krishterë është plot me ngritje dhe rënie; ka ditë të kënaqshme, por ka edhe ditë fatkeqe. Kur jemi të shkurajuar, mund të na duket e vështirë për të vazhduar përpara — por Perëndia përdor popullin e Tij për t’i ngritur lart pastorët dhe udhëheqësit e shërbesës me besimin dhe rritjen e tyre, si dhe me lutjet e tyre. Kur C. H. Spurgeon-i u tregonte njerëzve Tabernakullin Metropolitan (Metropolitan Tabernacle) në Londër, i çonte ata në bodrum, që t’u tregonte edhe “dhomën e kaldajës”. Atje nuk kishte kaldajë; përkundrazi, atje kishte stola. Këtu mblidheshin disa qindra njerëz çdo të diel në mëngjes, që të luteshin për Spurgeon-in ndërkohë që ai predikonte. Ai e dinte se efektshmëria e shërbesës së tij varej nga ata që luteshin dhe nga Perëndia që u përgjigjej lutjeve të tyre.

Nëse je në shërbesë (me apo pa pagesë) dhe ndihesh i shkurajuar, merr parasysh këtë: ti ke ndikuar jetët e njerëzve për përjetësinë. Hidhe vështrimin pas në vitet e fundit dhe në mes të vështirësive do të dallosh provat e punës së Perëndisë përmes teje. Le të shërbejë kjo si inkurajim për ty! Pavarësisht se kush je, sa kohë ka kaluar qëkurse shkrove një pusullë inkurajimi ose u lute për ata që shërbejnë rreth teje? Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta bësh këtë. Edhe nëse këta udhëheqës vazhdojnë të predikojnë dhe të japin mësim të njëjtat mesazhe, dhe të shërbejnë njëlloj siç kanë shërbyer, efekti do të jetë shumë më i madh kur ne thjesht lutemi me besim për ta. Është përgjegjësia e të gjithëve ne — në fakt, është privilegji ynë — që ta bëjmë këtë.